Çfarë do të bëjë Edi Rama me këtë fitore? 

Alfred Lela

Edi Ramës ‘i ndrinte si smerald’ lumturia, në mimikën dhe fjalët e thëna, pas finalizimit me bujari të Konferencës së Donatorve me një çek 1.15 milardësh. Që do të thotë pak më shumë se sa kishte përllogaritur qeveria shqiptare në inventarin e dëmeve të 26 nëntorit. Që do të thotë shumë më shumë se ajo shpresonte të merrte në Bruksel, ku prej 7 vitesh ka marrë fjalë të mira dhe trastën bosh.

Kjo kthesë e madhe në fatin e Edi Ramës mund të pasohet nga një tjetër e pritshme, hapja e negociatave në pranverë, që do t’i jepte atij një platformë të shkëlqyer për të ndërtuar profilin elektoral të një fushate zgjedhore që sheh për nga mandati i tretë.

Këtu nis rreziku i parë i kësaj fitoreje: përdorimi, jo i kapitalit politik të donacioneve bujare të botës, por i kapitalit finaciar për qëllime elektorale, për të yshtur kompani, njerëz, grupe, duke e përdorur procesin e rindërtimit si një bankë favoresh për klientët e zakonshëm politikë, për të dyshuarit e përhershëm.

Rreziku i dytë ka të bëjë me devijimin e fondeve për procesin e rindërtimit në drejtime të tjera, që kanë të bëjnë pak ose aspak me traumën materiale dhe shpirtërore të tërmetit të 26 nëntorit të vitit të shkuar. Edhe pse ka një kushtëzim të donatorëve, se ku dhe si do të përdoren fondet, ka gjithashtu prova dhe perceptim të mjaftueshëm për ‘mjeshtërinë diabolike’ të zyrtarëve shqiptarë për të hapur dhe gjetur vrima zhvatjeje.

Rreziku i tretë, i cekur paraprakisht në një raportim të Politiko, ka të bëjë me skualifikimin e kategorive të të dëmtuarve nga tërmeti. Nëse lista e të dëmtuarve firon gjatë rrugës, nëse pallatet e shpallura ‘të pabanueshme’, në fillim të kategorive DS4 dhe DS5, fillojnë e ‘zhgradohen’ duke u rikonstruktuar dhe bërë ‘të banueshme’, procesi do të njolloset.

Rreziku i katërt është korrupsioni, apo thënë shqip, vjedhja. Kryeministri ka ngritur një Ministri të Rindërtimit dhe po flet për idenë e një Akademie të Transparencës (e vetmja ndihmë amerikane në proces, siç theksoi), emrat dhe ekzistenca e të cilave nuk janë garantë, as të rindërtimit dhe as të transparencës, por mund të jenë vazhdim i një tradite korruptive, sidomos në rastin e parave ‘qyl’, siç mund të konsiderohet në Shqipërinë qeveritare përmasa filantropike e donacioneve të huaja.

Këto janë rreziqet para Ramës dhe Shqipërisë. Nëse trauma e tërmetit i mbivendoset jo pak traumave të mëparshme të tranzicionit, duke mos mundur ta menaxhojë dhe konceptojë si duhet as dhimbshurinë që përfaqësojnë këto fonde nga bota, Edi Rama mund të ketë fituar në terma afatshkurtër, por për Shqipërinë do të jetë një ‘fitore si e Pirros’.