Flash News

KRYESORE

Blofi i kthimit të Izet Haxhisë si Temë qeveritare 

Blofi i kthimit të Izet Haxhisë si Temë qeveritare 

Alfred Lela

Tema qeveritare, një paradhomë e propagandës së pushtetit, e qarkulloi e para lajmin se Izet Haxhia do të kthehej në Shqipëri për t'u vënë në 'gatishmëri' të drejtësisë. Gazeta i referohej një statusi në Facebok të vetë Haxhisë dhe, që prej asaj dite portali hamendëson skenarë, duke marrë dhe rimarrë historinë e vështirë të Izetit me ish-kryetarin e PD, pas atentatit që i mori jetën liderit të Dhjetorit, Azem Hajdari.

Dy fakte, që nuk mund të jenë rastësi, vlejnë të theksohen: Izet Haxhia vendosi të kthehej pikërisht tani, dhe Tema vendosi ta rihapte edhe njëherë 'trillerin Haxhia', të cilin e ka përdorur sa herë i është dashur për të derdhur kupën e vrerit të vjetër të Mero Bazes me Sali Berishën.

Të dyja këto lidhen me arrestimin e një drejtori, në një prej ministrive të 'qeverisë Berisha', dhe thirrjen në Prokurori të djalit të ish-Kryeministrit, si dhe një prej ish-ministrave të tij, Genc Rulit. Një ardhje hipotetike, si dëshmitar, e Izet Haxhisë, në skenarin e Temës dhe botuesit të saj, e anon edhe më shumë peshoren e perceptimit publik në disfavor të Berishës dhe 'sistemit të tij të korruptuar'.

Ndërkohë që Baze çtensionon një mëri të vjetër, duke gatuar hakmarrje politiko-mediatike, dy gjëra mbeten kryeneçe në gjithë këtë histori, dhe kanë të bëjnë me faktet.

(Mero i di shumë mirë këto si b.... e dreqit që është dhe, me siguri, qesh nëpër tavolina të njohurish kur ia kujtojnë këtë djallëzi e të tjera para saj.)

E para ka të bëjë me vetëdeportimin e Izet Haxhisë. Izeti mund të jetë trim, por jo i marrë, që të këmbejë lirinë me burgun, duke pritur një drejtësi të premtuar dhe të hamendësuar. Në Shqipëri ai rezulton i dënuar me burgim të gjatë dhe i ka shpëtuar ekstradimit nga Turqia për arsye që mbeten të paqarta. Kthimi i tij ka gjasa të ndodhë vetëm nëse ka marrë garanci nga pushteti se, në këmbim të një deponimi (të rrejshëm ose jo kjo mbetet në ndërgjegjen e tij), që dëmton Berishën. E gjitha nëpërmjet  një procesi të ri ndaj tij i cili do të përshpejtohet në hallkat tashmë të komanduara nga njerëz të zgjedhur në orën e socialistëve. 

Izet Haxhisë i mbetet ta bëjë vetë këtë llogari. Nëse ai thotë se Berishës nuk i zihet besë (ish-Kryeministri ka një rekord, ndër ata që e njohin, si fjalëmbajtur), sa besë mund t'i zërë Edi Ramës (i cili ka një rekord krejt të kundërt).

Ky është një bast i tij dhe jo i Meros që, me siguri, poshtë koraces së urrejtjes ruan dashurinë e vjetër për Doktorin dhe poshtë 'miqësisë' për Izetin, të njëjtin padurim si përherë.

Për të mos e braktisur si jetime gjasën se blofi është i përbashkët dhe Izet Haxhia luan një rol në skenarin e tjetërkujt. Ai nuk ka ndërmend të kthehet, por të tilla i trazon urët e atij zjarri.

Sa më sipër, është hiçmosgjë, sa kohë pasqyron asgjë më shumë se ndjesitë personale të disa personazheve publikë. Një fakt tjetër që dëmton interesin publik është perceptimi që do të krijohet  për Reformën në Drejtësi nëse beteja e saj luftohet me kalin e Izet Haxhisë. Që tani po kristalizohet një paragjykim për reformën, nisur nga akuzat dhe arrestimet e para, që kanë çuar pas hekurave dy ish-drejtorë Rrugësh pjesë e nomenklaturës së dy partive opozitare, PD dhe LSI. Të të njëjtave ngjyrave kanë qenë edhe ministrat e thirrur për dëshmi në Prokurori.

Nëse drejtësia e re perceptohet si levë e pushtetit për të kontrolluar dhe dënuar kundërshtarët politikë, dhe jo si mekanizëm i drejtësisë dhe opinionit publik për të mbajtur në fre pushtetin dhe abuzimet e tij, fëmija ka lindur i vdekur.

Nëse perceptimi dhe fakti është se ka patur disbalancë, nuk është e njëjta gjë nga ana tjetër që e themelon drejtësinë e re, por balanca.

We have yet to see of this fair lady.

Të fundit