Flash News

Bota

Mes tensioneve për një sulm të mundshëm ndaj Ukrainës, përfundon biseda Biden-Putin

Mes tensioneve për një sulm të mundshëm ndaj Ukrainës,

Presidenti i SHBA Joe Biden dhe ai rus Vladimir Putin kanë përfunduar bisedën e tyre telefonike për thuajse një orë, pasi Uashingtoni dhe aleatët e tij paralajmëruan se forcat ruse mund të pushtonin Ukrainën në çdo moment.

Reuters raporton se departamenti amerikan i Shtetit urdhëroi shumicën e stafit të ambasadës së tij të largohej nga Ukraina, duke shtuar thirrjen e tij të premten që qytetarët privatë të largohen nga vendi brenda 48 orëve. Pentagoni tha se po tërhiqte rreth 150 trajnerë ushtarakë.

Në përpjekjen e fundit për të shmangur armiqësitë, telefonata Biden-Putin filloi në orën 11:04 të mëngjesit me orën lindore (1604 GMT) dhe përfundoi në 12:06 pasdite, sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë.

Ngritja ushtarake e Rusisë pranë Ukrainës dhe një rritje e aktivitetit ushtarak ka nxitur frikën se Rusia mund të pushtojë. Rusia mohon të ketë ndonjë plan të tillë.

Sipas një zyrtari të presidencës franceze, Biden dhe presidenti francez Emmanuel Macron do të flasin pas telefonatave të tyre të veçanta me Putinin. Zyrtari tha se nuk kishte indikacione nga ajo që Putin i tha Macronit se Rusia po përgatit një ofensivë kundër Ukrainës.

Uashingtoni tha të premten se një pushtim rus i Ukrainës, ka të ngjarë të fillojë me një sulm ajror, mund të ndodhë në çdo kohë.

Bullgaria, Portugalia, Australia, Zelanda e Re, Gjermania, Italia, Holanda dhe vende të tjera gjithashtu u kanë kërkuar qytetarëve të tyre të largohen nga Ukraina. Edhe Shqipëria i bëri sot thirrje qytetarëve të saj në Ukrainë të evakuohen.

Moska e ka kundërshtuar vazhdimisht versionin e Uashingtonit për ngjarjet, duke thënë se ka grumbulluar më shumë se 100,000 trupa pranë kufirit ukrainas për të ruajtur sigurinë e saj kundër agresionit nga aleatët e NATO-s.

Rusia, e cila ka akuzuar vendet perëndimore për përhapjen e gënjeshtrave për të shpërqendruar nga veprimet e tyre, ndërkohë tha të shtunën se kishte vendosur të "optimizonte" numrin e stafit të saj diplomatik në Ukrainë, nga frika e "provokimeve" nga Kievi apo të tjerët.

Të fundit