Flash News

Bota

Profili i Avril Haines, gruaja që pritet të bëhet shefe e CIA

Profili i Avril Haines, gruaja që pritet të bëhet shefe e CIA

Greg Myre/ NPR

Avril Haines, që ishte gati të bëhej ‘e brendshmja’ klasike, si shefe e CIA, i kaloi vitet formuese më shumë si hipster dhe ‘e jashtme’.

Fëmija i vetëm i rritur në West Side të New York-ut, i kaloi vitet e adoleshencës duke ndihmuar nënën e sëmurë, e cila vdiq kur Haines ishte 15 vjeçe. Sapo mbaroi shkollën e mesme, Haines u nis për një seri aventurash. Ia filloi në një akademi elitare të xhudos në Japoni, duke fituar një rrip të murrmë.

Ndalesa tjetër e saj ishte Universiteti i Chicago-s, ku studioi fizikë teorike, një departament mjaft konkurrues i dominuar nga burrat.

Ajo gjithashtu pëlqente rindërtimin e makinave dhe aeroplanëve, dhe përfundimisht mësoi të fluturonte.

"Ajo bleu një Cessna të përdorur dhe rindërtoi vetë avionikën dhe u përpoq të fluturonte përtej Oqeanit Atlantik duke u rrëzuar pranë brigjeve të Neëfoundland," tha David Priess, një ish oficer i CIA i cili ka shkruar gjerësisht për udhëheqësit e agjencisë.

Udhëtimi i ndërprerë nuk ishte një katastrofë totale. Bashkëpiloti dhe instruktori i saj i fluturimit, David Davighi, më vonë u bë burri i saj dhe ata hapën një librari dhe një kafene në një pjesë të largët  të Baltimore në vitet ‘90.

Kur Presidenti i zgjedhur Joe Biden prezantoi Haines javën e kaluar si gruaja e parë e nominuar si drejtoreshë e CIA, puna kryesore në shërbim sekret amerikan, ai iu referua të kaluarës energjike të Haines.

"E shkëlqyer, modeste. Mund të flasë për letërsinë dhe fizikën teorike, rregullimin e makinave, fluturimin e avionëve, drejtimin e një kafe-librarie, të gjitha në një bisedë të vetme, sepse ajo i ka bërë të gjitha", tha Biden. Haines, tani 51 vjeçe, ishte në fillim të të 30-ave, kur u diplomua nga Shkolla e Jurisprudencës në Georgetown dhe filloi ngjitjen e saj të shpejtë në qeveri.

“Ajo ka kredenciale serioze", tha Rollie Flynn, e cila shërbeu tri dekada në CIA dhe është një mbështetëse e madhe e Haines." Ajo është një person me të vërtetë e zgjuar, punëtore dhe e mirë. Nuk mendoj se do të shihni shumë zhurmë prej saj. Thjesht një profesioniste serioze".

Haines ka punuar me traktatet ndërkombëtare në Departamentin e Shtetit. Më pas iu bashkua Komitetit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, ku u njoh me kryetarin e Komisionit - Biden, atëherë senator i Delaëare.

Kur Biden u bë zëvendës i Presidentit Barack Obama, Haines e ndoqi në Shtëpinë e Bardhë, duke punuar në Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

Ajo ishte aq e vlerësuar saqë në vitin 2013, Obama e vendosi atë në vendin e dytë në CIA, megjithëse ajo kurrë nuk kishte punuar në agjencinë e spiunazhit. Ajo ishte gruaja e parë që mbajti titullin e zv.drejtorit, megjithëse Gina Haspel u bë drejtoreshë e CIA-s në 2018.

"Unë mendoj se të gjithë ne ndoshta kishim pak pikëpyetje sepse (Haines) nuk kishte një formim në agjenci," tha Jeanne Tisinger, një zyrtar i lartë i CIA-s kur u emërua Haines.

Kjo ndryshoi shpejt.

"U bëra tifoz i saj brenda disa javësh," tha Tisinger.

Flynn, i cili ishte shef i stacionit të CIA-s jashtë vendit dhe mbante role të larta në selinë e agjencisë, thotë se është diçka e madhe kur një grua emërohet në një detyrë të lartë në sigurinë kombëtare.

"Duke qenë se kam ardhur vetë në ditët kur nuk kishte shumë gra në pozicione drejtuese, për mua është shumë domethënëse", tha Flynn, aktualisht presidente e Institutit të Kërkimit të Politikës së Jashtme në Philadelphia. "Ka kaq shumë gra që për vite me radhë kanë qenë të afta të bëjnë këto punë. Dhe kështuqë mendoj që të shoh këtë në të vërtetë është një gjë e jashtëzakonshme."

Haines ka edhe kritikë si për shembull Daniel Jones.

Jones ishte hetuesi kryesor në Komitetin e Inteligjencës së Senatit në 2014 kur punonjësit e CIA u akuzuan për ‘hyrje’ në kompjuterat e Komitetit.

Vetë inspektori i përgjithshëm i CIA kritikoi veprimet e disa punonjësve të CIA në gjetjet e tij. Por Haines drejtoi një bord shqyrtimi që tha se askush në agjenci nuk duhet të disiplinohet. Jones thotë se kjo çështje meriton një vështrim të dytë kur Haines të ketë seancën e konfirmimit në Senat.

 "Unë mendoj se asaj me të vërtetë i mungoi lidershipi në këtë rast dhe mendoj se Senati duhet ta trysnojë për këtë", thotë Jones. "Mendoj se duhet të mësojmë më shumë rreth rolit të saj në pasqyrën e bordit në këtë rast."

Nëse Haines konfirmohet, ajo do të marrë përsipër një komunitet të inteligjencës që vazhdimisht është kritikuar nga Presidenti Trump. Në të kundërt, Biden ka pasur lidhje të mira me institucionin e sigurisë kombëtare dhe së pari ka punuar me Haines më shumë se një dekadë më parë. Kjo marrëdhënie e gjatë mund të jetë thelbësore për dikë që pritet të marrë pjesë në konferencën e përditshme të Presidentit për Sigurinë Kombëtare. Haines mbajti një profil jo publik në pozitat e saj të mëparshme qeveritare, por ajo bëri komente të shkurtra kur Biden e propozoi atë.

"Z. President i zgjedhur, ju e dini që unë kurrë nuk jam shmangur t'i them të vërtetën shefit," tha ajo. "Unë e pranoj këtë nominim duke ditur që ju kurrë nuk do të donit që unë të bëja ndryshe ... edhe kur ato që kam për të thënë mund të jenë të papërshtatshme ose të vështira, dhe ju siguroj, do të vijnë edhe ato kohë."

Përgatiti: Donalta Lami/ Politiko.al

Të fundit