Flash News

Bota

A po funksionon presioni i BE-së mbi Hungarinë?

A po funksionon presioni i BE-së mbi Hungarinë?

Më 18 shtator, Komisioni Evropian propozoi pezullimin e 7.5 miliardë eurove nga buxheti i BE-së, të caktuara për Hungarinë, një përgjigje ndaj asaj që blloku e sheh si performancë të dobët të Budapestit mbi respektimin e tw drejtave tw njeriut dhe sundimin e ligjit.

Ky vendim është vetëm akti më i fundit i një beteje shumëvjeçare midis Brukselit dhe Budapestit dhe një tregues që situata nuk pritet të qetësohet së shpejti.

Pavarësisht propozimit të Komisionit, asgjë nuk është e vendosur dhe Budapesti mund sërish të marrë shumën financiare. Komisioni Evropian e ka lënë të hapur derën për kompromis, duke pranuar se Qeveria e udhëhequr nga partia e djathtë, Fidesz, ka premtuar reforma serioze dhe, në disa raste, ka përgatitur legjislacionin përkatës gjatë muajve të verës për t'i adresuar disa nga shqetësimet e BE-së rreth korrupsionit dhe mangësive në sistemin hungarez të prokurimeve publike.

Nëse bëhet më shumë përparim në këto fusha deri në fund të këtij viti, ekziston mundësia që Hungaria të marrë paratë.

Të tri aspektet kryesore të kësaj historie janë të ndërlidhura.

Së pari, të kërcënosh se do të dëmtosh Hungarinë aty ku është më e cenueshme –financiarisht – mund të jetë mënyra më efikase për BE-në për të nxitur një ndryshim nga ana e Budapestit.

Së dyti, Hungaria, tashmë duke ndier efektet ekonomike të atij që ka të ngjarë të jetë një dimër i gjatë dhe i ftohtë, mund të përpiqet të afrohet sërish me bllokun evropian.

Dhe së treti, ndërsa Hungaria mund të duket si e vendosur me shpatulla për muri, ka ende shans që Qeveria të arrijë të dalë nga kjo situatë dhe të marrë pjesën më të madhe të përfitimeve financiare.

"Rregullorja e kushtëzimit", një mekanizëm që ka qenë i zbatueshëm që nga viti 2021, i lejon Komisionit Evropian të propozojë shkurtime në buxhetet e vendeve anëtare të BE-së nëse mendon se ekziston një rrezik sistematik mbi mënyrën se si janë shpenzuar paratë.

Jo të gjitha vendet anëtare të BE-së ishin të kënaqura me këtë mekanizëm të ri, kur u diskutua dhe u ra dakord në verën e vitit 2020 gjatë negociatave mbi mënyrën se si duhet të ndahet buxheti prej 1.8 trilion eurosh i BE-së për periudhën 2021-2027./ REL

Të fundit