Flash News

Bota

Rusia dëbon diplomatët evropianë: Mbështetën protestat për kritikun e Putin   

Rusia dëbon diplomatët evropianë: Mbështetën protestat
Alexei Navalny

Rusia ka dëbuar diplomatët nga Gjermania, Suedia dhe Polonia. Ministria e jashtme tha në një deklaratë se diplomatët e BE "morën pjesë në protesta të paligjshme" të mbajtura në mbështetje të kritikut të Putinit, Alexei Navalny.

Njoftimi erdhi disa orë pasi shefi i punëve të jashtme të BE Josep Borrell u takua me Ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov në Moskë, shkruan BBC.

Ministria e jashtme ruse tha se "veprime të tilla nga ana e tyre janë të papranueshme dhe nuk korrespondojnë me statusin e tyre diplomatik".

Ndërkohë, një zëdhënëse e ministrisë së jashtme suedeze ka mohuar që diplomati i saj ka marrë pjesë në ndonjë demonstratë. 

Lideri rus i opozitës dhe kritiku kryesor i Kremlinit, Alexei Navalny u dënua të martën me 3 vjet e 6 muaj burg pasi një gjykatë në Moskë shndërroi dënimin e tij me kusht në një çështje penale të vitit 2014 në një burgim të plotë.

Navalny u dënua për shkelje të pretenduara të lirimit me kusht pasi u kthye nga Gjermania ku ishte duke u rikuperuar nga helmimi me një agjent nervor të shkallës ushtarake.

Pas arrestimit, mijëra protestues vërshuan në qytetet e Rusisë për të kërkuar lirimin e tij. Navalny u sëmur gjatë një fluturimi nga Tomsk për në Moskë, në gusht të vitit 2020 dhe u vendos në një gjendje kome në një spital në Siberi, para se të transferohej në Gjermani.

Testet laboratorike të kryera në Gjermani, Francë dhe Suedi kanë vërtetuar se Navalny ishte helmuar me një agjent nervor të klasës Novichok, një rezultat i konfirmuar edhe nga Organizata Ndërkombëtare për Ndalimin e Armëve Kimike.

Të fundit