Flash News

Bota

A do të ulet çmimi tavan për naftën ruse?

A do të ulet çmimi tavan për naftën ruse?

Për avokuesit e sanksioneve në Perëndim, rënia e madhe e vlerës së rublës gjatë këtij viti është një sinjal i qartë se ndëshkimet ekonomike të vendosura ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës, po kanë ndikim.

Ata thanë se Grupi i Shtatë shteteve më të industrializuara (G7) duhet të godasë derisa hekuri është i nxehtë dhe të ulë çmimin tavan të eksporteve të naftës të papërpunuar ruse, që tani është 60 dollarë. Qëllimi: Të shtrëngohen të ardhurat e Kremlinit dhe të detyrohet presidenti rus, Vladimir Putin, që të zgjedhë midis stabilitetit ekonomik dhe shpenzimeve ushtarake.

Banka Qendrore ruse rriti normat e interesit në një shifër jashtëzakonisht të lartë prej 3.5 pikë të përqindjes. Vendimi u mor gjatë një mbledhjeje të jashtëzakonshme më herët gjatë këtij muaji, pasi vlera e rublës ra nën një cent amerikan. Vlera e rublës ruse ka rënë për 30 për qind që nga fillimi i vitit, përderisa luftës në Ukrainë nuk po i shihet fundi.

“Rusisë i duhet që të rrisë jashtëzakonisht shumë normat e interesit për të stabilizuar rublën. Ne kemi fuqinë që t’i japim Putinin krizën financiare që ai e meriton. Ne na duhet që ulim çmimin tavan të G7-s”, shkroi më 15 gusht Robin Brooks, i cili është shef i ekonomistëve në Institutin për Financa Ndërkombëtare me seli në Uashington.

Aleksandra Prokopenko, ish-analiste e Bankës Qendrore ruse, mbështeti këtë mendim, duke argumentuar se sanksionet po funksionojnë dhe ulja e çmimit që Moska merr për naftën – burimin kryesor të të ardhurave – do ta vendosë ekonominë e Putinit në një pozitë të vështirë.

Vendosmëria e presidentit rus për të vazhduar me çdo kusht me pushtimin e dështuar të Ukrainës “po e vë ekonominë në një pozitë gjithnjë e më të paqëndrueshme”, tha Prokopenko, e cila tani është studiuese jorezidente në Qendrën Carnegie për Rusinë dhe Euroazinë, institut me seli në Berlin.

Për ta futur edhe më në krizë ekonominë ruse, “Perëndimi duhet të vazhdojë që të godasë burimet e të ardhurave të Kremlinit, përfshirë edhe duke ulur çmimin tavan për naftën, por edhe masa të ngjashme për eksportet e tjera ruse dhe të mbyllë zbrazëtirat ligjore që kanë sanksionet”, shkroi ajo në një opinion të publikuar në Bloomberg më 17 gusht.

Por, disa analistë të naftës argumentuan se kjo nuk mund të ndodhë kaq shpejt.

Analistët në këtë industri kanë paralajmëruar se ulja e çmimit tavan të G7-s vetëm do të thellojë shqetësimet për furnizimet globale të naftës në një kohë kur ka një kërkesë rekorde për këtë derivat. Sipas tyre, kjo do të bënte që çmimi i naftës së papërpunuar të rritej dhe nga kjo do të pësonin shumë shtete, e ndoshta të ardhurat ruse nuk do të prekeshin aq shumë.

“Nëse nesër G7 vjen dhe thotë se çmimi tavan tani do të jetë 50 dollarë, ju me shumë gjasa do të shihni rritje të mëtejme të çmimit të naftës. Reagimi i menjëhershëm ndaj sanksioneve më të ashpra është gjithmonë rritja e çmimit të naftës për shkak të frikës se do të ketë pengesa në furnizim”, tha për Radion Evropa e Lirë, Jorge Leon, Analist në Rystad Energy, me seli në Oslo.

“Mendoj se është në interesin më të mirë të G7-s që të mos ndërmarrë një vendim të tillë”, tha ai.

Këtë shqetësim e ndajnë edhe shumë prej liderëve të G7-s të cilët nuk duan të shohin rritje të çmimeve të energjisë pasi ata po përballen me inflacionin më të lartë në dekada, thanë ekspertët. Rritja e kostos së jetesës gjerësisht vlerësohet si një prej kërcënimeve më të mëdha të mundshme për kandidaturën e rizgjedhjes në postin e presidentit të SHBA-së për Joe Biden. Zgjedhjet amerikane do të mbahen vitin e ardhshëm./ REL

Të fundit