Flash News

KRYESORE

Bushati kundër planit të Thaçit: Për Shqipërinë, statusi i Kosovës është çështje e mbyllur. Nuk rihapet në format dypalësh

Bushati kundër planit të Thaçit: Për Shqipërinë,

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati ka shprehur për herë të parë në mënyrë të qartë kundërshtimin për idenë e propozuar nga presidenti Hashim Thaçi, për ndryshimin e kufijve të Kosovës. Në një intervistë për gazetën ‘Panorama’, Bushati thekson se dialogu midis Prishtinës dhe Beogradit duhet të mbyllet me një marrëveshje të detyrueshme që siguron njohjen e ndërsjelltë.

Për Shqipërinë, thotë ministri i Jashtëm, statusi i Kosovës është çështje e mbyllur dhe se ajo nuk mund të rihapet as në format dypalësh dhe as shumëpalësh. Ai kërkon që Tirana dhe Prishtina të mos shpenzojnë shumë energji për mënyrën se si do të kompensohet Serbia për njohjen e Kosovës apo për rehabilitimin e saj në rajon.

“Nuk kemi pse shpenzojmë energji me nënyrën se si do të kompensohet Serbia në këmbim të njohjes së Kosovës, apo se si do të rehabilitohet ajo në rajon. Jo. Për Shqipërinë dhe aleatët e Kosovës, statusi i Kosovës është çështje e mbyllur dhe pavarësia e saj e pakthyeshme. Prandaj duhet të mbështetemi tek ato parime themelore që sigurojnë paqen dhe stabilitetin demokratik në rajon. Vështruar në këtë prizëm, statusi i Kosovës nuk mund të rihapet as në format dypalësh as shumëpalësh. E aq më tepër të bëhet objekt krahasimi me raste të tjera të kthyera në “konflikte të ngrira”, si pasojë e tolerimit të “parimit të rivendosjes”, çka do t’i dhuronte mundësinë për depërtim aktorëve të tretë në Kosovë dhe rajon”, shprehet Bushati.

Në marrëveshjen përfundimtare, e cila duhet të respektojë tërësinë territoriale të Kosovës, Ditmir Bushati kërkon edhe përfshirjen e çështjes së shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës.

“Në këtë prizëm, inkurajojmë vijimin e procesit të dialogut dhe arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme që respekton tërësinë territoriale të Kosovës, formën unitare të shtetit, karakterin multietnik dhe multifunksional, siç parashihet në Kushtetutën e Kosovës dhe mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës, në pajtim me detyrimet që ka Serbia dhe në përputhje me normat ndërkombëtare dhe të drejtën evropiane. Po ashtu, duhet pasur parasysh se çka është vendosur tashmë në kuadër të Paketës së Ahtisarit, e mishëruar në Kushtetutën e Kosovës, nuk do të mund të tjetërsohet përmes një marrëveshjeje të re”, thekson ministri.

Të fundit