Flash News

Bota

Liderja e opozitës i kërkon BE që të rrisë presionin ndaj Lukashenkos: Po e kthen Bjellorusinë në Korenë e Veriut të Evropës

Liderja e opozitës i kërkon BE që të rrisë presionin
Sviatlana Tsikhanouskaya, Alexander Lukashenko

Strategjia e Bashkimit Evropian kundër administratës së presidentit të Bjellorusisë Alexander Lukashenko nuk ka funksionuar, ka thënë liderja e opozitës bjelloruse Sviatlana Tsikhanouskaya.

Në një videokonferencë në komitetin e punëve të jashtme të Parlamentit Evropian, ajo tha se qasja e bllokut deri më tani ka dështuar, ndërsa iu bëri thirrje eurodeputetëve që të rrisin presionin në Minsk.

Ky qëndrim vjen, pasi Bjellorusia urdhëroi uljen e një avioni me të cilin po udhëtonin qytetarët, vetëm për të arrestuar një gazetar kritik të qeverisë.

Autoritetet pretenduan se ishte për shkak të një alarmi sigurie, por të tjerët besojnë se ishte një mashtrim për të arrestuar gazetarin Roman Protasevich, raporton Euronews.

"Qasja e BE për presionin kundër regjimit të Lukashenkos nuk ka arritur të ndryshojë sjelljen e tij. Tani, unë i bëj thirrje Parlamentit Evropian të sigurohet që reagimi i bashkësisë ndërkombëtare të mos jetë i kufizuar në incidentin e fluturimit Ryanair.

"Përgjigja duhet të adresojë situatën në Bjellorusi në tërësinë e saj ose të gjithë do të përballemi me situata të tilla dhe në të ardhmen, ndërsa Lukashenko po e kthen vendin tim në Korenë e Veriut të Evropës: jo-transparente dhe e rrezikshme", u shpreh udhëheqësja e opozitës.

Të fundit