Borë dhe ngrica, ARRSH tregon akset që përshkohen vetëm me zinxhirë

Edhe pse reshjet e borës janë ndërprerë në të gjithë vendin, sërish temperaturat e ulëta të shoqëruara me ngrica kanë krijuar probleme në disa akse rrugore.

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka sqaruar se akset kryesore nuk kanë aktualisht probleme me qarkullimin e mjeteve, por disa të tjera rekomandon të mos përshkohen pa praninë e zinxhirëve.

Njoftimi i plotë:

Në të gjitha akset kryesore të vendit nuk ka pasur probleme me qarkullimin e mjeteve, pavarësisht reshjeve të borës dhe temperaturave shumë të ulëta.
Kontraktorët e mirëmbajtjes kanë punuar gjatë gjithë natës duke pastruar dhe trajtuar me kripë rrugët, kujdes i veçantë është treguar në zonat me prezencë akulli.

Rekomandohet të kalohen me zinxhir rrugët: Qafë Qarri-Ersekë; Kot-Sevaster; Erind-Çajup; Ura e Cerenecit-Sterblevë-Lunik; pjesërisht Boboshticë-Dardhë.

Rekomandohen përdoruesit e rrugës të tregojnë kujdes dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore. Të vendosin zinxhir në akset që përmendëm më sipër, të respektojnë udhëzimet e Policisë së Qarkullimit Rrugor, të lëvizin me shpejtësi të reduktuar dhe të përdorin gomat e dimrit.