Flash News

Bota

Mbretëria e Bashkuar dhe BE bien dakord: Të vazhdojnë bisedimet tregtare post-Brexit

Mbretëria e Bashkuar dhe BE bien dakord: Të vazhdojnë bisedimet
Foto Ilustruese/ Kryeministri britanik, Boris Johnson dhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen

Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian kanë rënë dakord të bëjnë edhe një përpjekje të fundit për të vijuar bisedimet tregtare post-Brexit.

Përmes një telefonate, Boris Johnson dhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, mëngjesin e kësaj të diele, kanë diskutuar rreth ‘temave të pazgjidhura’.

Udhëheqësit thanë se në këtë situatë ishte e nevojshme që palët të bëjnë një përpjekje të fundit për të parë nëse mund të arrihet diçka.

Palët ranë dakord t'u thonë negociatorëve të vazhdojnë bisedimet në Bruksel "për të parë nëse mund të arrihet një marrëveshje edhe në këtë fazë të vonë".

Në fillim të kësaj jave, Johnson dhe Von der Leyen caktuan si afat të Dielën për të vendosur nëse do të braktisnin negociatat ose t'i vazhdonin ato.

Kryeministri britanik përsëriti paralajmërimin e tij me shumë gjasa do të kemi të bëjmë me një skenar "no deal" (pa marrëveshje), raporton BBC.

Laburistët i bënë thirrje qeverisë "të përmbushë premtimin" për të siguruar një marrëveshje që "do të lejonte vendin të ecte përpara".

Britania e Madhe dhe BE vijojnë me negociatat për një marrëveshje tregtare pas Brexit që nga marsi, duke u përpjekur të arrijnë në një të marrëveshje përpara se periudha e tranzicionit të përfundojë më 31 dhjetor (kohë kur të dy palët do ecin me tej me diskutimet rreth rregullave në Organizatën Botërore të Tregtisë).

Pa një marrëveshje tregtare, tarifat (për mallrat që blihen dhe shiten midis dy palëve), çmimet për produkte të caktuara mund të rriten.

Ekzistojnë dy pika kryesore të ndalimit të një marrëveshjeje - rregullat e konkurrencës dhe të drejtat e peshkimit - dhe negociatorët tashmë po vazhdojnë t'i zgjidhin këto çështje.

Përmes një deklarate nga Komisioni në Bruksel, von der Leyen u shpreh se biseda telefonike me  Johnson kishte qenë "konstruktive dhe e dobishme".

Ajo shtoi: "Pavarësisht nga rraskapitja pas pothuajse një viti negociatash, pavarësisht nga fakti se afatet janë humbur pa pushim, ne mendojmë se është përgjegjëse në këtë pikë të shkosh më tej".

Bisedimet tani do të vazhdojnë duke u fokusuar tek rregullat ekonomike të BE që Mbretëria e Bashkuar  duhet t'i përmbahet në të ardhmen.

BE-ja është e vendosur të parandalojë Mbretërinë e Bashkuar të fitojë atë që e sheh si një avantazh të padrejtë të qasjes pa tarifa në tregjet e saj - duke mos paguar taksa për mallrat që blihen dhe shiten - ndërsa vendos standardet e saj për produktet, të drejtat e punësimit dhe subvencionet e biznesit.

Të fundit