Flash News

Bota

Thellohet bilanci i viktimave pas tërmetit tragjik në Turqi, 64 të vdekur dhe mbi 900 të plagosur; vijojnë ende kërkimet për të mbijetuar

Thellohet bilanci i viktimave pas tërmetit tragjik në Turqi, 64
Foto Ilustruese; Ekipet e shpëtimit duke kërkuar të mbijetuar pas tërmetit tragjik në Izmir

Shkon në 64 numri i viktimave në Turqi, pas tërmetit të fuqishëm që goditi Izmirin. Agjencia e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD), përmes një njoftimi, ka bërë me dije se mbi 940 persona kanë marrë trajtim mjekësor, 722 prej të cilëve janë larguar nga spitali për shkak të dëmtimeve të lehta.

Mes viktimave të tërmetit tragjik në Turqi ishin edhe tre shtetas shqiptar, Hatixhe dhe Bajram Dogruja (70 dhe 73 vjeç) dhe një 64 vjeçare, që banonin aty që prej vitit 1956.

Ndërkaq, sipas raportimeve të derimëtanishme janë shpëtuar 104 qytetarë dhe vijojnë kërkimet për të tjerë të mbijetura në 9 ndërtesat e shembura.

Pas tërmetit shkatërrues, me magnitudë 6.6, që tronditi të premten Izmirin, janë regjistruar 947 pas-tronditje, 43 prej të cilave më të forta se 4 ballë. Autoritetet turke u kanë bërë thirrje qytetarëve që mos të futen në banesat e dëmtuara, të cilat mund të shemben nga çasti në çast për shkak të pasgoditjeve.

Më herët, presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan tha se shumë shpejt shtëpi të reja do të ndërtohen për të gjithë ata që mbetën pa kulm mbi kokë si pasojë e tërmetit. Ndërsa, autoritetet dhe shumë aktivistë iu vijnë në ndihmë të pastrehëve dhe traumatizuarve me çadrat vendosura në terren dhe duke shpërndarë ushqim përmes kuzhinave lëvizëse.

Turqia është ndër zonat sizmike më aktive në botë, ndërsa ka pësuar tërmete shkatërruese edhe në të kaluarën.

Të fundit