Flash News

KRYESORE

BSH ul përdorimin e euros, eksportuesit dalin kundër: Dëmtohemi drejtpërdrejtë!

BSH ul përdorimin e euros, eksportuesit dalin kundër: Dëmtohemi

Nisma e marrë disa ditë më parë nga Banka e Shqipërisë për uljen e përdorimit të monedhës “euro” duket se është një shqetësim më vete për ata që merren me eksporimin e mallrave. I pyetur nga  Economix, kreu i Shoqatës së Eksporteve, Alban Zusi ka thënë se këto përpjekje do ta zhvlerësojnë euron, por problemi qëndron tek aktiviteti eksportues pasi kjo është monedha me të cilën ata operojnë. Kështu që fitimi i kompanive do të ulet, gjë që do të thotë se edhe aktiviteti i tyre do të pësojë rënie.

“Jemi njohur me projektin e ri të Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave për deuroizimin e mjedisit financiar. Ajo që ne duam të dimë si eksportues, është bërja publike e të gjithë planit të deurozimit, me të gjithë elementet e arsyetimit pse bëhet, cilat janë kostot që kanë bankat duke mbajtur transaksione në euro dhe çfarë është më e rëndësishme, cila do të jetë vlera e euros në raport me lekun, pas këtij procesi. Pra, a do të sjellë ky proces zhvlerësimin e euros? Kjo pasi eksportet do të ishin të goditura, nëse euro zhvlerësohet”, shprehet Zusi.

Kryetari i Shoqatës së Eksporteve sqaron se aktualisht, sektori po i vuan pasojat e zhvlerësimit të euros. Humbjet janë të konsiderueshme për këtë degë të ekonomisë, që ka edhe një numër të madh të punësuarish. “Një vit më parë, euro shkëmbehej me rreth 140 lekë. Si pasojë e ndërhyrjeve në treg të faktorëve ndoshta jo ekonomikë, por edhe e përpjekjeve për deuroizim që bëri Banka e Shqipërisë një vit më parë, monedha europiane zbriti në nivele shumë të ulëta, afër 132-133 lekëve. Kjo rënie prej afro 6%, në fakt, është ulje e të ardhurave në total të binzeseve eksportuese me 6%. E krahasuar me fitimin, nëse do të konsideronim një fitim neto prej 15-20%, praktikisht bizneset eksportuese kanë pësuar rënie prej afro 30-40% të fitimit. Humbja që na ka ardhur nga rënia e euros është dy ose tre herë më shumë sesa tatim fitimi që paguajmë”, argumenton Zusi.

 

Të fundit