Flash News

Bota

Omicron po rrit infektimet, Pfizer nis testimin e një vaksine specifike për variantin

Omicron po rrit infektimet, Pfizer nis testimin e një vaksine specifike

Gjigandi farmaceutik amerikan, Pfizer dhe partneri i tij gjerman, BioNTech, njoftuan të martën se kanë filluar një provë klinike të një versioni të ri të vaksinës së tyre COVID-19 të krijuar posaçërisht kundër variantit omikron të koronavirusit.

Kompanitë thanë në një deklaratë të përbashkët se do të testojnë vaksinën e re si një dozë fillestare ashtu edhe përforcuese në më shumë se 1400 vullnetarë të rritur të shëndetshëm midis moshës 18 dhe 55 vjeç.

Studiuesit do t'i ndajnë vullnetarët në tre grupe. Grupi i parë, i cili ka marrë dy dozat fillestare të vaksinës aktuale, do të marrë një ose dy doza të vaksinës së re specifike për omikronin. Grupi i dytë i vullnetarëve, të cilët kanë marrë dy dozat e para plus një dozë përforcuese të vaksinës origjinale, do të marrin një dozë ose të versionit aktual ose të versionit të rishikuar, ndërsa grupi i tretë do të përbëhet nga të rritur të pavaksinuar të cilët do të vaksinohen me tre dozat e vaksinës specifike për omikronin.

Prova klinike e vaksinës omikron të Pfizerit vjen pas publikimit të një studimi të ri që sugjeron se antitrupat e prodhuar nga një dozë e tretë e vaksinës origjinale ende ofrojnë mbrojtje të fortë katër muaj pas vaksinimit. Gjetjet, pjesë e një studimi laboratorik të kryer nga shkencëtarët në Degën Mjekësore të Universitetit të Teksasit në bashkëpunim me shkencëtarët në kompanitë Pfizer dhe BioNTech, u publikuan në internet të shtunën dhe nuk janë rishikuar ose publikuar në një revistë zyrtare shkencore./ VOA

Të fundit