Flash News
Si e toleroi Ceno Klosi kompaninë e inceneratorëve, negociatat e dyshimta për miliona euro
Flet Abazoviç: Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE
Pas arrestimit të Berberit, Rama emëron drejtorin e ri të Autoritetit Rrugor Shqiptar
Përfshihet në flakë një apartament te bulevardi ‘Zogu i Parë’ në Tiranë
Berisha: Ishim opozita e parë që kërkuam anëtarësimin në NATO pas rënies së komunizmit
Çavusoglu qetëson Prishtinën: Marrëdhëniet me shtetet e tjera, nuk ndikojnë në politikën tonë ndaj Kosovës
Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, tha se është prioritet i Turqisë që Kosova të jetë e fortë në çdo fushë dhe se marrëdhëniet e Turqisë me shtetet e tjera asnjëherë nuk ndikojnë në politikën e Turqisë ndaj Kosovës.
Në konferencën e përbashkët për media pas takimit me homologun e tij nga Kosova, Behgjet Pacolli, Çavuşoğlu tha se në takim është diskutuar gjerësisht për marrëdhëniet mes dy shteteve.
"Jemi të lumtur që vëllai im i vlefshëm, Behgjeti, i cili ka filluar detyrën rishtazi, realizon një nga vizitat e para në Turqi", tha Çavuşoğlu, raporton ‘AA’.
Ai nënvizoi se njohja e Kosovës, marrja e statusit të saj në organizatat ndërkombëtare dhe integrimi euroatlantik i saj janë të rëndësishme për Turqinë.
"Mbështetjen që kemi dhënë deri sot, do të vazhdojmë ta japim tutje", shtoi Çavuşoğlu.
Duke vënë theksin mbi rëndësinë e zhvillimit ekonomik të Kosovës, ministri turk Çavuşoğlu u shpreh: "Për ne është prioritet që Kosova të jetë e fortë në çdo fushë dhe të qëndrojë në këmbët e veta. Në këtë drejtim, Turqia dhe kompanitë turke do të luajnë rol të rëndësishëm në investimet që forcojnë ekonominë e Kosovës".
Ai theksoi se Turqia do të vazhdojë ta mbështesë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
"Mendimet tona lidhur me këtë çështje ne ua shpalosëm edhe bashkëbiseduesve tanë gjatë vizitës së fundit në Beograd", njoftoi shefi i diplomacisë turke.
"Stabiliteti i rajonit është me rëndësi, por, për sa i përket sigurisë dhe stabilitetit të rajonit, siguria dhe stabiliteti i Kosovës kanë rëndësi jetike. Ne jemi të vetëdijshëm për këtë gjë", u shpreh Çavuşoğlu.
Po ashtu, Çavuşoğlu tha se inkurajojnë biznesmenët turq që të bëjnë më shumë investime në Kosovë.
"Biznesmenët tanë kanë marrë përsipër projekte të rëndësishme në Kosovë. Edhe në periudhën në vijim, ne duam që Kosova të vazhdojë t'u besojë kompanive turke kur bëhet fjalë për projekte për zhvillimin e vendit", theksoi Çavuşoğlu, duke shtuar se marrëdhëniet mes dy vendeve do të jenë edhe më të mira në vijim.
"Ne e shohim vendosmërinë e njëjtë edhe në qeverinë e sapoformuar të Kosovës", shtoi ai.
Çavuşoğlu tha se kompanitë turke kanë vullnet të madh për të marrë përsipër projekte në fushën e aeroporteve, transportit dhe energjisë.
"Marrëdhëniet që ne kemi me Kosovën nuk i shohim si alternativë e marrëdhënieve që kemi me shtetet e tjera. Marrëdhëniet e mira me shtetet e tjera asnjëherë nuk ndikojnë dhe nuk e ndryshojnë politikën tonë ndaj Kosovës. Ne kemi vendosmëri të plotë për këtë gjë, sepse populli i Kosovës është popull vëlla për Turqinë", tha shefi i diplomacisë turke, Mevlüt Çavuşoğlu.