Flash News

Bota

Rrëzohet qeveria e Abazoviç, DASH: Mbështesim çdo qeveri të formuar në mënyrë demokratike

Rrëzohet qeveria e Abazoviç, DASH: Mbështesim çdo qeveri

Qeveria e Dritan Abazoviç u rrëzua nga pushteti dje pas votëbesimit. Pas dymbëdhjetë orë diskutimi, Kuvendi i Malit të Zi e ka rrëzuar me 50 vota dhe një kundër.

Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) ka reaguar për VOA lidhur me rrëzimin e qeverisë së Abazoviç. DASH shprehet se SHBA-të presin që Mali i Zi të ndjekë procedurat për formimin e një qeverie të shpejtë apo për thirrjen e zgjedhjeve të parakohshme.

"Shtetet e Bashkuara presin që Mali i Zi të ndjekë procedurat ligjore ose për formimin e shpejtë të një qeverie të re në shërbim të vendit, ose për thirrjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Shtetet e Bashkuara do të mbështesin çdo qeveri të formuar në mënyrë demokratike, e cila siguron përparimin e Malit të Zi në rrugën euro-atlantike, që përfshin përshpejtimin e anëtarësimit në BE, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, rritjen e rolit në NATO, një shoqëri gjithëpërfshirëse dhe me orientim qytetar, dhe që vazhdon të mbajë përgjegjëse Rusinë për luftën e saj brutale kundër Ukrainës", thuhet në reagimin e DASH.

Në përgjigje të pyetjes së shërbimit serb të Zërit të Amerikës, nëse Shtetet e Bashkuara do të mbështesnin përfshirjen e partisë pro-ruse Fronti Demokratik, në një qeveri të re, zëdhënësi rikonfirmoi qëndrimin ndaj kësaj force.

"Siç e kemi thënë më parë, Shtetet e Bashkuara nuk e shohin Frontin Demokratik si partner sepse ai nuk mbështet vlerat evropiane, përfshirë faktin që nuk e ka dënuar agresionin e Rusisë kundër Ukrainës dhe nuk ka treguar udhëheqje apo vullnet për të bërë përparim në reformat kyçe të nevojshme për anëtarësimin në BE", tha zëdhënësi.

 

Të fundit