Cakaj “qetëson” shqiptarët jashtë vendit: Nëse keni kaluar afatet në Schengen, s`do penalizoheni

Me një seri njoftimesh, disa ditë pas një reagimi të Ditmir Bushatit, Ministria për Evropën dhe Punët e jashtme ka shpërndarë informacion për qytetarët shqiptarë që ndodhen jashtë vendit, dhe mund të ndodhen në kushtetet e tejkalimit të afateve të vizave. Në një nga njoftimet e datës 19 mars, MEPJ, u njoftuan qytetarët shqiptarë në Francë dhe Gjermani, se nëse ndodhen në kushtetet e tejkalimit të qëndrimit të lejuar në zonën Schengen, ata nuk do të penalizohen.

“Njoftim për qytetarët shqiptarë që ndodhen në Gjermani dhe në Francë. MEPJ informon të gjithë shtetasit shqiptarë që ndodhen në Gjermani, të cilët tejkalojnë qëndrimin e lejuar në hapësirën Schengen dhe dëshmojnë se për shkak të situatës së Covid-19 e kanë të pamundur lëvizjen, nuk do të penalizohen”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Ministrisë së Jashtme.

I njëjti njoftim u shpërnda edhe për shqiptarët që ndodhen në Belgjikë dhe në Danimarkë, ku sipas MEPJ, “Shërbimi Danez i Emigracionit ka vendosur të mos marrë parasysh periudhën e tejkalimit të vizës afat-shkurtër, në rast se qytetarët nuk kanë pasur mundësi të lenë Danimarkën për shkak të anullimit të fluturimit, ose shkaqe të tjera që i kanë detyruar të qendrojnë në shtetin danez”.

Ndërsa shton se “Autoritetet belge njoftojnë, se edhe pse ky vend është nga të paktët e BE-së që nuk i kanë mbyllur kufijtë, e njeh situatën e krijuar dhe nuk do të penalizojë shtetasit që kalojnë kohën e qëndrimit në zonën Schengen, por ata duhet njoftojnë me email komunën, ku po qëndrojnë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme. Në një tjetër njoftim të së enjtes, Ministria Publikoi dhe numrat e telefonit në disa vende të botës, ku shtetasit shqiptarë mund të telefonojnë për të kërkuar ndihmë.