Bota sipas Makronit

Ana Otasheviç / Demostat

Franca kurrë nuk ka qenë e interesuar për Ballkanin Perëndimor. Presidenti i saj, Emanuel Makron, paralajmëroi angazhim më të madh në këtë pjesë të Europës, gjë që shkon paralelisht me refuzimin e tij për zgjerimin e mëtejshëm të Bashkimit Europian. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria ishin dy viktimat e para. Deklarata për Bosnjë e Hercegovinën si „bombë me sahat“ për shkak të radikalizmit islam dhe kthimit të xhihadistëve nga Siria, ka shkaktuar reaksione të stuhishme në Sarajevë. Vizita në Serbi dhe takimet me presidentin Aleksandër Vuçic dhe Hashim Thaçin, treguan se dëshiron të përfshihet në mënyrë aktive në zgjidhjen e „konfliktit të ngrirë“ mes Beogradit dhe Prishtinës, por edhe të nxisë bashkëpunimin politik, ekonomik dhe kulturor me Serbinë.

Që të kuptohet politika e Makronit ndaj Ballkanit është e nevojshme të kuptohet shikimi i tij mbi botën e sotme. Ai është rezultat i një analize gjeopolitike dhe strategjike në arenën politike globale. Është fjala për një kthesë thelbësore në politikën e jashtme të Francës e cila paralajmëron një erë të re në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Vdekja e NATO-s, rishikimi i raporteve me Rusinë dhe Kinën, vizioni sovranist i Europës, këto janë ambicjet e presidentit francez që të afirmojë qytetërimin europian në një botë ku dominon lufta mes dy gjigantëve ekonomikë- SHBA-ve dhe Kinës.

Ndryshimi vjen nga gjuha që përdor Makroni. Presidenti francez hedh poshtë gjuhën e mjegullt e teknologjike të institucioneve europiane. Deklaratat e tij janë të qarta dhe pa dy kuptime, në ndryshim nga mesazhet diplomatike të përfaqësuesve europianë me të cilat tashmë jemi mësuar. Mjaft me hipokrizi, porosit Makroni, Europa është buzë humnerës.

„E dimë se qytetërimet zhduken, shtete të tëra gjithashtu. Europa do të zhduket (…) dhe bota do të formohet nga dy pole të mëdhenj: SHBA dhe Kina, dhe ne do të duhet të zgjedhim mes tyre se cili do të na dominojë“, tha Makroni në fjalimin tradicional drejtuar ambasadorëve në fund të muajit gusht në Paris, duke u transmetuar drejtimet e politikës së tij të jashtme.

Përgjigja është, sipas asaj që beson Makroni, në afirmimin e „qytetërimit europian“ dhe sovranitetit të tij. Kjo do të thotë vdekje e „Perëndimit“ si koncept qytetërues i cili hyri në përdorim të gjerë në fund të viteve ’80-të të shekullit të kaluar, në kohën e shkatërrimit të Bashkimit Sovjetik, dhe rishikimit të raporteve me aleatin kryesor europian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Presidenti francez dëshiron të vendosë themelet politike të BE-së. Gjendjen në Union e krahason me gjendjen iluzive që e shpuri Europën në dy luftëra botërore. Analiza është serioze, alarmuese. Dalja shihet në ndryshimin e arkitekturës europiane, përkundër unilateralizmit, në sovranizmin përkundër multikulturalizmit,  dhe real-politikës përkundër universalizmit perëndimor.

Franca dhe SHBA

Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një kohë të gjatë kanë qenë udhëheqësi shpirtëror (edhe material) i Perëndimit. Uashingtoni përcaktonte vlerat e qytetërimit perëndimor. Hegjemonia Perëndimore, tha Makroni duke paraqitur vizionin e tij para ambasadorëve, po zgjat që nga shekulli i 18-të, fillimisht ishte Franca, në kohën e Rilindjes, pastaj Britania e Madhe në shekullin e 19-të në sajë të revolucionit industrial dhe në fund hegjemonia amerikane në shekullin e 20-të, si pasojë e dy luftërave botërore dhe dominimit ekonomik dhe politik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Me Donald Trampin Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë hequr dorë nga roli i liderit botëror dhe i janë përkushtuar tërësisht interesave të tyre. Franca këtë e përjetoi si tradhëti. „Brutaliteti“, „demonstrimi i forcës“, „politika imperialiste“, këto nuk janë vlerësime që vijnë nga Kremlini për politikën e jashtme amerikane, por nga qarqe franceze diplomatike. „Uashingtoni nuk bën më një politikë të jashtme që është e kordinuar, por qëllimisht imperialiste“, konstatoi në një mbledhje të vitit të kaluar ambasadori francez shumëvjeçar në OKB, Alen Dezhamé, ish ambasadori francez dhe kryetar i këshillit shkencor Res Publika, që udhëhiqet nga Pjer Shevenman, ministri i dikurshëm i mbrojtjes dhe këshillitar i Makronit për Rusinë.

„Për herë të parë përballemi me një president amerikan që nuk ndan me ne projektin tonë europian, politika amerikane dallohet nga ky projekt“, deklaroi Makroni në intervistën dhënë së përjavshmes britanike The Economist në fillim të këtij muaji. „Shtrohet pyetja nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë edhe më tej aleatët tanë“, tha ish kryeministri Zhan Pjer Rafaren dhe ekspert për Kinën në një fjalim në radion Frans Enter në fillim të kësaj jave.

Tek kjo ndarje e interesave amerikane dhe franceze nuk erdhi puna në kohën e Trampit, por më përpara, me Barak Obamën, i cili e kaloi qendrën e gravitetit të politikës së jashtme amerikane nga Lindja e Afërme në Pacifik. Kur flet për „gabimet e Perëndimit në disa kriza dhe zgjedhje që kanë bërë vite më përpara amerikanët, dhe të cilat nuk kanë filluar me këtë administratë“, Makroni mendon për Lindjen e Afërme, për luftën e Bushit në Irak në të cilën Franca refuzoi të marrë pjesë, për vendimin e Obamës për të mos mbështetur Francën në bombardimin e Sirisë dhe për vendimin e Trampit për të tërhequr trupat amerikane nga Veriu i Sirisë, gjë e cila i hapi dyert ndërhyrjes ushtarake turke kundër kurdëve, aleatëve perëndimorë në terren.

Tradicionalisht Franca ka interesa në Lindjen e Afërt, ku para njëqind vitesh, sëbashku me fuqitë e tjera koloniale ka skicuar kufijtë (marrëveshja Sajks-Piko e vitit 1916 kur një pjesë e madhe e Lindjes së Afërme u nda në zona franceze dhe britanike të ndikimi dhe ndarja e Sirisë në vitin 1920, kur administrata ushtarake franceze krijoi Libanin që të mbyste revoltën arabe).

„Kur në bisedimet me ne, Presidenti Tramp thotë: ’Ky është oborri yt, nuk është imi’, kur deklaron: ’Terroristët, xhihadistët që janë atje janë europianë, nuk janë amerikanë’, kur thotë: ’Ky është problemi i tyre nuk është imi’- duhet të dëgjojmë mirë se çfarë thotë“, tha Makroni në intervistën për Ekonomist-in.

Interesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk ndahen vetëm në planin ushtarak, por edhe në atë ekonomik. Uashingtoni ishte deri vonë për Perëndimin garant i tregtisë botërore në kohën e globalizimit. Me politikën proteksioniste të Trampit, me devizën „Amerika në vend të parë“, nuk është më kështu. „U përpoqëm t’i bindim amerikanët se zgjidhja e problemit të tregtisë ndërkombëtare nuk qëndron në inicimin e luftërave tregtare. Por kjo nuk funksionon nëse nuk arrijmë të reformojmë Organizatën Botërore të Tregtisë“, tha Makroni në fjalën para ambasadorëve në fundin e muajit gusht të këtij viti.

Në luftën mes dy gjigandëve ekonomikë dhe teknologjikë, Kinës dhe SHBA-ve, Europa nuk është më e mbrojtur. Dogma e tregtisë së lirë në rrethanat e ndryshuara gjeopolitike mund të kthehet kundër saj. „Europën e ka vënë në lëvizje logjika e cila para së gjithash ka qenë ekonomike, besimi se ekonomia e tregut u shkon për shtat të gjithëve. Por kjo nuk është e saktë, ose nuk është më e saktë“, thotë presidenti francez.

Globalizimi është bërë kërcënim për sovranitetin e vendeve në politikë, ekonomi, teknoligji dhe kulturë. Për këtë Makroni i kthehet traditës themelet e së cilës i ka vënë gjenerali francez dhe udhëheqësi Sharl de Gol, traditave të pavarësisë ushtarake, politike, ekonomike dhe kulturore nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mbrojtjes së interesave kombëtare nga hegjemonia amerikane.

Pasiqë në skenën politike franceze për një kohë të gjatë kanë dominuar proatlantistët dhe intervencionistët, ndër të cilët më të njohurit për ne janë Bernar Kushner dhe Bernar Anri Levi, që mbështetën luftërat në emër të univesalizimit të ideve perëndimore, në skenë tani kanë dalë sovranistët dhe degolistët, nga anë të ndryshme të spektrit politik, si puna e Shevenmanit dhe Rafarenit.

Franca dhe Bashkimi Europian

Kriza ekonomike e vitit 2008, kriza e refugjatëve e vitit 2015, Breksit-i, ndarjet e brendshme, ndarja me SHBA-të, të gjitha këto e kanë shpënë Bashkimin Europian në margjinalizim gjeopolitik.

Makroni propozon një strategji e cila do ta bashkojë atë si fuqi politike, ushtarake dhe kulturore, dhe jo vetëm tregtare. Ai dëshiron një union i cili e ka marrë fuqinë nga vizioni i përbashkët i cili bazohet në vlera të përbashkëta, në „qytetërimin europian“. „Projekti i qytetërimit europian nuk mund të mbartet as nga Hungaria katolike, as nga Rusia ortodokse, megjithëse vizionet e tyre kanë vitalitet kulturor dhe qytetërues“, thotë Makroni.

Në planin politik dëshiron një Europë sovrane, të çliruar nga ndikimet e jashtme. „Sovraniteti europian nuk është fjalë e zbrazët. Gabim është që i’a kemi lënë këtë për një kohë të gjatë në dorë nacionalistëve. Kjo është fjalë e bukur; ajo thotë se, në fund të fundit, populli vendos“ u tha ai ambasadorëve të tij.

Në mënyrë që të arrihet uniteti brenda Bashkimit Europian, nevojitet një organizatë tjetër. Për këtë Makroni flet që në vitin 2017 në Sorbonë, duke argumentuar idenë mbi shumë unaza të Bashkimit Europian me shkallë të ndryshme integrimi. Kjo ide është pritur ftohtë në qarqet europiane, në mënyrë të veçantë në pjesën lindore të Unionit, por synimi për një arkitekturë tjetër të Bashkimit Europian është forcuar pas Breksit-it dhe daljes së Britanisë së Madhe nga Unioni.

Në kërkim të ideve për një konstruksion të ri europian, Makroni i porositi diplomatët e tij që të „forcojnë dialogun me vendet Baltike, me shtete në Lindje, me grupin e Vishegradit“. Aktivitetin e tij të politikës së jashtme e ka orientuar në takimet dypalëshe, shpesh me vende që Parisi më përpara i pati anashkaluar, me idenë që të fitojë aleatë të rinj dhe të zgjerojë hapësirën e manovrimit për diplomacinë franceze. „Kam qenë në vende në të cilat presidentët (francezë) nuk kanë qenë në 15 apo 20 vitet e fundit“, u tha Makroni ambasadorëve francezë. Presidenti francez për dy vite ka zhvilluar njëzet takime dypalëshe brenda Bashkimit Europian. Duke vërejtur se „Gjermania ka qenë shumë efikase në këto 15 vite“, konstaton se „Franca ka humbur shumë në planin politik, kulturor dhe arsimor“.

Rolin e Francës ai e sheh si rolin e një vendi që vendos ekuilibrin. Si armë kryesore nxjerr kartën e diplomacisë, bisedimeve, marrëveshjeve, ndërmjetësimeve. Në radhët e para duhet të jenë njerëz më ide, beson Makroni, e vetëm pas kësaj teknokratët dhe ekspertët për çështjet teknike në lidhje me Unionin.

Është dakord edhe për sovranitet në planin ekonomik. „Ne jemi tregu më i hapur dhe më naiv“, u tha ambasadorëve. Në mënyrë mjaft të hollë nënvizon edhe çështjen e sovranitetit brenda Bashkimit Europian kur vjen në shqyrtim politika ekonomike nga e cila fitimin më të madh e ka patur Gjermania, ndërsa disa vende të tjera, si puna e Greqisë janë shpënë në buzë të dështimit. Franca është dakord për rregulla tjera të garës ekonomike brenda Bashkimit Europian.

Makroni paralajmëron se ekonomia e tregut është deformuar këto dhjetëvjeçarët e fundit. Dogma e tregut të lirë, i cili vetërregullohet, u shndërrua në diktat të kapitalizmit financiar gjë që çoi në rritje të stërmadhe të pabarazisë. Presidenti francez pikërisht këtu i sheh rrënjët e tërmetit shoqëror që tronditi Francën me lëvizjen e „jelekëve të verdhë“, por edhe në vendet e tjera të Bashkimit Europian.

Makroni është për sovranitet të vërtetë ekonomik dhe financiar të euro-s. „Nuk them se duhet të luftojmë kundër dollarit“, thekson ai, por sovraniteti i euro-s do të thotë „integrim të fuqishëm të eurozonës, afrim më të madh të tregjeve të euro-s dhe aktorëve të tij“. Ky është edhe një prej aspekteve të idesë së tij të „unazave“ me integrim të ndryshëm brenda Bashkimit Europian.

Ideja e sovranitetit të Bashkimit Europian, sipas Makronit, ka të bëjë edhe me sovranitetin e kufijve të tij. „Është e nevojshme që të mbrojmë më mirë kufijtë tanë“, mendon presidenti francez. Franca është një prej vendeve që ka reaguar ndaj dallgës së refugjatëve dhe migrantëve nga Lindja e Afërme dhe e Afrikës me rritjen e procedurave të sigurisë dhe pengesave ligjore për pranimin e migrantëve nga frika se ata mund të përbëjnë një rrezik për sigurinë.

Franca dhe NATO

„NATO është klinikisht e vdekur“, jehoi diagnoza e Makronit në intervistën për Ekonomist-in. Kjo është vdekje. Me këtë konstatim është dakord pjesa më e madhe e elitës politike franceze, por edhe një numër i shefave të shteteve europiane, megjithëse nuk e bëjnë publik këtë mendim. Roli i NATO-s ka kohë që është vënë në pikëpyetje, megjithëse shumë nuk e kishin të qartë se cili ishte kuptimi i aleancës ushtarake që ka shërbyer si mbrojtje nga kërcënimi sovjetik pas shpërbërjes së Traktatit të Varshavës. Për këtë flet edhe presidenti francez. „NATO-ja është formuar si përgjigje ndaj armikut: pakti i Varshavës; në vitet 1990 nuk e kemi reformuar aspak këtë projekt gjeopolitik kur armiku u zhduk. Kjo nënkuptonte se Rusia është akoma armik“, tha ai në intervistën dhënë gazetës britanike.

Stërvitjet treguese, siç është sulmi ndaj Jugosllavisë dhe aksione të tjera ushtarake në botë të cilët i ka inicuar NATO-ja pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, e kanë prishur akoma më shumë ekuilibrin në skenën politike botërore dhe kanë krijuar përshtypjen për botën njëpolare në të cilën SHBA-të dhe aleatët e saj, nëpërmjet NATO-s, demonstrojnë mbifuqinë ekonomike dhe politike, duke shkelur marrëveshjet ndërkombëtare dhe duke injoruar institucionet ndërkombëtare.

Në Francë, një interpretim i tillë, është zhvilluar në periferi të jetës politike, përderisa NATO-ja mbronte interesat e saj. Situata tani ka ndryshuar. Makroni mendon se këmbëngulja që Perëndimi të imponojë vlerat e tij nëpërmjet ndryshimit të regjimeve ka qenë e gabuar dhe ka sjellë rezultate dramatike. „Kjo ka ndodhur në Irak dhe në Libi, në një moment i tillë ishte edhe synimi në Siri, por dështoi. Kjo është pjesë e veprimtarisë së Perëndimit; do të thoja në terma të përgjithshme se ky ishte gabimi i fillimit të shekullit, pa dyshim i kobshëm, që vinte nga bashkimi i dy gjërave: ’e drejta për ndërhyrje’ dhe ’neo-konservatorizmi’“, u tha Makroni gazetarëve të Ekonomist-it.

Makroni hedh në qarkullimn këtë koncept që është përfaqësuar nga një pjesë e elitës politike franceze dhe afirmon idenë e sovranitetit të popujve. „Sovraniteti i popujve për mendimin tim është i paprekshëm. Kjo është ajo që na ka bërë ata që jemi sot dhe kjo duhet respektuar gjithandej“, tha ai duke iu drejtuar diplomatëve francezë.

Në mënyrë që të rivendoset ekuilibri i fuqive dhe të zvoglohet ndikimi i aleancave ushtarake, që është bërë instrument në duart e hegjemonizmit Perëndimor, është e nevojshme mbrojtja europiane.

Bashkimi Europian, mendon Makroni, duhet të luftojë për pavarësi ushtarake. „Që prej 50 vitesh nuk kemi përparuar aspak në mbrojtjen europiane. Madje kjo është bërë e ndaluar“, u tha ai ambasadorëve. „Europa në fakt duket si ’partner i ri’ amerikan. Kjo ka qenë prapavija e planit Marshall dhe kjo shkoi paralelisht me mëshirën e e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që ishin garanti fundor i sistemit të ekuilibrit, i bazuar në ruajtjen e paqes botërore dhe dominimin e vlerave Perëndimore. Çmimi për këtë ishte NATO-ja dhe mbështetja dhënë  Bashkimit Europian. Por pozita e tyre ka ndryshuar në pesëdhjetë vitet e fundit“, shpjegon ai më tej në intervistën dhënë Ekonomist-it.

Europa ka lejuar, thotë Makroni, që çështja e armatimit të jetë e krahasueshme me marrëveshjet e kohëve që para fundit të Luftës së Ftohtë mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, siç është marrëveshja për raketat bërthamore të largësihedhjes së mesme, të cilën në vitin 1987, e nënëshkruan presidentët Mihail Gorbaçov dhe Ronald Regan. Uashingtoni u tërhoq nga kjo marrëveshje në fillim të këtij viti, dhe pastaj për reciprocitet këtë e bëri edhe Moska. Kjo gjë, Bashkimin Europian e „detyron të bisedojë sepse raketat kthehen në territorin tonë“, paralajmëron presidenti francez. „Duhet të mendojmë sëbashku për përdorimin e armëve, bërthamore, biologjike dhe kimike“, porosit Makroni.

Ideja e tij për forcimin e mbrojtjes europiane fillimisht është pritur me rezervë, por sulmet e Trampit ndaj aleatëve në NATO, këmbëngulja për të paguar më shumë dhe deklarata se ushtarët amerikanë nuk duhet të vriten për interesat e vendeve të tjera, ka bërë që ajo të fitojë më shumë pasues. Gotën e derdhi operacioni ushtarak i Turqisë, antare e NATO-s, kundër kurdëve që francezët i mbështetën në mënyrë të veçantë.

Megjithëse disa shtetarë europianë u shpejtuan ta vlerësojnë deklaratën e Makronit mbi vdekjen klinike të NATO-s si tejet të fortë, si puna e kancelares gjermane Anxhela Merkel e cila me këtë rast mbajti edhe një konferencë për shtyp së bashku me sekretarin e NATO-s Jens Stoltenbergun, shumë prej tyre janë dakord me këtë deklaratë.

Mbi deklaratën e Makronit se NATO-ja është klinikisht e vdekur po bisedohet intensivisht edhe brenda Bashkimit Europian. Shefi i diplomacisë gjermane Hajko Mas, sipas informacioneve të Shpigell-it, ka propozuar që të organizohet diskutim mbi të ardhmen e NATO-s në prag të Samitit me rastin e shtatëdhjetë vjetorit të aleancës ushtarake që duhet të mbahet në Londër në fillim të muajit dhjetor.

Iniciativës së Makronit për mbrojtje më të fortë europiane i janë bashkuar edhe vende si puna e Finlandës dhe Estonisë „të cilat deri tani kanë qenë thellësisht mosbesues ndaj aleancës së NATO-s, në rastin e parë, ose nuk kanë besim te Rusia, në rastin e dytë, me qëndrimin ’i dorëzohemi plotësisht aleancës së NATO-s’“, u tha Makroni gazetarëve të Ekonomist-it.

Franca dhe Rusia

Ndryshimi i politikës së jashtme franceze nënkupton edhe rishikim të raporteve me Rusinë.

„E di se shumë prej jush, gjatë karrierës së tyre, janë marrë me lëndë që ju kanë bërë të jeni mosbesues ndaj Rusisë, nganjëherë edhe me arsye“, u tha Makroni ambasadorëve francezë. „Kemi aleatë, por kjo nuk do të thotë se armiqtë e miqve tanë janë edhe armiqtë tanë“, shtoi ai duke paralajmëruar afrim me Rusinë.

„Duhet të kemi strategjinë tonë“, këmbënguli presidenti francez para diplomatëve të tij. „Europa për një kohë të gjatë nuk ka patur një strategji të sajën dhe ka lënë përshtypjen e Kalit të Trojës, qëllimi përfundimtar i të cilit ka qenë të asgjësojë Rusinë, gjë për të cilën Rusia ka krijuar përfytyrimin për asgjësimin e Perëndimit dhe dobësimin e Bashkimit Europian. Kjo është situata në të cilën gjendemi“, konstaton ai.

Politika e deritanishme e ka shtyrë Rusinë „në izolim që shpie në rritjen e tensioneve“ dhe e ka detyruar atë t’i kthehet fuqive të tjera, si puna e Kinës, „gjë që nuk është në interesin tonë“. Presidenti francez ishte i qartë: „Duhet të ndërtojmë baza të reja besimi dhe sigurie në Europë. Kontinenti europian kurrë nuk ka për të qenë i qëndrueshëm, kurrë i sigurt, nëse nuk pacifikohemi dhe nuk i sqarojmë raportet tona me Rusinë“.

Makroni nuk pret që kjo rrugë të jetë pa vështirësi: „Kjo nuk është në interesin e disa aleatëve tanë, që të jemi të qartë. Disa, përkundrazi, neve na bëjnë presion që të vendosim sanksione të reja, gjë që është në interesin e tyre“.

Në analizën e tij të marrdhënieve me Rusinë mbizotëron ideja degoliane mbi unitetin e kontinentit, nga Europa në Atlantik deri në Urale. „Ne jemi në Europë si edhe Rusia. Nëse nuk dimë të bëjmë diçka të dobishme me Rusinë, do të mbeten tensionet që janë thellësisht sterile, do të vazhdojmë të kemi konflikte të ngrira kudo në Europë, në Europën që është vatër e luftës mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë dhe pasojat e Luftës së Ftohtë në truallin tonë“, porosit Makroni i cili, për afrimin me Moskën, ka folur pas takimit me Vladimir Putinin në Jug të Francës në muajin gusht të këtij viti.

Vatra e luftës strategjike mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë është qartë më e dukshme në vendet e ish bllokut sovjetik, në të cilët ekziston një mosbesim i rrënjosur thellë ndaj Rusisë, si edhe në Ballkan, i cili ka qenë përherë në kryqëzim të ndikimit Perëndimor dhe Lindor.

Pasojat e Luftës së Ftohtë në truallin europian, të cilat ndjehen fuqishëm në të gjitha krizat europiane, si puna e asaj të Ukrainës dhe në Ballkan, ndikojnë në konfliktet e ngrira.

Makroni mendon se një rol më aktiv i europianëve do të duhet ta ndryshonte këtë situatë. Për këtë propozon iniciativa të reja për zgjidhjen e krizës në Ukrainë dhe ndërmjetësim në rastin e Kosovës. „Duhet t’i ndërpresim këto konfliktet e ngrira në kontinentin europian“, porosit ai.

Franca dhe Ballkani

Makroni u ka kërkuar diplomatëve të tij që t’i kthehen Ballkanit Perëndimor. „Në muajin qershor kam qenë në Serbi, disa prej jush ishin me mua. Më duket se vizita e fundit presidenciale në këtë vend ka qenë në vitin 2001. E pabesueshme! Edhe në rastet kur, vetëm me shikim investojmë në planin kulturor, në planin publik, kjo është shumë më pak në vende që kanë rëndësi strategjike shumë më të vogël, megjithëse pritmëritë janë të mëdha“, i paraqiti ai përshtypjet e tij nga vizita në Serbi.

Ballkani për një kohë të gjatë ka qenë „këndi i vdekur i diplomacisë franceze“, sikurse tha në muajin mars Natali Loazó, ministrja e atëhershme për çështjet europiane në intervistën për gazetën  „Kroa“. Ajo shpjegoi atëherë se Franca synon të përfshihet më shumë në këtë rajon megjithëse është kundër zgjerimit të mëtejshëm të Bashkimit Europian. Dy muaj më vonë, kur nuk ishte më ministre, ajo deklaroi në një intervistë për radion RTL se ajo personalisht i ka bllokuar shanset për zgjerimin e bashkimit Europian në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri. „Personalisht kam bllokuar zgjerimin në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut kur kam pas qenë ministre. (…) Thamë ’jo’, unë vetë shkova në Maqedoinë e Veriut t’u them- përgjigja është ’jo’, sepse ju nuk jeni gati, sepse ne nuk jemi gati“, deklaroi ajo duke iu përgjigjur akuzave të kundërshtarëve  politikë se është dakord për zgjerimin, gjë e cila është pothuajse tabù në Francë. Këtë e tregoi edhe debati i kandidatëve francezë në zgjedhjet europiane, në të cilat dymbëdhjetë kandidatë janë deklaruar kundër antarsimit të Serbisë në BE, vetëm një abstenoi, ndërsa dy ishin pro.

Zgjerimi me dhjetë antarë të rinj në vitin 2003, ishte shok për francezët dhe antarët e „vjetër“ të Bashkimit Europian, ndërsa hyrja e Bullgarisë dhe Rumanisë katër vite më vonë e derdhi gotën. Francezët as që duan të dëgjojnë për ndonjë zgjerim të ri.

„Për zgjerimin vendoset me unanimitet“, vazhdoi Loazó në intervistën për radion franceze. „Vitin e kaluar për tetë orë rresht kam shpjeguar se jam kundër hapjes së bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe për këtë kam patur mbështetjen e plotë të Emanuel Makronit. A mos mendoni se unë, një vit më vonë, kam ndryshuar mendim? Natyrisht që jo. Ne jemi kundër dhe do të vazhdojmë të jemi kundër. Këto dy vende janë gjeografikisht në Europë, duhet t’i ndihmojmë, duhet të vendosim raporte të afërta partneriteti, përndryshe demonët që kanë shaktuar luftërat ballkanike do të zgjohen përsëri, por zgjerimi- kjo jo“- shpjegoi qartë ajo.

Për këtë vendimi i Bashkimit Europian në muajin tetor për të mos miratuar hapjen e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë nuk është  befasi, megjithëse është paraqitur në mënyrë të tillë. Makroni në intervistën për Ekonomist-in tha se, përsa i përket Shqipërisë, „gjysma“ e vendeve të BE-së janë dakord me të, por fshihen pas Francës.

„Nuk mendoj, por e di se kështu është. Pyetni ata nesër nëse duan t’ia hapin dyert Shqipërisë. Gjysma e tyre do të thonë jo. Dëshirojnë t’ia hapin Maqedonisë së Veriut, ajo është e vogël, ka ndryshuar emrin dhe kjo është një lëvizje historike. Askënd nuk frikëson. Është realitet se nëse, nuk hapemi drejt Shqipërisë, do të kontribuojmë në një traumë të madhe në rajon. Bashkësi që flasin shqip ka gjithandej. Nëse poshtëroni Shqipërinë, do ta destabilizoni rajonin në mënyrë afatgjatë“, iu përgjigj pyetjes së Ekonomist-it se përse mendon se disa vende fshihen pas Francës kur vjen puna për hapjen e bisedimeve me Shqipërinë.

Makroni lë të hapur mundësinë që bisedimet të fillojnë „në muajt në vazhdim“ nëse Europa reformohet dhe nëse këto vende „bëjnë disa përpjekje të tjera“, por nuk dëshiron antarë të rinj në Bashkimin Europian derisa ky të reformohet. „Ky është parakusht“, përsëriti ai në intervistën për Ekonomist-in.

Zgjerimi pa reforma të Bashkimit Europian dhe të rregullave të antarsimit është „absurd“ dhe e pengon Europën të veprojë si bllok me një shkallë të madhe ndërlidhshmërie, shpjegoi ai, duke hedhur poshte kritikat se ndalimi i zgjerimit të mëtejshëm është gabim strategjik që do ta hedhë Serbinë në krahët e Rusisë dhe Kinës.

Propozimi i Makronit për të ndryshuar kushtet e antarsimit në Bashkimin Europian ka futur dyshime shtesë në opinionin publik. „Kam mendimin se neve na duhet reforma e procedurave për antarsim (në Bashkimin Europian), ato ekzistueset nuk i përgjigjen më qëllimit“, tha ia në intervistën për Ekonomist-in. Procedurat e deritanishme për zgjerimin „nuk janë strategjike, as politike, janë tejet burokratike dhe nuk jane reversibile (kthimi i procesit prapa) megjithëse, në një moment, duhet shtruar çështja e reversibilitetit“, u shpjegoi ai gazetarëve britanikë thelbin e propozimit. Detajet e propozimit dy javë më vonë e gjendën në dokumentin që Franca ka dhënë për shqyrtim te partnerët europianë, rreth interpretimit të të cilit mundohet opinioni publik në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ideja e propozimit të Makronit është që të ndryshojë procesi burokratik dhe jo efikas i integrimeve europiane, që të mendohet më shumë politikisht, dhe më pak teknikisht, si dhe të zvoglojë efektin e termetit në vendet e Ballkanit Perëndimor për shkak të frenimit të procesit të zgjerimit, sepse u mundëson akses në fondet europiane edhe para se të hyjnë në Bashkimin Europian në fushat ku ata i kanë përmbushur kushtet e vendosura. Ky proces mund të zhvillohet në drejtimin e kundërt, ose më mirë të themi, nëse nuk përmbushen kushtet ose niset në një rrugë që nuk i përgjigjet interesave të Bashkimit Europian, vendet kandidate mund të vonohen.

Interesi i Francës dhe i vendeve të tjera europiane është mbi të gjitha stabiliteti i Ballkanit, sepse lëkundjet në këtë rajon do të ndikojnë në situatën e sigurisë edhe në vendet e tyre. Franca në mënyrë të veçantë është e interesuar kur vjen puna të çështjet e terrorizmit, që është një prej prioriteteve franceze që kur ajo është ballafaqur me sulmet terroriste. Në këtë kuptim duhet kuptuar konstatimi i Makronit se Bosnjë e Hercegovina është „bombë me sahat“ në rajon. „Çështja kryesore nëse iu intereson ky rajon, nuk është as Maqedonia e Veriut, as Shqipëria, por Bosnjë e Hercegovina“- tha ai në intervistën për gazetën britanike. „Bosnjë e Hercegovina është bombë me sahat që tingëllon menjëherë afër Kroacisë dhe e cila përballet me problemin e kthimit të xhihadistëve“, vlerëson Makroni. Franca frikësohet nga sulme të reja terroriste dhe beson se kërcënimi kryesor vjen nga xhihadistët në truallin europian.

Duke rinovuar interesimin për Ballkanin presidenti francez hyn në një hapësirë e cila në kuptimin gjeopolitik konsiderohet zonë tradicionale e ndikimit gjerman. Parimi i diplomacisë franceze është i ndryshëm nga ai gjerman, për të cilin  Ballkani është para së gjithash treg dhe burim i krahut të lirë të punës.

Në Ballkan Makroni dëshiron të afirmojë politikën e tij të re europiane. Për këtë nxit diplomacinë aktive me „fqinjët tanë dhe vendet që mëkojnë dashuri të thellë ndaj nesh në mënyrë që të mos u lëmë mundësi fuqive joeuropiane të luajnë lojën në vend që ta luajmë ne. Në të kundërt, për fatin e Ballkanit Perëndimor do të vendosin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rusia dhe Turqia. Edhe këtu Gjermania ka një qëndrim që është efikas dhe më shumë strategjik se ne. Dua dhe për këtë jemi dakord që të jemi më efikasë“ i porositi ai ambasadorët e tij.

Vizita në Serbi dhe takimet me presidentin serb flasin për këtë këmbëngulje, si dhe për dëshirën që të ndërmjetësohet mes Beogradit dhe Prishtinës për çështjen e Kosovës.

Ndryshimet në politikën e jashtme franceze, dëshira për të siguruar autonomi më të madhe nga Uashingtoni, afrim me Rusinë dhe interesimi për bashkëpunim më të fuqishëm me Serbinë, që nga bashkëpunim ekonomik deri në bashkëpunimin në fushën e kulturës dhe arsimit, do të ndikojnë në ecurinë e mëtejshme të zgjidhjes së „konfliktit të ngrirë“ në Kosovë.

Dihet se ndërkohë, mantra e njohur, për antarsim në NATO, si kusht për hyrjen në Bashkimin Europian i përket kohës së shkuar.

*Përktheu për Politiko.al: Xhelal Fejza