Flash News

Bota

Gjermania i kundërpërgjigjet Rusisë, pezullon gazjellësin Nord Stream 2

Gjermania i kundërpërgjigjet Rusisë, pezullon gazjellësin

Gjermania ka ndërmarrë hapa për të ndalur procesin e certifikimit të gazsjellësit Nord Stream 2 nga Rusia. Lajmin e ka bërë të ditur kancelari Olaf Scholz.

Sipas Associated Press, Scholz tha se qeveria e tij po merrte masën në përgjigje të veprimeve të Moskës në Ukrainë. Vendimi është një lëvizje domethënëse për qeverinë gjermane, e cila kishte rezistuar prej kohësh për të hequr prizën nga projekti, pavarësisht presionit nga Shtetet e Bashkuara dhe disa vende evropiane për ta bërë këtë.

Uashingtoni ka argumentuar për vite me radhë se ndërtimi i një tjetër tubacioni që sjell gaz natyror nga Rusia në Gjermani, rrit varësinë e Evropës nga furnizimet ruse të energjisë.

Scholz tha se qeveria kishte vendosur të rivlerësonte certifikimin e tubacionit, i cili nuk ka filluar të funksionojë ende, në dritën e zhvillimeve të fundit. "Kjo sigurisht që do të marrë kohë, nëse mund të them kështu," tha ai.

Vendimi i Gjermanisë vjen në një kohë kur Rusia dhe Ukraina janë në rritje të tensioneve mes tyre. Presidenti rus Vladimir Putin vendosi dje të njohë dy rajonet e Ukrainës Lindore, Donetskun dhe Luhanskun, si të pavarura.

Të dyja rajonet janë kontrolluar dhe kontrollohen nga rebelët rusë në Ukrainë.

Të fundit