Flash News

Bota

“Putin po tenton lavdinë e Bashkimit Sovjetik. Sa e rrezikuar është Shqipëria nga lufta Rusi-Ukrainë”

“Putin po tenton lavdinë e Bashkimit Sovjetik. Sa e rrezikuar

Voxnews.al

Sulmi që Rusia ka nisur ndaj Ukrainës e ka futur botën në një gjendje ankthi dhe pasigurie dhe të gjithë sytë janë drejt Kievit duke pritur diçka që askush nuk e di se çfarë është.

Perëndimi është tashmë më i bashkuar se kurrë, por a bëri aq sa duhet që të shmangte këtë që po ndodh me Ukrainën?

Pse qasja e administratës Trump i la Rusisë fushë të lirë, dhe i hoqi amerikanëve monopolin e të qenit “polici i botës”?

Çfarë synon Presidenti Putin me këtë agresion ndaj Ukrainës, dhe cila është ëndrra e tij që është shprehur që në vitin 2000 kur erdhi në pushtet?

A duhet që Shqipëria të jetë kaq aktive kundër Rusisë, dhe pse Kosova është vendi më i rrezikuar nga kjo luftë që po zhvillohet mes Rusisë dhe Ukrainës.

Për këto dhe ndikimin ekonomik që do ketë lufta, në vendin tonë, por dhe në kontinentin europian, Vox News ka ftuar për një bisedë zonjën Teuta Vodo.

Ajo ka mbajtur postin e zëvendësministres së Drejtësisë në Qeverinë “Rama 2” dhe ka qenë Sekretare e PS për Marrëdhëniet me Jashtë, aktualisht pedagoge.

Zonja Vodo, si njohëse e marrëdhënieve ndërkombëtare bën një skaner të përplasjes Rusi-Ukrainë, pasojave që ajo do të ketë në të gjithë kontinentin dhe rendin e ri botëror.

Vodo thotë se Putin po kërkon të rikthejë lavdinë e Bashkimit Sovjetik...

-Zonja Vodo, çfarë pasojash do të ketë për Europën dhe në veçanti për rajonin tonë konflikti i armatosur mes Rusisë dhe Ukrainës? A do të zgjerohet ky konflikt dhe mes vendeve të tjera dhe a janë shqiptarët të rrezikuar nga kjo situatë?

-Përsa i përket pasojave, sigurisht që kemi të bëjmë me një konflikt që nuk mund të anashkalohet, apo injorohet. Nuk është një konflikt rajonal, aq më tepër në një botë që është shumë e ndërlidhur. Fenomeni i globalizimit ka bërë që bota të ketë lidhje të drejtpërdrejta, interesa të përbashkëta bankare/financiare. Mos të harrojmë çdo marrëveshje bilaterale ose multilaterale midis shteteve bënë që kur një vend është i izoluar ose i agresuar, ose është vet agresori, ka absolutisht një ndikim të drejtpërdrejtë në pjesën tjetër të globit. Rajoni i Ballkani është padyshim i kërcënuar, Kosova në veçanti për aq kohë sa kemi në një anë një Serbi që nuk ka ndërmend të shprehet qartë në krahun e forcave perëndimore, përkundrazi, nëse deri dje kishim dyshime se me kë do të vihej në krah Serbia, tashmë nuk e  kemi më këtë dyshim. Kjo do të thotë se kemi një prezencë ruse në Ballkan dhe Kosova nuk është një nga ato çështje që është kapërdirë, sa dhe vetë presidenti Putin e përmend Kosovën në kulmin e konfliktit me Ukrainën. Për mendimin tim kjo situatë duhet konsideruar me seriozitetin maksimal për aq kohë sa Presidenti Putin tashmë ka bërë dhe ka vënë në zbatim, gjithçka që ka bërë, jo vetëm duke filluar nga pushtimi i Krimesë, por dhe me konfliktet e tjera si Gjeorgji dhe rajone të tjera. 

-Mendoni se mund të shmangej kjo përplasje, dhe pse nuk u negociua më shumë tepër që të shmangej një ndërhyrje ruse në Ukrainë?

-Patjetër që çdolloj konflikti dhe përplasje mund të shmanget së pari; nëse ka vullnet të mirë politik, nga të dyja palët dhe së dyti; nëse ka dhe një angazhim edhe më të madh. Duhet të kemi parasysh këtu, që sa herë që bëhet një marrëveshje e caktuar politike, shumë shtete përpiqen që të mbajnë një pozicion neutral edhe për shkak të frikërave që mund të kenë nga rrjedhojave ekonomike dhe që vijnë nga një atmosferë politike e tensionuar. Kjo sjellë shumë rrjedhoja në një rajon të caktuar. Unë nuk jam shumë e sigurt nëse mund të shmangej kjo ndërhyrje pasi Putin ka pasur ambicie politike që kur është zgjedhur në vitin 2000, pikërisht që të mund të rikthente në një mënyrë apo në një tjetër Bashkimin Sovjetik. Ndoshta, jo me të njëjtin emër, apo me të njëjtin format, por kërkonte që të rikthente atë lavdinë e dikurshme dhe pozicionimin e fortë në arenën botërore.

Këtë e ka treguar kur e kanë pyetur në një konferencë se kur do të aplikonte për t’u bërë pjesë e NATO-s dhe ai ka thënë që nuk mund të aplikojmë duke qenë një shtet çfarëdo. E vërteta është që Rusia nuk është një vend çfarëdo. Për mendimin tim, ka pasur disa momentume që mund të ishte bërë diçka më shumë, por administrata Trump në vend që të ndihmonte për të shmangur këtë ndërhyrje të Rusisë, ka qenë në pikëpamjen time, benzina në flakë.

Me politikën e tij Presidenti Trump i përcolli një mesazh Rusisë duke i thënë që “ne duam të jemi fuqia botërore politikisht, por s’duam të jemi prezent kudo ushtarakisht”. Kujtojmë kritikat e ashpra të tij për shpenzimet ushtarake që SHBA kishte bërë në vende si Afganistani. Ky ishte mesazhi për Rusinë se froni është bosh. Flasim këtu për fronin e “policit të botës” siç quhet ndryshe SHBA. Ndër të tjera kemi në dekadat e fundit një superfuqi si Kina që edhe pse po mban tani një profil të ulët politik, kjo nuk thotë që do vazhdojë ta mbajë gjatë të tillë.

Lufta mund të shmangej nëse do të ishte një demokrat si president i SHBA-së që t’i bënte ballë në mënyrë më autoritare Rusisë. Por mos të harrojmë se dhe nga ana e Bashkimit Europian kemi një kontekst shumë përçarës. Kemi vende të BE që kanë bërë hapa mbrapa, kemi parti politike të ekstremit të djathtë që nuk kanë ndihmuar aspak në unison duke inkurajuar edhe Putinin që të mund të përgatisë terrenin për skenar sa më të favorshëm për të dhe për Rusinë, për të arritur qëllimin që të rikthej lavdinë e Bashkimit Sovjetik.

Aq sa është e vërtet që në fjalimin e tij nëse e vëmë re përdor fjale tipike atdhetare, tipike të shtetit komb, tipike nostalgjike si “dashuria për mëmëdheun” për t’iu drejtuar qytetarëve të tij. Kjo tregon qartë se është duke përdorur dhe retorikën e lavdisë dhe dashurisë ndaj atdheut, një retorikë që është përdorur më së shumti në shekujt 19 dhe 20 kur edhe po formoheshin shtetet-komb që kemi njohur, me territor, popullsi, flamur dhe sovranitet, ndërkohë që globalizimi ka ndryshuar ka ndryshuar shumë këto nocione.

-Shqipëria është një vend i NATO-s, dhe detyrimet tona në aleancë janë të qarta, a duhet t’i bashkohemi sanksioneve që SHBA dhe BE do i vendosë Rusisë? Shqipëria bashkë me SHBA janë dy vende propozuese për një rezolutë që dënohet agresioni rus në Ukrainë, a duhet të jemi ne kaq aktiv në një betejë që zhvillohet mes superfuqive botërore?

-Shqipëria është një vend shumë aktiv i NATO-s, aq sa është e vërtet sa në një rast është përshëndetur nga ish presidenti Trump për angazhimet dhe respektimit të kuotave që vendi ynë ka mbajtur si një vend anëtar i organizatës. Unë mendoj se është e drejtë që ne t’i bashkohemi sanksioneve ndaj Rusisë. Mendoj se është momenti që Rusia të izolohet jo vetëm më anë të sanksioneve financiare, por duhet dhe një ndërhyrje e menjëhershme bllokuese dhe përmes tokës, detit dhe ajrit. Shqipëria duke qenë anëtare e NATO ka dhe një përgjegjësi më shumë për të qenë një zë aktiv. Për ti përgjigjur sa më drejtpërdrejt pyetjes, ne mund të mbanim një profil më të ulët nëse s’do ishim pjesë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Duke qenë se është Këshilli i Sigurimit reagon i pari kur ka një konflikt rajonal apo botëror mendoj se është për tu përshëndetur ky rol i Shqipërisë. Nuk mendoj se duhet të kemi frikë se jemi në vijë të parë, kundër Rusisë. 

-Sa do të ndikojë ne ekonominë e vendit tonë lufta mes Rusisë dhe Ukrainës dhe cilët sektorë do të preken të parët?

-Ekonomia e vendit tonë do të preket. Kur fillojnë të preken dhe ekonomi të mëdha si ato të Gjermanisë, Holandës e me radhë që janë dhe motori i financave të BE-së, mendo se çfarë ndodh me ekonominë e vendit tonë. Përsa kohë ne varemi nga këto vende për shkëmbime tregtare, sigurisht që do të prekemi. Ne kemi një ekonomi modeste krahasuar me vendet europiane, në dijeninë time kemi eksporte me vendet baltike, me Gjermaninë etj, dhe nuk jam në dijeni sa mallra eksportohen në Rusi, por nuk besoj se jemi në shifra që mund të ndikojnë ndjeshëm në ekonominë tonë. Kjo sa i përket bujqësisë. Por ajo që më intereson më shumë është energjetika. Patjetër që gazi rus do ketë një ndikim në të gjitha vendet. Shqipëria është si nj varkë e vogël që patjetër preket nga stuhi kaq të mëdha, dhe mendoj se ajo që do ishte më interesante për vende si Shqipëria të fokusohej sa më shumë tek një linjë sa më e pastër dhe më direkte me vendet perëndimore, pavarësisht çmimit, pasi patjetër një çmim do të ketë. 

Të fundit