Bylykbashi tregon pse nuk u pranua propozimi i opozitës për administratën zgjedhore

Përfaqësuesi i PD-së në Këshillin politik të reformës zgjedhore Oerd Bylykbashi ka folur sot për debatet për depolitizimin e administratës zgjedhore.

Ai akuzoi maxhorancën për tentativë për të kapur komisionin.

Në “Real Story” ai tha  se propozimi i opozitës ishte për një komision miks, 3 anëtarë jopolitikë, 2 maxhorancë dhe 2 opozitë me kushtin që administrata publike të mos ishte pjesë e kësaj trupe, por kjo gjë sipas tij nuk u pranua nga maxhoranca.

“Edi Rama u përpoq në fakt që të ndërronte kutinë e marsheve të reformës zgjedhore. Ai kaloi tek një temë që ishte ‘qeni që flinte’, nuk kishte nevojë ta zgjonte. Administrata zgjedhore është e ndarë, 50% e kontrollon maxhoranca dhe 50% opozita. Nuk ka konflikt tek palët politike për komisionet, është mbyllur.
Për sa kohë ne na duhej ta përmirësonin performancën nuk kishim pse ta ndryshonim mekanizmin. Rama tha depolitizimi, depolitizimi ndërkohë që këtë nuk e kërkonte as ODIHR. Jo vetëm nuk e ka këtë, por ka një deklaratë të 2017 që Shqipëria nuk është në kushtet e një ndryshimi të menjëhershëm por duhet një reformë graduale për shkak të politizimit të administratës publike. Konfirmohet dhe nga rekomandimet e vitit 2019 të zonjës Glover që tha duhet depolitizuar administrata publike.
Prapaskenat e atij debati…Në propozimin tonë më 9 mars ne propozuam që administrata të ishte mikse, 3 opozitë, 3 maxhorancë dhe ai që do ishte nga KQZ.

Më pas u ra dakord që do ishin 3 jopolitikë, 2 maxhorancë, 2 opozitë. Ne kërkuam që administrata publike të mos ishte pjesë e kësaj trupe të paktën gjatë kësaj periudhe tranzitore.
Opozita deklaroi që e pranojmë modelin miks dhe nuk do pranojmë administratë publike. Edi Rama tha dakord e lëmë kështu siç është.
Kjo prodhoi historinë banale të Edi Ramës, që ja donin të mbanin status quo-n.
Këto tentativa që duan të mbajnë modelin e vjetër të KQZ ishin të gjitha fluska dhe nëse do kishin pranuar propozimin tonë do ishte administrata mikse. Komisionerët politikë nuk do kishin vendimmarrje. Do kishin një rol monitorimi por jo vendimmarrje. Rama kur e pa që ‘nuk e kapim’ komisionin u tërhoq”, deklaroi Bylykbashi.