Flash News

KRYESORE

"Çako u shkarkua me 'fletë lavdërimi'. Protesta e 27 janarit vetëm fillimi i lëvizjes së frontit opozitar"

3 pyetje nga Politiko për Edi Palokën

 

1-Shkarkimi i Haki Çakos, çfarë është për ju, lëvizje e Xhafajt për të hequr njerëzit e Tahirit, apo reflektim i Ramës për faktin se, ata që 'e mbollën' nuk mund edhe 'ta zhdukin'?

Në fakt, nuk është as njëra as tjetra. “Njerëzit e Tahirit” apo të Xhafajt, janë në radhë të parë njerëzit e Ramës. Shkarkimi i Çakos, ashtu si i Tahirit, janë lëvizje të detyruara të Ramës. Rama “preu” kokën e Çakos me shpresë se do të shpëtojë kokën e tij.

Vini re: Çako shkarkohet duke marrë 'fletë lavdërimi' për punën e tij. Duket si absurde, por ka të bëjë pikërisht me lëvizjet e detyruara të Ramës. Tahiri, Çako dhe gjithë kupola drejtuese e policisë, u demaskuan nga shërbimet partnere të sigurisë si bashkëpunëtorë me krimin e organizuar në Shqipëri. Në këto kushte Rama detyrohet t'i largojë. Po çfarë ndodh: në vend që të dërgohen përpara drejtësisë, ata mbrohen me çdo mënyrë (rasti i Tahirit), apo edhe shkarkohen duke u lëvduar si Çako. E gjithë kjo vjen sepse, si Çako ashtu dhe Tahiri, kanë vepruar jo vetëm me dijeni të Ramës (fakt i dokumentuar tanimë), por edhe me porosi të tij. Kanabizimi i vendit ishte një strategji e tërë e Ramës, që një nga qëllimet finale kishte blerjen e zgjedhjeve me paratë dhe ndihmën e krimit.

Për këto arsye, as ndryshimi i ministrave e as i “njerëzve të tyre”, nuk ndryshon asgjë sepse përgjegjësi kryesor, Rama, vazhdon të mbetet në pozitat e tij.

2- A është mbyllur 'çështja Tahiri', duke marrë parasysh se iu kthye pasaporta deputetit dhe u lirua me kusht miku i tij Sota?

Rama po bën ç’është e mundur për ta mbyllur 'çështjen Tahiri', jo se i dhimbset Tahiri, por sepse e di që ajo gropë e zezë ku ka rënë Tahiri, do ta thithë edhe atë vetë.

Për këtë arsye Rama kaloi në akte ekstreme duke shkelur çdo rregull, përfshi edhe ato që i ka bërë vetë, siç është pjesa e Kushtetutës, që përfshin reformën në drejtësi. Qëllimi kryesor që Rama nxitoi të bëhej edhe Prokuror i Përgjithshëm duke shkelur në mënyrë flagrante ligj dhe Kushtetutë, ishte pikërisht shpëtimi i Tahirit dhe largimi i rrezikut nga vetja. Por, pavarësisht të gjitha këtyre përpjekjeve të Ramës, unë mendoj që çështja Tahiri nuk është më në duart e tij, është përtej tij dhe as Tahiri e as Rama nuk do të shpëtojnë lehtë nga kjo vorbull që po i thith.

3- Protesta më 27 janar. Çfarë të presim prej tyre: front opozitar, shumë njerëz apo shumë revoltë?

Protesta e parë shënon vetëm fillimin e lëvizjes së një fronti opozitar i cili tashmë e ka të përcaktuar qëllimin final të kësaj lëvizjeje e që është largimi i Ramës si kryeministër. Në shërbim të këtij qëllimi do të jenë të gjithë planet dhe lëvizjet e opozitës në vazhdim.

*Politiko.al

Të fundit