Flash News

OP-ED

“Carcere Duro"

“Carcere Duro"

Red Varaku


Deklaratat e imamit Ahmed Kalaja në mbrojtje të një ashtuquajturi “bos i drogës” nga Partia Demokratike, duhet të ishin alarm për shoqërinë tonë, por në fakt nuk shkaktuan as edhe një reagim. Me sa duket ajo është aq e mpirë, sa nuk ndjen më thika të tilla me helm pas shpine. Madje, për ironi pati nga ata që iu bashkuan qëndrimit të imamit. Situata të tilla ku krimi ulet në “krye të sofrës”, nderohet dhe respektohet si askush tjetër, janë bërë normale në një shoqëri të lodhur dhe të dorëzuar si kjo e jona. 

Në fakt, pamje të tilla jemi mësuar t’i shikojmë vetëm nëpër filma të cilët trajtojnë ngjarje dhe personazhe të Mafia-s ku qëndrime të tilla të njerëzve të “Zotit” nuk ndodhin për herë të parë. Kisha katolike më herët i kishte dalë në mbrojtje Totò Riinës, prijësit më të egër dhe të pamëshirshëm të Cosa Nostra-s. “Totò Riina,”-deklaronin priftërinjtë-“ është një besimtar i devotshëm”, mbase edhe për faktin që ai ishte njekohësisht edhe një nga financuesit dhe donatorët më të mëdhenj të saj. Është e njëjta lidhje, i njëjti fenomen. Është momenti ku krimi, përveç institucioneve të ligjit, kontrollon edhe institucionet e moralit dhe ndërgjegjes, instituicione të cilat zakonisht bien të fundit. Ky është ndër treguesit kryesorë, që shoqëria ndodhet në një gjendje tejet të rënduar, gati drejt kolapsit përfundimtar.

Ashtu si në Italinë e viteve 1980, “bosët e krimit”, jo vetëm që kontrollojnë gjithçka, duke filluar nga tenderat publikë, drogën dhe kontrabandën, por edhe jetën shoqërore. Jo vetem kaq, ashtu si edhe në Italinë e viteve 1980, është krejt e paqartë ku fillon politika dhe ku mbaron krimi, a e kontrollon krimi politikën apo e kontrollon politika krimin. Situata ka dalë tërësisht jashtë kontrollit. Krahina dhe qytete të tëra janë lënë nën kontrollin e krimit. “Antimodelet” që ata përfaqësojnë janë sot modelet më të respektuara. 

Shoqëria italiane ka vuajtur të njëjtat pasoja të krimit dhe mafias, që po vuan edhe shoqëria shqiptare. Politika bënte pakt me kriminelët për të fituar vota dhe pushtet. Bosë të organizatave mafioze të dënuar përjete liroheshin nga burgjet dhe përcaktonin deri se kush bëhet deputet. Aleanca e injorancës me politikën është bërë shumë e dhunshme ndaj qytetarëve të ndershëm me kalimin e kohës. 

Deputeti Oerd Bylykbashi sugjeron diçka që fqinjët italianë kanë kohë që e kanë bërë: Neni 41 - bis "Carcere Duro", në shqip "Burgim i Rëndë". ”Është një burgim per bosët e krimit ku të mos kenë kontakte me botën, dhe të mos kenë mundësi të drejtojnë trafiqet dhe punët e fëlliqura kriminale nga qelia, ndërkohë që shohin televizor me ekran të madh HD, vendosin baste e japin urdhëra e porosi kriminale me telefon dhe zgjedhin llojin e pijes alkoolike qe ua shërben i burgosuri "shërbëtor" nën "mbikqyrjen", me të dy sytë mbyllur, të administratës së Burgjeve dhe, kur të duan, marrin liridalje për t’u dukur edhe në barin në qendër të qytetit”- shton Bylykbashi. 

Regjimi i këtij burgimi prodhoi numrin më të madh të të penduarve në historinë botërore të krimit, sepse ishte shumë më i ashpër. “Burgimi i rëndë” prodhoi efektet e dëshiruara për shoqërinë italiane, sepse ktheu në qeli hajdutët që sot janë në fronin e pushtetit, si dhe riktheu në fronin e pushtetit njeriun e ndershëm. Por, sigurisht që nuk duhet të jemi aq naivë sa të mendojmë që krimi do të zhduket. Krimi është bashkëudhëtar me shoqërinë dhe me zhvillimin, por të paktën, ashtu si ujrat e zeza, ai duhet të jetë i kontrolluar dhe nëntokë, në mënyrë që të mos infektojë dhe qelbë dynjanë. 

 

Të fundit