Burg për protestuesit e opozitës, Spaho dhe Balliu: Fillimi i fundit të Edi Ramës

Dy ish-deputetët e Partisë Demokratike, Edmond Spaho dhe Klevis Balliu ndoqën seancën gjyqësore ndaj protestuesve të opozitës, që u lanë në burg nga gjykata. Spaho, në një deklaratë për mediat u shpreh se Shqipëria është i vetmi vend në Europë, që burgos protestues, ndersa shtoi se qytetaret do fitojne, duke e larguar Ramen nga pushteti.

“Për tre të ndaluar u vendos ‘arrest me burg’ pa fakte dhe prova. Shqipëria është ndoshta i vetmi vend në Europë që burgos kur proteston për të drejtat e tua. Qëllimi i prokurorisë dhe gjykatës është të dalë në mbrojtje të mazhorancës me synim se do të trembë protestuesit në protestat e ardhshme që do të organizohen kundër kësaj qeverie dhe Edi Ramës. Por janë të pashpresë në këto përpjekje që bëjnë sepse kur qytetarët përplasen me qeverinë fituesit janë qytetarët. Kështu do të ndodhë edhe me këtë mazhorancë dhe Edi Ramën, i cili shpejt do ta lërë karrigen e pushtetit”, nënvizoi Spaho.

Ndërsa paralajmëroi se protesta do të vijojë, pavarësisht burgosjes së qytetarëve ndërsa nuk la pa akuzuar edhe Gjykatën e Tiranës, që sipas tij është kthyer në ambient të Partisë Socialiste.

“Për Dorian Protoduarin ju them me bindje të plotë që as nuk ka qenë gjatë protestës, ka qenë me një nga kameramanët. Nuk ka qenë fare te pjesa ku pati shtyrje me policinë. Akt i turpshëm politik që i kthen këto gjykata në ambjente të PS, nuk mund të quhen gjykata. Edi Rama i shpalli sot ‘luftë’ Unazës së Re me këtë vendim të turpshëm ndaj Dorian Protoduarit dhe ne ashtu do të përgjigjemi. Do të të ndjekim se je në kafe, se je në restorant, se je në takime dhe protestojmë ndaj teje. Po deshe na fut në burg të gjithëve se edhe po na fute në burg, protesta do të vazhdojë dhe nga burgu. Nuk do të na ndalësh dot”, perfundoi Balliu.