Flash News

Bota

Largimi i Boris Johnson trishton ukrainasit, si u prit lajmi

Largimi i Boris Johnson trishton ukrainasit, si u prit lajmi

Lajmi se Boris Johnson do të dorëhiqej si kryeministër i Britanisë u prit me dëshpërim në Kiev, shkruajnë mediat e huaja.

Johnson ka qenë një nga mbështetësit më të zëshëm të Ukrainës, e cila po lufton prej muajsh kundër agresionit rus.

Largimi i tij ngjalli frikën se mbështetja e Mbretërisë së Bashkuar për vendin, me vlerë 3.8 miliardë £ deri më tani, mund të fillojë të pakësohet në vijim.

Me gjithë botën perëndimore të bashkuar, Ukraina nuk vuan nga mungesa e mbështetjes. Por Johnson shihej si një aleat i veçantë në Kiev. Në fillim të prillit, ai u bë një nga udhëheqësit e parë të huaj që bëri një udhëtim, duke rrezikuar, në kryeqytetin ukrainas, më pas u kthye në një vizitë tjetër të papritur muajin e kaluar.

Johnson ka krijuar një marrëdhënie të ngushtë me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili tha se ishte i trishtuar.

"Ne të gjithë e dëgjuam këtë lajm të trishtë. Jo vetëm unë, por edhe e gjithë shoqëria ukrainase", i tha Zelensky Johnson në një telefonatë të zhvilluar të enjten, sipas zyrës së tij.

“Nuk kemi dyshim se mbështetja e Britanisë së Madhe do të ruhet, por lidershipi dhe karizma juaj personale e bënë atë të veçantë”, shtoi Zelensky.

Kristine Berzina, bashkëpunëtore e lartë e politikës së sigurisë dhe mbrojtjes në fondin gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara, tha se përveç mbështetjes ushtarake të Mbretërisë së Bashkuar, personaliteti i Johnson ka luajtur një rol të madh në mënyrën se si e shohin ukrainasit.

"Zëri dhe guximi i mbështetjes së Johnson për luftën e Ukrainës ... qëndron në kontrast të plotë me mbështetjen e nënvlerësuar të dhënë nga kancelari gjerman (Olaf) Scholz. Këtu ishte një udhëheqës i një fuqie të madhe evropiane, një fuqi bërthamore, që nuk kishte frikë të mbështeste Ukrainën", tha ajo për CNN.

Këshilltari presidencial ukrainas Mykhailo Podolyak e quajti Johnson "një hero", ndërsa ministri i Jashtëm Dmytro Kuleba tha se lideri britanik ishte "një njeri pa frikë, i gatshëm për të marrë rreziqe për kauzën në të cilën beson".

Peter Kellner, një ekspert britanik i sondazheve, gazetar dhe studiues vizitor në Carnegie Europe, tha se përkushtimi i Johnson ndaj Ukrainës ka të ngjarë të jetë frymëzuar nga historia dhe nevojat e tij politike.

 

Të fundit