Flash News

Bota

Presidenti ukrainas optimist për de-përshkallëzimin e tensioneve: Mbështetja diplomatike është e pakushtëzuar

Presidenti ukrainas optimist për de-përshkallëzimin e tensioneve:

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy shprehu mirënjohjen për mbështetjen diplomatike dhe ushtarake të ofruar për vendin e tij javët e fundit mes paralajmërimeve për një pushtim rus.

Zelenskyy tha se "mbështetja diplomatike për Ukrainën është më e madhja dhe më e pakushtëzuara që nga viti 2014 dhe ajo vazhdon", raportojnë mediat e huaja.

Rusia aneksoi Krimenë në vitin 2014 pas protestave pro-Bashkimit Evropian dhe Perëndimit në kryeqytetin Kiev.

Në vitet që pasuan, Ukraina është rrënuar nga konflikti me separatistët e mbështetur nga Rusia në lindje të vendit, i cili ka lënë më shumë se 13,000 të vdekur.

Pavarësisht nënshkrimit të marrëveshjeve të paqes, zgjidhja politike është bllokuar dhe dhuna nuk ka përfunduar kurrë plotësisht.

Kryeministri britanik Boris Johnson dhe kryeministri polak Mateusz Morawiecki priten të shkojnë sot në Kiev.

Ata do të pasohen më vonë nga kryeministri holandez Mark Rutte dhe presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan.

Javën e ardhshme atje priten pesë ministra të jashtëm nga vendet evropiane, duke përfshirë francezët dhe gjermanët.

“Një intensitet i tillë i vizitave është një faktor i rëndësishëm në stabilizimin e situatës”, tha Zelenskyy.

Ai tha se Ukraina po punonte "aktivisht" për të organizuar një samit të ri për zgjidhjen e konfliktit në lindje të vendit, një format i ashtuquajtur "Normandi" me liderët rusë, francezë dhe gjermanë.

Zelenskyy gjithashtu nënshkroi një dekret që synon të rrisë fuqinë e ushtrisë ukrainase me 100,000 ushtarë në tre vjet, përveç 250,000 aktuale.

Rusia akuzohet nga Perëndimi se ka grumbulluar dhjetëra mijëra ushtarë në kufirin e fqinjit të saj në pritje të një pushtimi të mundshëm. Moska mohon çdo qëllim të tillë.

Kremlini po kërkon garanci ligjërisht të detyrueshme nga SHBA dhe NATO se Ukraina nuk do të bashkohet kurrë me bllokun, vendosja e armëve të NATO-s pranë kufijve rusë do të ndalet dhe forcat e aleancës do të tërhiqen nga Evropa Lindore.

Uashingtoni e hodhi poshtë këtë kërkesë, duke lënë të hapur derën për diskutime për çështje të tjera sigurie, si vendosja e raketave apo kufizimet reciproke në stërvitjet ushtarake.

Të fundit