All - Scripts - 4
All - Scripts - 5

Flash News

Desktop - General - 1

OP-ED

Çfarë do të sjellë pas 30 qershori

Çfarë do të sjellë pas 30 qershori
All - Paragraf - 1

Fitim Zekthi

All - Paragraf - 3

Zgjedhjet e 30 qershorit ishin, për kryeministrin Rama, edhe më të rëndësishme se sa zgjedhjet e para dy viteve apo zgjedhjet e vitit 2013, kur mori pushtetin.

Sigurisht, ai kërkonte të fitonte me çdo kusht zgjedhjet e vitit 2013, sepse përndryshe do të largohej nga politika, por në këto zgjedhje shkonte shumë i qetë sepse ishte në koalicion me LSI, ndihmohej nga konsumimi i qeverisë Berisha, mediat dhe opinionin publik në vend, dhe i kishte hedhur popullit, si tagji për ushqim, përralla si “shëndetësia falas”, “legalizime falas”, “300 mijë vende pune” etj.

Në zgjedhjet e vitit 2017, ai kërkonte me çdo kusht të fitonte, por kishte qetësi sepse kishte ngritur mekanizmin e testuar në Dibër, në zgjedhjet e pjesshme lokale, me anë të cilit arriti të prodhonte 'tërmet' dhe kishte të paktën 4 muaj (gjatë kohës që PD protestonte në çadër) që thuajse i kishte zgjidhur çështjet që kishin të bënin me 'tërmetin'.

Zgjedhjet e 30 qershorit ishin ndryshe. Në këto zgjedhje Rama nuk donte të fitonte bashkitë. Ai mund t'i linte edhe të gjitha bashkitë (me përjashtim të Tiranës së Veliajt), mjafton që opozita të merrte pjesë në to. Me zgjedhjet e 30 qershorit Rama kishte vendosur të luante gjithçka për gjithçka. Ai vendosi të hyjë i vetëm, vendosi të mbrojë me këmbëngulje të thellë pushtetin e tij, postin e kryeministrit.

Rama pati thënë në ditët dhe javët para zgjedhjeve se kërkesa e opozitës për dorëheqje të tij dhe qeveri tranzitore ishte pa kuptim, se kjo kërkesë tregonte krizën e saj, se populli ishte kundër opozitës, se zgjedhjet janë të popullit dhe jo të partive, se opozita po pengonte Shqipërinë dhe se populli do ta ndëshkonte atë.

I lidhur pazgjidhmërisht me postin e kryeministrit ai e futi veten në rrugën e zgjedhjeve të njëanshme, njëpartiake. Kjo rrugë do të dilte me sukses dhe ai do t'i mundte të gjithë, vetëm në një rast. Ky rast do të ishte fitorja totale e tij.

Rama duhet që të bënte të mundur që në zgjedhje të dilte populli si gjithnjë, duhet që në zgjedhje të kishte pjesëmarrje rreth 50% siç ka patur gjithnjë në dy dekadat e fundit, Rama duhet të bënte që më shumë se 1 milionë e gjysëm shqiptarë të dilnin në zgjedhje si gjithnjë, si shenjë e faktit që atyre nuk ua merr peng zgjedhjet askush, as opozita.

Rama doemos donte që ta deligjitimonte opozitën, atë 'opozitë antishqiptare', atë opozitë që ka marrë peng vendin, atë opozitë që punon kundër integerimit dhe kundër Shqipërisë, dhe të bënte që votuesi i saj të dënonte këtë opozitë antishqiptare.

Në rast se pjesa kryesore e votuesve të kësaj opozite do të ndiqnin opozitën, atëherë Rama do të dështonte keq. Atëherë kjo pjesë e madhe e votuesit të opozitës ose ishte antishqiptare, ose ishte dëshironte të keqen e Shqipërisë. Në të këtë rast Rama ka shpallur armiq një pjesë të popullit. Kjo do të ishte një situatë që nuk ka të bëjë fare me demokracinë, por me forma regjimesh të mbështetura te lufta e klasave.

Në këto kushte Rama kishte nevojë dramatike që të nxirrte sa më shumë njerëz në zgjedhje. Idea do të ishte që ai të nxirrte të paktën 30-32 përqind të trupës votuese, ose rreth 1 milionë e ca votues. Me këtë shifër Rama do të thoshte se u përplasën 1 milionë shuplaka në fytyrën e atyre që nuk duan Shqipërinë, në fytyrën e Lulit dhe Monës, në fytyrën e 'opozitës antishqiptare'. Kjo shifër mund t’ia lejonte, ndonëse qëndrimi në shtëpi i rreth 500 mijë votave do të thoshte se një pjesë e madhe e “popullit opozitar” ka ndjekur opozitën dhe i ka dhënë asaj të drejtë.

Në qoftë se do të mund të nxirrte 1 milionë e ca votues në zgjedhje, Rama do të mund të fliste për votues të opozitës që braktisën 'opozitën antishqiptare', që nuk lejoi që zgjedhjet të merreshin peng nga opozita etj. Në kushte të tilla, Rama do të mund të fliste për një opozitë të re që po lindte, që do të ishte Bindja Demokratike, dhe për një opozitë të vjetër, si PD që shkrihej.

Në fakt teza e shkrirjes së PD-ka qarkulluar me kohë nga Rama dhe njerëzit pranë tij, që nga viti 2013, gjë nuk do të ndodhë edhe për disa dekada, por kjo është një analizë tjetër.

Në pamundësi për të nxjerrë 30-32 përqind, Rama do të kërkonte me çdo kusht që të nxirrte aq votues sa mori PS-ja në vitin 2017. Kjo nuk do t'i jepte Ramës asnjë të drejtë, por do t'i jepte mundësinë të bënte zhurmë dhe të thoshte se partia e tij është po aq e fortë.

Në kushte të tilla do të kishim vetëm votime socialiste, ku të gjithë socialistët i kanë shfaqur përkrahjen Ramës, Rama nuk ka humbur asgjë nga socialistët, por Rama nuk ka bërë zgjedhde të popullit, Rama ka lënë jashtë zgjedhjeve popullin e opozitës. Në qoftë se do të legjitimohen zgjedhje të tilla, ku populli i opozitës në bllok ndjek opozitën dhe merr pjesë në zgjedhje, atëherë me siguri do të kemi tirani.

Edhe sikur opozita të jetë gabim, edhe sikur populli i opozitës të jetë gabim, ata duhet të përfshihen me çdo kusht në zgjedhje. Imagjinoni sikur opozita dhe populli të jenë kaq kompaktë edhe në zgjedhjet që vijnë, edhe në zgjedhjet e vitit 2021, edhe në zgjedhjet e vitit 2023, edhe në zgjedhjet e vitit 2025, edhe në zgjedhjet e vitit 2037 e me radhë, atëherë me siguri që, çdo lloj forme e gjykatave të pavarura, e kontrollit parlamentar, e ndarjes së pushteteve, e mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të njerëzve, sidomos të popullit të opozitës do të ketë vdekur.

Pra, Rama kishte vetëm një shpëtim. Ai duhet të nxirrte popullin e opozitës në zgjedhje dhe të  masakronte partitë e opozitës. Në kushtet kur nuk e ndan dot opozitën nga populli i opozitës, atëherë ai ka vdekur vetë politikisht, ai ka kryer një akt të rëndë kundër demokracisë dhe kundër popullit.

Rama, jo vetëm që nuk nxori në zgjedhje 1 milionë e ca votues, jo vetëm që nuk mori votat që kishte PS-ja në vitin 2017, por ai u përpoq me çdo kusht të manipulojë rezultatin dramatik, thellësisht refuzues të popullit. Shqipëria në 30 qershor ishte një vend me qendra votimi bosh, me nga tre katër komisionerë të Partisë Socialiste të cilët duhet të administronin një proces të PS-së, me njerëz të PS-së për interes të PS-së. Megjithë këto kushte ideale për të prodhuar rezultatin që donin, ata nuk ia dolën dot, megjithë fletët e futura dhe  manipulimet, Rama u mund keq.

Tani Rama ka përpara një nga dy rrugët e vetme: ose do të thellojë autokracinë, do të vijojë të flasë për 'opozitë antishqiptare' dhe për rrjedhojë për 'popull opozitar antishqiptar', e cila dje u numërua në rreth 900 mijë njerëz (shumë më e madhe se sa trupa votuese e Ramës) dhe do të nisë represionin ndaj saj, ose do të lejojë shumë shpejt që të mundet me votë. Kryeministri do të vijojë me skema për mbijetesë dhe për mandat të tretë, me lobime, me shitje dhe blerje, por ai së brendshmi e di se përfundoi gjithçka. Do të ketë zgjedhje dhe ai do të mundet në to. Kjo do të jetë më e lehtë edhe për të.

 

Të fundit