Flash News

Bota

Alarm në Evropë, të dhënat e 300 mijë klientëve dyshohet se u shitën në dark web

Alarm në Evropë, të dhënat e 300 mijë klientëve

Qindra mijëra përdorues të shërbimeve të udhëtimit hekurudhor Eurail dhe Interrail janë prekur nga një sulm i madh kibernetik, pas të cilit të dhënat personale të rreth 300,000 klientëve dyshohet se janë ekspozuar dhe shpërndarë në internetin e errët, raportoi “The Guardian”.

Sipas raportimeve, kompania me seli në Holandë konfirmoi se në mesin e të dhënave të vjedhura përfshihen numra pasaportash, emra, data lindjeje, adresa dhe të dhëna kontakti. Një pjesë e këtyre informacioneve dyshohet se është publikuar në platforma si Telegram dhe më pas ofruar për shitje në dark web.

Autoritetet në disa vende evropiane kanë nisur të lëshojnë udhëzime paraprake për qytetarët e prekur. Në Mbretërinë e Bashkuar, Zyra e Pasaportave ka këshilluar në të paktën një rast anulimin dhe zëvendësimin e pasaportës për të shmangur përdorimin e mundshëm në mashtrime. Masa të ngjashme janë raportuar edhe në Danimarkë, ku qytetarët mund të përballen me kosto shtesë për zëvendësimin e dokumenteve.

Ngjarja ka shkaktuar shqetësim të madh mes udhëtarëve, veçanërisht atyre që kanë plane udhëtimi në muajt e verës. Disa prej tyre kanë vënë në pikëpyetje nivelin e rrezikut real dhe mungesën e udhëzimeve më të qarta nga institucionet dhe kompania.

“Është një makth absolut,” tha një prej klientëve të prekur, duke përshkruar pasigurinë që ka shkaktuar rrjedhja e të dhënave.

Nga ana e saj, Eurail deklaroi se po njofton përdoruesit e prekur dhe u bëri thirrje të rrisin masat e sigurisë, përfshirë ndryshimin e fjalëkalimeve dhe monitorimin e aktiviteteve të dyshimta. Kompania shprehu keqardhje për incidentin, por është përballur me kritika për mënyrën e reagimit.

Ndërkohë, janë ngritur edhe thirrje për veprime ligjore kolektive sipas Rregullores së Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR) në Bashkimin Evropian.

Të fundit