Flash News

Bota

Ukraina përparon ndjeshëm, Rusia synon të ‘josh’ banorët e Khersonit

Ukraina përparon ndjeshëm, Rusia synon të ‘josh’

Përparimi i vazhdueshëm dhe i qëndrueshëm ushtarak i Ukrainës përgjatë frontit jugor po shqetëson Kremlinin. Rusia po premton strehim falas për banorët e rajonit pjesërisht të pushtuar Kherson që duan të evakuohen në Rusi.

Zëvendëskryeministri rus Marat Khusnullin e bëri njoftimin menjëherë pasi udhëheqësi i mbështetur nga Rusia i Khersonit, një nga katër rajonet ukrainase të aneksuar ilegalisht nga Moska muajin e kaluar, i kërkoi Kremlinit të organizonte një evakuim nga katër qytete në rajon.

“Qytetet e rajonit Kherson, Nova Kakhovka, Hola Prystan dhe Chornobaivka janë subjekt i sulmeve të përditshme me raketa”, tha Vladimir Saldo.

Ai shtoi se “Këto goditje me raketa shkaktojnë dëme serioze, në radhë të parë për banorët. Ndër objektivat e goditura nga raketat janë hotelet, ndërtesat e banimit, tregjet, vende ku ka shumë civilë.”

Saldo tha se është marrë një vendim për evakuimin e banorëve të Khersonit në rajonet ruse të Rostovit, Krasnodarit dhe Stavropolit, si dhe në Krimenë e aneksuar.

“Dëshiroj t'ju kërkoj të ndihmoni në organizimin e këtij procesi. Ne, banorët e rajonit Kherson, sigurisht e dimë se Rusia nuk e braktis të vetën dhe Rusia gjithmonë ofron një dorë”, tha Saldo.

Lëvizja vjen ndërsa ushtria ukrainase vazhdon të bëjë fitime në jug. Forcat e armatosura të Ukrainës kanë raportuar fitime të qëndrueshme territoriale përgjatë frontit jugor, duke përfshirë rimarrjen e 75 vendbanimeve në rajonin Kherson në muajin e fundit, tha Ministria për Riintegrimin e Territoreve të Pushtuara Përkohësisht të enjten mbrëma.

Në lindje, forcat e armatosura të Ukrainës kanë rimarrë 502 vendbanime në rajonin e Kharkiv, 43 në rajonin e Donetsk dhe shtatë në rajonin e Luhansk, tha ministria.

Mëngjesin e sotëm, Rusia vazhdoi sulmet e saj në të gjithë Ukrainën. Sulme të shumta raketore ruse tronditën kryeqytetin e rajonit Zaphorizhzhia gjatë natës.

Burimi: AP

Të fundit