Bushati: PS duhet t’i kërkojë ndjesë Shkodrës, krimi nuk është fenomen partiak

Ditmir Bushati ka kërkuar publikisht ndjesë për dështimin e PS-së në Shkodër, duke zgjedhur si kandidat për bashkinë e qytetit Valdrin Pjetrin, i cili u tërhoq, pasi kishte shkelur ligjin e dekriminalizimit.  Ish ministri i Jashtëm mendon se edhe Partia Socialiste duhet të bëjë një ndjesë zyrtare.

“Është fakt që ne gabuam në Shkodër. Kjo nuk ka të bëjë thjeshtë dhe vetëm me kandidatin që ne ofruam në zgjedhjet e 30 qershorit por mendoj se në Shkodër ka dështuar modeli ynë”, tha ai për A2.

Ish-ministri i Jashtëm ka qenë i deleguari i Kryesisë socialiste për Qarkun e Shkodrës.

Ai u ndal edhe te lidhjet mes krimit dhe politikës në vend

“Pse zona të caktuara të Shqipërisë janë vatër të përleshjeve të grupeve të ndryshme me prapavijë kriminale? Kjo është çështje që kërkon një vullnet mbipartiak. Nëse dikush mendon se ky është një fenomen që ka prekur Partinë Socialiste, Partinë Demokratike në disa raste, apo LSI në disa raste të tjera, mendoj se gabon kur e konsideron këtë një fenomen partiak”, tha ai.