Flash News

KRYESORE

Boja e kuqe

Boja e kuqe

Red Varaku

Ardhja e Ramës në pushtet e kapi “gafil” shoqërinë shqiptare duke i shkaktuar shoqërisë një krizë të thellë, e cila më së pari është një krizë mendimi. Ajo përfaqëson një etapë të re në politikën tonë pas pluralizmit, sepse për herë të parë kemi një lider tejet të dhunshëm ndaj çdo institucioni apo individi që konteston apo ofron një vizion ndryshe nga vizioni i tij, përfshi këtu artin, median dhe çdo agjent tjetër kritik shoqëror.

Tashmë, ai është në fazë të rënduar sepse po shfaq haptazi dhe pa dert përbuzjen dhe madje agresivitetin e tij ndaj çdokujt, që guxon që ta bëjë atë përgjegjës për situatën e rëndë ekonomike dhe politike ku ndodhet sot Shqipëria, a thua se ky erdhi dje në pushtet dhe kësisoj nuk ka asnjë përgjegjësi, dhe këtë e bën duke u ngërdheshur çdo ditë në funeral-takimet me administratën e tij të mbaruar.

Të gjithë janë dëshmitarë të kësaj simfonie kërbaçi dhe terrori. Të gjithë e shohin dorëzimin e shoqërisë. Të gjithë e ndjejnë pafuqinë e saj përballë dinosaurëve të krimit dhe kamzhikut të pushtetit . Askush nuk mund ta frenojë rrënimin e mëtejshëm të agjentëve jetikë shoqërorë, të cilët prodhojnë një kritikë ndaj elitës qeverisëse dhe sjellin ndryshim në trajektoren e ndërgjegjes kolektive.

Politika e tij nuk është gjë tjetër veçse një miksim i politikës së frikës, iluzionit dhe një ekonomie të mërzitshme. Kjo është pasojë e faktit, që edhe ai vetë është produkt i medias ,e cila ka kohë që ka hequr dorë nga gazetaria dhe është bërë pjesë e industrisë së argëtimit. Ai është një produkt i marrëveshjeve të errëta të botës së nëndheshme të krimit në Tiranë dhe mbarë Shqipërinë.

Në këtë kohë frike dhe pasigurish psikologjike dhe financiare, impotenca kolektive indukton një ndjesi vetmie dhe izolimi, një lloj kontraktimi mendor. Qëllimisht, ka krijuar një kolektivitet sado-mazokist i cili ushqehet me poshtërimin, hakmarrjen, ndëshkimin dhe përbuzjen e kundërshtarit. Rama është përgjegjës pikërisht për shkatërrimin edhe të vetë fuqisë për ndryshim. Ai është kthyer në një simbol të urrejtjes ndaj kapitalizmit dhe iniciativës së lirë. Prej tij buron një mllef i sëmurë dhe i lig, i cili ka vite që gatuhet në magjen e errët të sofrës së vjetër të "Bllokut”, një lloj rekonkuiste qesharake, e cila duhet ndaluar menjëherë, para se të jetë shumë vonë.

Gjendja psikologjike e Ramës është rënduar shumë gjatë muajve të fundit. Ai nuk e ka më qetësinë dhe e ka humbur sensin e humorit pas daljes në publik të skandalit Tahiri! Ai ka arritur në një fazë të rrezikshme, të një njeriu i cili e ka humbur kontrollin e gjërave dhe kjo gjë e ka bërë shumë nervoz, sepse një natyrë me prirje autoritariste e vuan deri në ankth, daljen e gjërave jashtë kontrollit të tij. Kjo klimë e mërzitshme e një pesimizmi të sëmurë, që buron nga vetë Rama, ka degraduar në një dhunë dhe përbuzje të hapur shtetërore e cila është derdhur pa kursim, në formë injorance dhe ligësie, deri në skutat më të largëta të mjerimit.

Injoranca, argumenton artisti Sable Elyse Smith, nuk është as mungesa e dijes (padituria) dhe as refuzimi për të mësuar. Injoranca është thjesht dhunë. Ajo injektohet nëpër damarët e mjerimit nga fuqia e “makinerive të anti-kujtesës dhe përçmimit”. Qëllimi kryesor i kësaj makinerie është që jo vetëm të na bëjë të konsumojmë dhimbje, por edhe ta propagandojmë atë si një formë argëtimi. Injoranca është edhe armiku më i madh i kujtesës. Ajo në duart e Ramës është një armë e cila synon të rrënojë në mënyrë të organizuar kujtesën kolektive, atë që lidhet kryesisht me kultin e individit. Sepse, në fakt, sot beteja më e rëndësishme për ne si shoqëri është beteja për kujtesën, beteja me injorancën që na ka kapluar e cila po dërrmon në mënyrë të parikuperueshme aftësinë tonë për t'u ringritur.

Së fundi, një tregim i kohës së komunizmit në Bashkimin Sovjetik, por që shpjegon mjaft bukur edhe atmosferën e komunizmit në Shqipëri, si dhe argumenton dëmet që sjell përzierja e injorancës dhe konformimit me dhunën e organizuar shtetërore. Dëmi është aq i madh saqë shoqëria shkon deri në pikën që nuk ka më mjete dhe fuqi për të kontestuar gënjeshtrën dhe iluzionin, që imponohet dhunshëm dhe në mënyrë sistematike nga vetë shteti.

Nëse një shoqëri arrin deri në këtë pikë, pra të jetë e paaftë për t’iu kundërvënë dhunës shtetëtore qoftë edhe vetëm si reagim dhe revoltë e brendshme personale, atëherë ajo shoqëri po shkon drejt vetë-shkatërrimit.

Kjo barsoletë është ndër më emblematiket në lidhje me dëmin më të madh që shkaktoi komunizmi, aftësinë për të menduar. Partia Komuniste e Bashkimit Sovjetik dërgoi një djalë nga Siberia në Gjermaninë Lindore për të punuar. Djali e dinte që letrat që do të dërgonte, do të lexoheshin të gjitha nga Sigurimi sovjetik (KGB), kështu që i tha shokëve të tij: ”Duhet të vendosim një kod komunikimi për t'u marrë vesh. Nëse letra që do ju dërgoj do të jetë shkruar me stilolaps blu, atëherë ato që kam shkruar janë të vërteta, por nëse letra do të jetë e shkruar me stilolaps të kuq, atëherë ato që kam shkruar janë të krejtësisht të pavërteta”.

Pas një muaji vjen dhe letra e parë, të cilën shokët mezi po e prisnin. Ishte e shkruar në blu: ”Çdo gjë është e mrekullueshme këtu. Dyqanet janë plot me ushqime, kinematë shfaqin filma perëndimorë, apartamentet janë të gjera dhe luksoze. E vetmja gjë që mungon është boja e kuqe”.

Të fundit