Flash News
Flet Abazoviç: Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE
Pas arrestimit të Berberit, Rama emëron drejtorin e ri të Autoritetit Rrugor Shqiptar
Përfshihet në flakë një apartament te bulevardi ‘Zogu i Parë’ në Tiranë
Berisha: Ishim opozita e parë që kërkuam anëtarësimin në NATO pas rënies së komunizmit
Lirohet nga qelia ish-kryebashkiaku i Fushë Arrëzit, Fran Tuci
Çdo ditë në Shqipëri divorcohen 15 çifte, bilanci i frikshëm
“Derisa vdekja të na ndajë”. Duket se shqiptarët nuk po i qëndrojnë besnikë kësaj shprehje në vitet e fundit. Mjafton t’u hedhim një sy shifrave të përllogaritura nga INSTAT, 31 divorce në 100 martesa në vitin 2016. Po pse po ndodh kjo? Arsyet kryesore, që japin ekspertët ligjorë dhe ata të fushës psikologjike, lidhen fort me shoqërinë shqiptare ndër vite: dhuna, varfëria, emigracioni, mblesëritë. Por, duket se të tjera arsye po bëhen të dukshme, si rritja e pozicionit të femrës në shoqëri, diferencat në arsim dhe në prioritet, apo edhe bixhozi etj. Divorci është një proces i gjatë, i lodhshëm, i kushtueshëm dhe shpeshherë me pasoja të rënda shoqërore.
Divorcet janë të shtrenjta për palët e përfshira dhe ky proces ka edhe implikime në ekonominë e një shteti. Në studime të fundit ndërkombëtare, janë gjetur lidhje mes normës së divorceve dhe ekonomisë së shëndetshme. Me divorcin vjen nevoja për një shtëpi tjetër (në rastin konkret me qira), burim energjie dhe ujë, kosto transporti dhe shpenzime të tjera. Duhen pasur parasysh edhe pagesat për kujdesin e fëmijëve (në rast se ka) pas divorcit, pagesa për bashkëshorten (e rënë dakord në gjykatë apo edhe sipas ligjit të ndarjes së pasurisë), si dhe sistemi i sigurisë sociale (në rast lëshim urdhri mbrojtje, strehimi i një ish-bashkëshorteje nga shteti etj.
Divorcet, në rritje drastike
Sipas shifrave të fundit të bëra publike nga INSTAT, divorcet kanë shënuar rritje drastike nga viti 2001 në vitin 2016, përkatësisht nga 9,6 në 31 divorce për 100 martesa. Viti 2016 shënon numrin më të lartë të divorceve ndër vite, 5.582 divorce. Evidencat statistikore të marra nga Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë tregojnë se nga janari i këtij viti deri në shtator, ka pasur në total 1393 padi për zgjidhje martese, ku jo të gjitha rastet janë përfunduar dhe 50 prej tyre janë ankimuar. Nga ana tjetër, edhe rastet për caktimin e kujdestarisë janë të shumta. Në të njëjtën periudhë kemi 48 padi, 3 prej të cilave ankimuara. Një tjetër çështje civile që u shtohet rasteve të natyrës familjare, është pjesëtimi i pasurisë bashkëshortore. Janë gjithsej 98 raste në 8 muaj të këtij viti, 5 prej të cilave të ankimuara.
Po t’i referohemi vjetarit të statistikave të Ministrisë së Drejtësisë, për vitin 2015, togat e zeza zgjidhën 7,080 lidhje martesore. Tirana rezulton qyteti me numrin më të madh të divorceve, 1,665, nisur edhe nga fakti se është qyteti me më shumë banorë në Shqipëri.
Referuar të dhënave, vihet re se gjatë 2015-s, numër i lartë i divorceve është regjistruar në qytetet bregdetare (kryeson Vlora me 735 çështje) dhe në ato me emigracion më të lartë si Elbasani (me 632 çështje).
Arsyet kryesore, veçanërisht në vitet e fundit, janë ato ekonomike, emigracioni, që do të thotë, në mungesë të punës, shumë meshkuj shkojnë të jetojnë dhe punojnë jashtë që të sigurojnë të ardhura dhe vijnë rrallë këtu, kjo sjell çekuilibrim të marrëdhënies bashkëshortore. Arsye të tjera janë: dhuna, kumari, por ka edhe shumë të tjera specifike./Monitor