Flash News

Bota

Komisioni Evropian mbyll grupin Signal pas frikës nga hakerimi

Komisioni Evropian mbyll grupin Signal pas frikës nga hakerimi

Komisioni Evropian ka urdhëruar disa nga zyrtarët e tij më të lartë që të mbyllin një grup në aplikacionin e enkriptuar Signal, të cilin e përdornin për shkëmbim informacioni, për shkak të shqetësimeve se mund të ishte objekt hakerimi, shkruan Politico.

Sipas tre zyrtarëve të Komisionit që kanë njohuri mbi çështjen, në këtë grup chat ishin të përfshirë drejtorë dhe zëvendësdrejtorë departamentesh.

Vendimi vjen në një kohë kur Bashkimi Evropian po përballet me një seri akuzash për spiunazh, ndërsa Komisioni ka bërë të ditur javën e kaluar se po heton një sulm kibernetik ndaj faqeve të tij zyrtare.

“Operacionet kibernetike” po “rriten në cilësi dhe sasi”, si nga kriminelët që kërkojnë të dhëna ashtu edhe nga qeveri të huaja, tha Sven Herpig, studiues për sigurinë kibernetike dhe kërcënimet e reja në institutin gjerman Interface. Sipas tij, “politikanët dhe partitë politike kanë qenë gjithmonë objekt i spiunëve dhe përgjuesve”.

Komisioni ka marrë dijeni për ekzistencën e këtij grupi muajin e kaluar dhe u ka kërkuar anëtarëve të fshijnë bisedën, nga frika se mund të bëheshin objekt i sulmeve kibernetike, thanë dy nga zyrtarët.

Nuk ka prova që ndonjë anëtar i grupit të jetë përgjuar, ndërsa urdhri për ndalimin e përdorimit të chat-it është dhënë për shkak të shqetësimeve në rritje për sigurinë e aplikacioneve të komunikimit brenda institucioneve, tha një nga zyrtarët.

Të fundit