Flash News

Bota

SHBA dënon sulmin terrorist në Sidnei: Antisemitizmi nuk ka vend në këtë botë

SHBA dënon sulmin terrorist në Sidnei: Antisemitizmi nuk ka vend

Shtetet e Bashkuara kanë reaguar ashpër pas sulmit të armatosur të ndodhur në plazhin Bondi të Sidneit, ku humbën jetën të paktën 12 persona dhe rreth 30 të tjerë mbetën të plagosur, gjatë festimeve të Hanukës nga komuniteti hebraik.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e cilësoi ngjarjen si një akt të rëndë antisemit dhe theksoi se urrejtja ndaj hebrenjve nuk ka vend askund në botë.

“Antisemitizmi nuk ka vend në këtë botë. Lutjet tona janë me viktimat, me komunitetin hebraik dhe me popullin e Australisë”, shkroi Rubio në një postim publik.

Ngjarja e rëndë ndodhi të dielën, kur persona të armatosur hapën zjarr ndaj qytetarëve të mbledhur në plazh. Sipas autoriteteve australiane, një nga autorët e sulmit mbeti i vrarë, ndërsa personi tjetër është arrestuar dhe ndodhet në paraburgim.

Policia e Sidneit e ka klasifikuar incidentin si akt terrorist, duke sqaruar se objektivi i sulmit ishte komuniteti hebre. Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet e kësaj ngjarjeje tragjike, që ka tronditur opinionin publik në Australi dhe më gjerë.

 

Të fundit