Flash News

Bota

Presidenti gjerman i dorëzon Merkelit çertifikatën e shkarkimit

Presidenti gjerman i dorëzon Merkelit çertifikatën e shkarkimit

Angela Merkel bëri dje një hap më afër daljes në pension, pasi mori certifikatën zyrtare të shkarkimit nga posti i kancelares pas 16 vitesh në detyrë, megjithëse ajo do të drejtojë qeverinë derisa të betohet pasardhësi i saj.

Merkel gjithashtu mori pjesë në seancën e hapjes së parlamentit të ri të Gjermanisë në Berlin, duke zënë një vend te ulëset e "VIP-ave", ndërsa ligjvënësit e zgjedhur u takuan për herë të parë. Merkel, e cila fitoi për herë të parë një vend në Bundestag 31 vjet më parë, nuk kandidoi më në zgjedhjet e 26 shtatorit.

Ligjvënësit zgjodhën Baerbal Bas, një anëtare i Partisë Social Demokrate të qendrës së majtë, si kryetare të dhomës së ulët prej 736 anëtarësh. Bas, partia e së cilës mposhti ngushtë bllokun e qendrës së djathtë të Merkelit, ka qenë anëtare e Bundestagut që nga viti 2009. 53-vjeçarja ishte nënkryetare e grupit parlamentar të partisë së saj në parlamentin e kaluar dhe zëdhënëse e tij për shëndetësinë, arsimin dhe shkencën.

Bas u tha kolegëve ligjvënës se ajo do të punonte për përfaqësim më të drejtë të grave në parlament. Ajo është gruaja e tretë në krye të Bundestagut që nga krijimi i tij në 1949.

Ndërsa Bundestagu ka më shumë deputete femra pas zgjedhjeve të muajit të kaluar, gratë janë ende shumë larg arritjes së barazisë në legjislaturën kombëtare. Më shumë se një e treta, ose 34.7% e ligjvënësve të rinj janë gra, krahasuar me 31.4% në parlamentin e mëparshëm, sipas agjencisë gjermane të lajmeve dpa.

Bas theksoi se edhe pse parlamenti nuk pasqyron ende diversitetin e plotë të shoqërisë gjermane, Bundestagu i ri është bërë më i larmishëm, me më shumë ligjvënës emigrantë dhe anëtarë më të rinj.

Ajo u zotua të mbrojë dhomën e ulët kundër urrejtjes dhe premtoi: "Unë do ta mbroj demokracinë kundër armiqve të saj". Tre partitë që shpresojnë të formojnë qeverinë e re të Gjermanisë thanë javën e kaluar se synojnë të kenë kancelarin e ardhshëm të vendit në fillim të dhjetorit, por pranuan se përballen me një detyrë komplekse.

Social Demokratët, të Gjelbrit ambientalistë dhe Demokratët e Lirë pro-biznes hapën bisedimet formale të koalicionit pas një marrëveshjeje paraprake në fillim të këtij muaji, e cila përcaktoi përparësitë e tyre, por la shumë pyetje të hapura.

Nëse negociatat do të kenë sukses, qeveria e re do të dërgojë në opozitë bllokun Union të qendrës së djathtë të Merkelit. Pasardhësi i saj i mundshëm do të ishte Olaf Scholz i Social Demokratëve, zëvendëskancelari dhe ministër i financave i saj që nga viti 2018.

Duke i dorëzuar Merkelit certifikatën e saj të shkarkimit, presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier e falënderoi atë për drejtimin e vendit në kohë të vështira, veçanërisht gjatë mandatit të saj të fundit katërvjeçar. Ai përmendi pandeminë e koronavirusit, largimin e Britanisë nga Bashkimi Evropian dhe një qeveri të SHBA nën Presidentin Donald Trump që tha se "kishte pak ose aspak interes për rendin ndërkombëtar dhe partneritetin transatlantik".

Merkel javën e kaluar mori një lamtumirë të ngrohtë nga liderët e tjerë të Bashkimit Evropian dhe ish-presidenti i SHBA-së, Barack Obama. Javët e saj të fundit si kujdestare përfshijnë përfaqësimin e Gjermanisë në takimin e G-20 në Itali dhe konferencën e OKB-së për klimën e javës së ardhshme në Glasgow.

Burimi: AP

Të fundit