Buburrecat janë diçka që tregon shumë për kryeministrin

Fitim Zekthi

Në një ditë dimri shumë të ftohtë dhe me shumë borë, kur Musolinit po vinin deng telegramet nga lufta në Greqi, atë e kaploi një moment mërzitjeje dhe zemërimi shumë i madh. Telegramet flisnin për humbje të mëdha të ushtrisë italiane në territorin grek.

Duke parë nga dritaret borën që binte në Piazza di Venezia Musolini shkruan se këta ushtarë dhe këta oficerë të poshtër meritojnë të vriten, të masakrohen dhe të mbesin të gjithë në malet e Greqisë. Këta ushtarë dhe oficerë frikacakë po poshtërojnë Italinë dhe Musolinin, po e bëjnë këtë lider të madh të humbë luftën. Në një moment Musolini shfaq kënaqësi nga telegramet për humbjet e mëdha të ushtarëve italianë. Ai i imagjinon ata tufa tufa të shtrirë në borë të vdekur, i imagjinon si masa insektesh dhe kjo i jep një lloj kënaqësie.

Pak ditë më parë kryeministri i vendit Edi Rama shpërtheu në një nga takimet e rëndomta të bashkëqeverisjes me popullin, se atë po e hanin buburrecat. Kryeministri tha se administrata e tij dhe njerëzit e saj ishin buburreca që gërryenin trungun e pemës. Në  një farë mënyre kryeministri ishte trungu i bredhit apo i lisit të cilën po e gërryenin buburrecat. Ai tha se i shihte buburrecat teksa ata e gërryenin atë. Rama tha se në qoftë se nuk zhduken këta buburrecë, trungu, ai vetë, do të shembej. Pra kërkonte zhdukjen e buburrecëve.

Është një skenë gati e njëjtë me atë të Musolinit. Që të dy shprehen gati njëlloj dhe që të dy shfaqin përbuzje për ushtarët, oficerët, zyrtarët e administratës apo punonjësit e saj. Që të dy i shohin si insekte, si buburrecë apo brumbuj që po shkatërrojnë trungun, pemën e madhe dhe të fortë.

Qëndrimi i Ramës, megjithatë, ka një ndryshim thelbësor. Në qoftë se Musolini është i vetëm në zyrë dhe i zemëruar, i dëshpëruar për atë që ndodh, kryeministri ynë është përballë njerëzve, është në transmetim  drejpërdrejt në dhjetëra televizione.

Musolini nuk bën asgjë për propagandë. Është thjesht në zyrë dhe shkruan në ditar. Ai vetëm shpreh aty natyrën e tij të një lideri totalitar që e ka çuar popullin dhe ushtrinë e tij në një humnerë për idetë, planet dhe epshin e tij të panginjur për pushtet dhe lavdi. Ai aty shpreh, i vetëm në zyrë, përbuzjen e tij për ushtarët dhe oficerët të cilët po rrënojnë atë. Musolinit nuk i intereson fare fati i ushtarëve dhe i popullit të tij. Por këto gjëra edhe Musolini, fashist dhe propagandist i rrallë, nuk guxon t’i thotë në publik. Në publik ai mashtron popullin e tij duke folur për suksese dhe duke iu thurur lavde ushtarëve italianë që bien si heronj dhe mbajnë gjallë nderin e popullit dhe të Italisë.

Kryeministri Rama shpreh të gjithë ndjesitë e Musolinit, flet për veten si një trung dhe për ata që janë në administratë si buburreca, i përbuz ata dhe kërkon zhdukjen e tyre. Edhe kryeministri Rama, si Musolini, nuk e ka asfare ndërmend të shohë se është ai që e ka futur vendin në një rrugë qorre, në një rrugë ku mjerimi dhe korrupsioni jo vetëm prodhon paligjshmëri, por prodhon edhe mosfunsksionim të institucioneve.

Kryeministri Rama ka llogaritur gjithçka në atë qëndrim. Kryeministri nuk është duke shpërthyer nga zemërimi aty për aty se mori telegrame, siç mori Musolini. Kryeministri Rama është duke ushtruar pushtetin e tij si kryeministrër. A nuk është aktiviteti i vetëm i kësja qeverie takimet me “popullin”  dhe transmetimi i tyre drejtpërdrejt.

Kryeministri e di dështimin e plotë kudo. Kryeministri e di për ekonominë e shkatërruar, e di për vjedhjet e zgjedhjeve të vitit 2017, e di për përfshirjen e krimit në politikë, e di për akuzat ndaj Dakos dhe vendimin e SHBA-së për të, e di për akuzat për Valdrin Pjetrin dhe Kajmakun, e di për gjyqin Tahiri etj., dhe di edhe për autorin e tyre.

Të paktën në nënvetëdije ai di gjithçka. Takimet me “popullin” nuk bëhen fare për të zgjidhur një nga hallet e pensioneve apo hipotekave, por për t’i hedhur hi syve apo trutë e gomarit pikërisht popullit. Dhe kjo bëhet vetëm duke mos folur për krimin dhe drogën, për Dakon dhe raportin e OSBE-së për korrupsionin dhe mjerimin, por duke gjetur mënyrën për të thënë se ai rrethohet nga buburrecë, për të thënë se rreth tij në qeveri dhe parlament, në administratë dhe në bashki gjendet një ushtri që po e ha atë, që po gërryen pemën e madhe dhe të vetme të drejtë.

Pra, ai shkoi te qëndrimet e Musolinit në mënyrë shumë racionale dhe nëpërmjet një operacioni të kujdesshëm propagande. Por çdo operacion racional i mendjers njerëzore nuk mund të fshehë kurrë atë që është e vërtetë. Dhe operacioni i propagandës i ideuar me kujdes çoi gjithsesi te fati që kryeministri është  një mendje totalitare, bash si Musolini i cili e urren këdo, shfaq përbuzje për njerëz, ushtarë, oficerë, punonjës dhe funksionarë që mund t’i dëmtojnë atij lavdinë, suksesin dhe nuk ushqen epshin për pushtet.