Flash News

Bota

Publikohen pamjet e shpërthimit në Moskë që vrau gjeneralin e afërt të Putinit

Publikohen pamjet e shpërthimit në Moskë që vrau gjeneralin

Pamjet e siguruara nga kamerat e sigurisë kanë zbuluar momentin tronditës të shpërthimit që vrau Gjeneralin rus Igor Kirillov, kreun e njësisë së armëve kimike të Kremlinit.

Atentati ndodhi pak para lindjes së diellit mbi Moskën e mbuluar nga bora, jashtë një blloku apartamentesh në Ryazansky Prospekt, një zonë periferike e kryeqytetit rus.

Në video shihet një skuter elektrik, i mbështetur pranë hyrjes së godinës rreth orës 4 të mëngjesit. Më pas, rreth orës 6 të mëngjesit, Kirillov del nga apartamenti i tij dhe bomba e fshehur në timonin e skuterit shpërthen në mënyrë të telekomanduar.

Pamjet tregojnë një dritë të fortë, një shpërthim dhe më pas një re tymi që mbulon zonën. Gjenerali Kirillov humbi jetën në vendngjarje, ndërsa xhamat e dritareve përreth u thyen nga fuqia e shpërthimit.

Sipas kanalit Telegram Baza, i lidhur me shërbimet e sigurisë ruse, agjentët ukrainas ishin në pritje që Kirillov të dilte nga banesa. Autoritetet ruse dyshojnë se shpërthimi ishte i kontrolluar nga distanca dhe se gjenerali ishte vëzhguar për orë të tëra nga një apartament i marrë me qira, ndërsa hyrja e kompleksit monitorohej me dylbi.

Agjencia ruse e lajmeve Tass raporton se bomba ishte e përbërë nga 300 gram eksploziv, sasi e mjaftueshme për të vrarë një individ nga një distancë e shkurtër. Ekspertët thonë se ky nivel i saktësisë është një shenjë dalluese e shërbimit sekret ukrainas SBU, i cili ka fituar famë për atentate të guximshme dhe të realizuara me precizion ekstrem.

Hetimet vazhdojnë, ndërsa incidenti ka tensionuar edhe më shumë marrëdhëniet midis Rusisë dhe Ukrainës.

Të fundit