Flash News

OP-ED

Çeku politik në duart e opozitës

Çeku politik në duart e opozitës

Namir Lapardhaja

Një ditë pas të shtatave të votimeve të 30 qershorit, opozita shqiptare ka njoftuar për protestën e radhës. Në pikë të zhegut të korrikut, demokratët dhe përkrahësit e tjerë të partive opozitare, pritet që t’i përgjigjen thirrjes për të protestuar, ashtu siç i janë përgjigjur tash e gjashtë muaj nga fillimi i tyre më 16 shkurt. Ndonëse kanë rrjedhur shumë ujëra nga ajo datë, një gjë ka ngelur e pandryshuar: masiviteti i të gjithë tubimeve të këtyre muajve, pa çeduar në asnjë moment, pavarësisht shpeshtësisë së tyre, dhe të qenurit paqësore, pa shkaktuar trazira dhe probleme, që të vinin në rrezik jetën e punonjësve të rendit ose të protestuesve.

Kjo sigurisht që është meritë, në radhë të parë, e drejtuesve të opozitës. Ashtu siç ka ngelur e pandryshueshme ideja se vetëm me protesta nuk ndodh ndryshimi i pushtetit. Pavarësisht masivitetit dhe intesitetit të këtyre tubimeve, qeveria socialiste në dukje vijon e pashqetësuar axhendën e saj, duke kulmuar me mbajtjen e votimeve të njëanshme më 30 qershor, pa pjesëmarrjen e partive opozitare, duke u kthyer 30 vite pas në regjim monist, ku partia vet organizonte, vet votonte dhe vet certifikonte. Edhe pse përgjatë fushatës së zgjedhjeve lokale Edi Rama u kujdes që të zhvillonte takime me flamuj kombëtar, jo partiak, me simbole kombëtare etj. dhe u krenua se do të ndiqej nga të gjithë shqiptarët, sërish ata e nxorën qesharak, duke refuzuar këtë lloj maskarade që po u bëhej.

Në votimet e 30 qershorit Rama ra viktimë e bastit të vet. Ai propozoi zgjedhje popullore dhe përfundoi në votime partiake. Edhe ato më pak se në zgjedhjet e vitit 2017. Në kushtet e një refuzimi të farsës së Edi Ramës nga rreth 80 për qind e shqiptarëve, është radha e opozitës që, ndonëse nuk mori pjesë në këto zgjedhje, ta lexojë këtë pjesëmarrje me syrin e arsyes, kthejlltësinë e mendjes dhe ftohtësinë e zemrës. Nëse ajo vijon e thotë se ky refuzim është automatikisht mbështetje për të, thjesht do të dukej qesharake. Por nëse ky refuzim lexohet si një një potencial i madh për opozitën, atëherë kjo është një premisë e mirë për t’ia filluar.

Refuzimi që shqiptarët i bën Edi Ramës më 30 qershor nuk duhet parë si një mbështetje e sigurt për PD-në, por si një ofertë që ajo të gjejë zgjidhje për alternativën e pushtetit. Shqiptarët i dhanë opozitës një çek të bardhë politik të pambushur. Është koha që PD-ja ta marrë këtë çek dhe ta plotësojë. Plotësimi i këtij çeku fillon tek rikthimi në tryezën e bisedimeve dhe të dialogut, gjë që do të sjell PD-në në shinat e normalitetit dhe të insititucioneve.

Në demokraci janë institucionet ato që e garantojnë rotacionin politik, përndryshe do të kishim anarki dhe kaos. Narrativa e militarizimit të protestave, pavarësisht se maksimalizon elektoratin partiak, nuk i jep mundësi elektoratit gri dhe të pavendosur (ata që bëjnë diferencën në këto zgjedhje) që të afrohet tek opozita për arsye të mungesës së alternativës dhe pasigurisë që sheh tek konflikti i mbajtur ndezur. Në këtë kuptim, protestat e kësaj natyre e arritën synimin e tyre dhe vijimi me to thjesht do të lodhte njerëzit.

Tanimë, është momenti që PD-ja dhe opozita t’u tregojë shqiptarëve alternativën qeverisëse. Është e qartë që Edi Rama prej kohësh është në pushtet për shkak të inercisë. Votimet e 30 qershorit vetëm me kandidatët e tij, e nxorën më në pah një gjë të tillë. Ndaj i duhet opozitës t’i rikthehet sistemit, si një forcë e besueshme dhe e arsyeshme, në mënyrë që t’u jepet shansi shqiptarëve që të kenë mundësi ta dënojnë me votë keqqeverisjen e Edi Ramës.

Në këto kushte, opozita ka nevojë për një narrativë të re, të sinqertë, të besueshme dhe të qartë, që duhet t’u ofrojë shqiptarëve shpresë për të ardhmen dhe mundësi për të përmirësuar jetën e tyre. Opozita ka nevojë për një performancë tjetër në daljet e saj publike dhe, përveçse t’u tregojë shqiptarëve se Rama ka rënë (ata e dinë më mirë një gjë të tillë), mbi të gjitha, ajo duhet t’i japë përgjigje pyetjes: pse shqiptarët duhet të të ndjekin ty?

Të fundit