Flash News

Bota

Zv.presidentja amerikane Harris, apel për ndalimin e armëve

Zv.presidentja amerikane Harris, apel për ndalimin e armëve

Zv.presidentja amerikane, Kamala Harris, bën thirrje të ndalohen armët, ndërsa vetëm këtë muaj, Amerika u përball me dy masakra, më e rënda në Teksas ku një 18-vjeçar vrau 19 fëmijë dhe dy mësuese në një shkollë fillore. Përpara këtij sulmi në qytetin Uvalde, më 14 maj në Buffalo të Nju Jorkut, një person po 18-vjeç, hapi zjarr në një supermarket e nga të shtënat me armë mbetën të vrarë 10 persona. Në shënjestër kishte afro-amerikanët. Në të dy rastet u përdorën pushkë gjysmë-automatike AR-15.

Numri dy i Shtëpisë së Bardhë vuri në dukje se “është koha që të themi: mjaft është mjaft për dhunën me armë!”.

Të gjithë të ngrihen dhe të bien dakord që kjo nuk duhet të ndodhë në vendin tonë dhe ne duhet të kemi guximin të bëjmë diçka për këtë çështje.

Zgjidhja është e qartë dhe përfshin verifikimin e të kaluarës e ndalimin e armëve sulmuese. A e dini se çfarë është një armë sulmuese? Eshtë prodhuar për një qëllim të posaçëm: të vrasë sa më shumë njerëz, sa më shpejt. Një armë e tillë lufte, nuk ka vend në shoqërinë civile!

Autorit të masakrës së Teksasit, Salvador Ramos, i cili i kishte blerë armët sapo mbushi 18-vjeç, policia i gjeti 1 mijë e 657 fishekë dhe 60 karikatorë ndërsa agresori në Buffalo e kishte blerë ilegalisht një AR-15.

Zv.presidentja Harris shtroi pyetjen se përse dikush duhet të jetë në gjendje të blejë armë që të vrasë njerëz të tjerë, pa iu nënshtruar më parë një procesi të verifikimit?

Çështja e kontrollit të armëve ka ndarë spektrin politik amerikan. Pothuajse të gjithë demokratët mbështesin kontrolle më të rrepta të armëve, krahasuar me vetëm 24 për qind të republikanëve që janë për kontroll më të ashpër. Një reagim e pati edhe Donald Trump. Ish-presidenti sulmoi pasardhësin Joe Biden e rihodhi idenë e armatosjes së mësuesve në shkollat. Sipas tij, “kur dërgohen miliarda në Ukrainë, mund të bëhet më shumë për sigurinë e institucioneve arsimore amerikane”.

Të fundit