Flash News

Bota

A është Gjermania në prag të një kthese politike?

A është Gjermania në prag të një kthese politike?

Fushata elektorale ishte shkurtër, por e ashpër. Një fjalë u përsërit shpesh: ndryshim kursi. "Provuat tre vjet të bëni politikë të majtë në Gjermani. Nuk mund të vazhdoni më kështu", tha dy javë para zgjedhjeve Friedrich Merz, kandidati për kancelar i partive konservatore CDU/CSU. 

Në Bundestag, ai iu drejtua SPD-së dhe të Gjelbërve, të cilët, së bashku me FDP-në, ishin në koalicionin tripartiak të qendrës së majtë prej vitit 2021. Në nëntor 2024, qeveria u shpërbë pas muajsh të tërë debatesh për mungesën e fondeve në buxhet. Kjo situatë çoi në zgjedhjet e parakohshme, më 23 shkurt. 

SPD-ja përballet me një humbje të rëndë

Ndërsa të Gjelbërit ruajnë në sondazhe një mbështetje të ngjashme me atë të vitit 2021, SPD-ja dhe FDP-ja kanë pësuar një rënie të ndjeshme. FDP-ja rrezikon të mos e kalojë pragun prej 5%, ndërsa SPD-së i kanoset një disfatë historike. Çdo rezultat nën 20% do të ishte më i keqi për këtë parti në historinë e pasluftës – dhe sondazhet e tregojnë atë shumë larg këtij pragu, aktualisht në 14%. Olaf Scholz do të bëhej kështu kancelari me mandatin më të shkurtër në 50 vitet e fundit dhe i vetmi socialdemokrat që nuk ka arritur të rizgjidhet si kancelar.

Unioni në krye, AfD në vendin e dytë

Sipas sondazheve, Friedrich Merz ka shanset më të mira për të fituar kancelarinë. Kryetari i CDU-së udhëheq Unionin e CDU/CSU, i cili, pasi drejtoi vendin për 16 vjet, kaloi në opozitë në vitin 2021 dhe tani kërkon të rikthehet në pushtet. Në vendin e dytë, me rreth 20% të votave, është AfD-ja, një parti pjesërisht ekstremiste e djathtë. Kjo është dyfishi i rezultatit të saj në vitin 2021./DW

Të fundit