Flash News

Bota

Mjeku gjerman në gjyq për vrasjen e 15 pacientëve që kishte nën kujdes

Mjeku gjerman në gjyq për vrasjen e 15 pacientëve që kishte

Seancat dëgjimore kanë filluar në gjyqin e Berlinit të një mjeku gjerman i akuzuar për vrasjen e 15 pacientëve nën kujdesin e tij duke përdorur një sasi qetësuesish vdekjeprurës dhe duke i vënë flakën shumë shtëpive të tyre në përpjekje për të mbuluar krimet e tij.

Prokurorët kanë akuzuar të pandehurin 40-vjeçar me 15 akuza për "vrasje me keqdashje të paramenduar dhe motive të tjera të ulëta" dhe po kërkojnë një dënim me burgim të përjetshëm, i cili në Gjermani zakonisht arrin në 15 vjet burg.

Ata synojnë që gjykata shtetërore e Berlinit të përcaktojë "fajësinë veçanërisht të rëndë", gjë që do të rezultonte në ndalimin e mjekut në mënyrë parandaluese edhe pas përfundimit të këtij dënimi, si dhe në marrjen e një ndalimi të përjetshëm për ushtrimin e mjekësisë.

Ndërsa gjyqi u hap të hënën, prokurori Philipp Meyhöfer tha se mjeku organizoi vizita në shtëpi me qëllim vrasjen e pacientëve të tij "pa dijeninë ose pëlqimin e tyre" duke përdorur "një përzierje vdekjeprurëse të ilaçeve të ndryshme".

Dy nga vrasjet besohet se kanë ndodhur në të njëjtën ditë në vitin 2024, shkruan The Guardian. 

Autoritetet ende po hetojnë dhjetëra vrasje të tjera të dyshuara që mund të jenë kryer nga i pandehuri, i cili është identifikuar vetëm si Johannes M në përputhje me rregullat gjermane të privatësisë. Ai u arrestua gushtin e kaluar.

Mjeku punonte për një shërbim mobil infermierie që ofronte kujdes në shtëpi për pacientët . Viktimat e tij të dyshuara - 12 gra dhe tre burra - ishin të moshës nga 25 deri në 94 vjeç dhe vdiqën midis shtatorit 2021 dhe korrikut 2024.

Besohet se ai u ka dhënë pacientëve një anestetik dhe një relaksues muskujsh, duke ua paaftësuar muskujt e frymëmarrjes dhe duke i çuar ata në asfiksi brenda pak minutash. Ndërsa të gjithë ishin të sëmurë rëndë, asnjëri nuk pritej të vdiste menjëherë.

Një koleg dyshues tërhoqi vëmendjen për faktin se të paktën pesë nga pacientët e Johannes M kishin vdekur papritur , duke i bërë autoritetet të hapnin një hetim penal.

Zyra e prokurorit të Berlinit tha se 70 raste të tjera që mund të lidhen me të pandehurin ishin ende duke u shqyrtuar, përfshirë vdekjen e vjehrrës së tij në Poloni në fillim të vitit 2024. Ajo vuante nga kanceri.

I pandehuri refuzoi mundësinë për t'iu drejtuar gjykatës ndërsa hapej gjyqi i tij, si dhe një vlerësim psikiatrik. Motivi i tij i dyshuar mbetet i paqartë.

 

Të fundit