Flash News

Bota

Posta e mëngjesit/ Me 2 rreshta: Çfarë pati rëndësi dje në botë

Posta e mëngjesit/ Me 2 rreshta: Çfarë pati rëndësi

Mirëmëngjes! Politiko.al mbështetur në raporte të gazetave amerikane, ju sjell një blic lajmesh nga bota në ‘Posta e mëngjesit’. Për të marrë ‘Postën’ çdo mëngjes me email na shkruani në [email protected]

■ Antony J. Blinken, sekretari i shtetit i SHBA-së dhe Lloyd J. Austin, sekretari i mbrojtjes, bënë një udhëtim sekret dje në Kiev, ku presidenti, Volodymyr Zelensky, u kërkoi atyre të ofrojnë më shumë ndihmë në betejën e kombit të tij kundër pushtuesve rusë.

■ E diela e djeshme shënoi Pashkën Ortodokse, dita më e shenjtë e vitit për shumë ukrainas. Ushtarët mbajëtën një meshë nën pisha jashtë Kievit; në një katedrale të qytetit, kjo ditë solli «dhimbje dhe gëzim».

■ Kryqi i Kuq tha se ishte "thellësisht i alarmuar" nga kushtet në Mariupol.

■ Varshava ka pranuar 300,000 ukrainas që ikin nga lufta. Por ndërsa kryeqyteti polak po përgatitet për një valë të re refugjatësh, kryebashkiaku i tij po paralajmëron se qyteti është "mbi kapacitet".

■ Në balotazhin e raundit të dytë të zgjedhjeve të Francës, Emmanuel Macron triumfoi ndaj Marine Le Pen, sfidueses së tij të ekstremit të djathtë, me një epërsi prej rreth 17 për qind. Në një fjalim solemn, Macron tha se ishte një fitore për "një Francë më të pavarur dhe një Evropë më të fortë".

■ Në zgjedhjet parlamentare në Slloveni, rezultatet paraprake treguan se kryeministri populist, Janez Jansa, kishte humbur ndaj rivalëve të tij centristë.

■ Qindra luftëtarë të milicisë arabe në Sudan sulmuan dje një fshat në rajonin perëndimor të Darfurit, duke djegur shtëpi dhe dyqane dhe duke vrarë të paktën 150 njerëz.

■ Varrezat më të vjetra të Kajros, Qyteti i të Vdekurve, po rrafshohen. Mijëra familje që jetojnë mes mauzoleumeve madhështore përballen me dëbim.

■ Bordi prej 11 anëtarësh i Twitter thuhet se po shqyrton seriozisht ofertën e Elon Musk për të blerë kompaninë.

■ Një burrë që i vuri flakën vetes përpara Gjykatës së Lartë të SHBA-së në një protestë të dukshme të Ditës së Tokës kundër ndryshimeve klimatike, ka vdekur.

■ Bota është shumë larg objektivit për të vaksinuar 70 për qind të popullsisë së çdo vendi deri në qershor.

■ Të paktën 10 persona kanë vdekur në fundosjen e një varke turistike pranë ishullit japonez Hokkaido. Gjashtëmbëdhjetë të tjerë janë të zhdukur.

■ Në një vizitë të rrallë në pjesën e kontrolluar nga India të Kashmirit, Narendra Modi, kryeministri indian, u zotua të përqëndrohet në zhvillimin ekonomik të gjelbër.

Të fundit