Flash News

Bota

Si do të ndikojë tek inflacioni ulja e prodhimit të naftës nga OPEC-u?

Si do të ndikojë tek inflacioni ulja e prodhimit të naftës

Vendet kryesore të prodhimit të naftës, të udhëhequra nga Arabia Saudite dhe Rusia, kanë vendosur të ulin sasinë e naftës me të cilën furnizojnë ekonominë globale.

Dhe mekanizmi i tregut që funksionon bazuar tek kërkesa dhe oferta sugjeron se kjo mund të nënkuptojë vetëm një gjë: pritet rritje e çmimeve për karburantin krudo, si dhe për naftën, benzinën dhe vajin për ngrohje, të cilat janë të gjitha nënprodukte hidrokarbure.

Vendimi nga OPEC+ për të ulur prodhimin me 2 milionë fuçi më pak në ditë, fillon të zbatohet muajin e ardhshëm, ndërsa vendet aleate perëndimore po përpiqen të vendosin kufizime ndaj fondeve që përfiton nga nafta makineria luftarake e Moskës që nga momenti kur filloi sulmin në Ukrainë.

Le t’i hedhim në vazhdim një vështrim më të gjerë vendimit të OPEC-ut dhe se çfarë mund të nënkuptojë ky vendim për ekonominë dhe për nivelin e çmimit të naftës.

PËRSE PO UL OPEC-u PRODHIMIN?

Ministri i energjisë i Arabisë Saudite, Abdulaziz bin Salman, thotë se OPEC-u po tregohet proaktiv duke përshtatur furnizimin për t’i paraprirë një rënieje të mundshme të nivelit të kërkesës, pasi ekonomisë globale që po ngadalësohet do t’i duhet më pak karburant për udhëtimet dhe për industrinë.

“Po kalojmë një periudhë pasigurish të ndryshme që mund të na dalin përpara; është një re që po ngryset”, tha ai, dhe shtoi se OPEC-u po përpiqet t’u paraprijë zhvillimeve. Ai e cilësoi rolin e këtij grupi si “një forcë moderuese, për të sjellë stabilitet”.

Çmimet e naftës kanë rënë, pas një vere me çmime të larta. Krudoja ka rënë me 24%, krahasuar me mesin e qershorit, kur shitej me çmimin 123 dollarë për fuçi. Tashmë është në nivelin 93.5 dollarë.

Një arsye e madhe për rënien është frika se pjesë të mëdha të ekonomisë globale po shkojnë drejt recensionit, ndërsa çmimet e larta të energjisë (për naftën, gazin natyror dhe elektricitetin) po nxisin inflacionin dhe po ua pakësojnë konsumatorëve fuqinë blerëse.

Një tjetër arsye: Rritjet në verë ndodhën për shkak të frikës se tregu do të humbiste pjesën më të madhe të naftës të prodhuar në Rusi, për shkak të luftës në Ukrainë.

Ndërsa kompanitë perëndimore i qëndronin larg naftës ruse edhe pa filluar sanksionet, kompanitë në Indi dhe Kinë i blenë këto fuçi me ulje të mëdha, dhe kështu efekti tek furnizimi nuk ishte aq i keq sa ç’pritej.

Prodhuesit e naftës i ruhen një rënieje të papritur në çmime nëse ekonomia globale fillon të bjerë me shpejtësi më të madhe se ç’pritej. Kjo është ajo që ndodhi gjatë pandemisë COVID-19 në vitin 2020 dhe gjatë krizës financiare globale në 2008-2009.

SI DO TË PËRPLASEN ULJA E PRODHIMIT, TAVANET E ÇMIMIT DHE EMBARGOT?

Ideja për vendosjen e një tavani në çmim synon që ta lejojë transportimin e naftës ruse drejt tregjeve botërore, por me çmime më të ulëta. Kjo mund të largojë më shumë naftë ruse nga tregu dhe mund t’i rrisë çmimet më tej.

Kjo mund të rrisë edhe çmimin e karburantit për individët.

Çmimet e karburantit në Shtetet e Bashkuara që arritën një rekord prej 5.2 dollarë për gallon në mesin e qershorit, ranë rishtazi, por kanë rifilluar të rriten, duke krijuar kështu probleme politike për Presidentin Joe Biden një muaj përpara zgjedhjeve të mesmandatit.

Presidenti Biden, ndërsa përballet me nivele rekord inflacioni të 40 viteve të fundit, kishte përmendur si arritje çmimet në rënie të karburantit.

Gjatë javës së kaluar, çmimi mesatar në mbarë vendin u rrit me 9 centë për gallon, në nivelin 3.87 dollarë. Kjo është 65 centë më shumë se ç’paguanin amerikanët një vit më parë.

“Është një zhgënjim, dhe po shqyrtojmë se çfarë alternativash kemi”, u tha Presidenti Biden gazetarëve në lidhje me vendimin e OPEC-ut./ VOA

Të fundit