Çfarë fshihet pas ftesës së presidentit Meta për opozitën e bashkuar?

Presidenti Ilir Meta nuk do që të humbë kohë, me vendin që po kalon një situatë dramatike, nisur nga kriza politike. Ai i ka bërë ftesë nëntë liderëve të partive të opozitës së bashkuar që të takohen përpara të mërkurës, data 20 nëntor, që të mund të flasin, e të shmangin pasojat e paparashikueshme.

Kjo ftesë e papritur ka ngjallur interes dhe kureshtje për qëllimin që kreu i shtetit ka, ndërsa përplasja mes institucionit që ai drejton dhe parlamentit është bërë mjaft e ashpër. Ai kërcënon se me një dekret do ta shpërndajë kuvendin, kurse nga ana tjetër, shumica synon të përshpejtojë procedurat për ta shkarkuar. Por ftesa e tij për takim me opozitën e bashkuar ka ngjallur kureshtje dhe interes.

Përse kjo ftesë? Çfarë fshihet pas kësaj lëvizjeje?

Më 17 shtatorin e shkuar, presidenti në një intervistë deklaroi se kishte në plan të ndërmerrte një nismë të re, e cila do të fillonte më 22 nëntor.

“Unë më 22 nëntor do të bëj publike nismën time në mbrojtje të Kushtetutës, në mbrojtje të të drejtave themelore të qytetarëve shqiptar dhe kjo do të jetë një nismë mjaft e mirëmenduar dhe e mirorganizuar në mënyrë që të mos tolerojmë më në këtë vend, shkeljen dhe dhunimin sistematik të të drejtave kushtetuese të qytetarëve tanë”, deklaroi atëherë kreu i shtetit.

Ai e bëri të qartë se kjo është një nismë e Presidentit të Republikës, që e ka detyrim të kujdeset për të drejtat themelore të qytetarëve shqiptare, e të mos pajtohet me asnjë institucion që i cenon ato.

“Kjo do të jetë një nismë, ku shumë surpriza të tjera do të shpalosen në kohën e duhur”, paralajmëroi ai.

Për metën 22 nëntori është një datë mjaft e veçantë, pasi shqiptarët në vitin 1998 me referendum miratuan Kushtetutën, që natyrisht është sakatuar padrejtësisht që nga viti 2008 e në vazhdimësi.