Flash News
E rëndë në Krujë/ 42 vjeçarja futi në qese dhe hodhi në lumë foshnjën e porsalindur në shtëpi
Presidenti Begaj dekreton ligjin për zonat e mbrojtura
Mbytet në ujin e shatërvanit një i mitur afgan në Shëngjin
“Minuan sundimin e ligjit”, DASH shpall ‘non grata’ tre zyrtarë të lartë në Ballkan
Akuzohet për 4 vepra penale/ SPAK nis hetimet ndaj drejtorit të Tatimeve, Ceno Klosi
Alfred Lela
Edhe përtej detit, kryeministri Rama e ka përsëritur sot domosdoshmërinë e një takimi apo detante me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Edhe pse e ka marrë që në fillim 'armëpushimin' prej kundërshtarit (Basha u ka thënë të tijve të mos qarkullojnë deklarata të pafaktuara), kryeministri ngulmon për më shumë.
Një përpjekje që, në strërzgjatje e provon diabolizmin.
Një provë e tillë nuk e ndihmon lehtësimin dhe as përshpejtimin e zgjidhjeve të emergjencës, vetëm sa e fut vëmendjen kombëtare në spiralen e zakonshme të 'i shkoi, si shkoi...' duke përfunduar te parodia e togfjalëshit kryeministror 'Kur do flasim?'.
Është me rëndësi që të marrin përgjigje tre hamendësime apo pyetje. E para: a ka nevojë emergjenca për praninë e opozitës në 'tryezën e pajtimit'? E dyta: pse e bën këtë ftesë Rama? E treta: pse nuk i përgjigjet pozitivisht Basha?
Emergjenca nuk ka nevojë për opozitën. Përveçse një akti simbolik, prania ose jo e e opzoitës në shtabin e Emergjencës ka gjasë ta ngadalësojë në vend se ta përshpejtojë procesin. Palët nuk mund të heqin dorë nga dyshimet e trashëguara për njëra-tjetrën, të cilat do të shfaqen edhe në një shtëpi në zi, siç është Shqipëria sot. Jo vetëm ky aspekt politiko-psikologjik është pengues. Opozita nuk ka sot asnjë pushtet në Shqipëri. Përfaqësuesit e saj janë isha ekselentë. PD dhe aleatët kanë humbur çdo përfaqësim në formën dhe forcën e pushtetit dhe zotërojnë vetëm bazën e tyre të militancës dhe zyrat partiake. Njerëzit, aq më shumë në raste emergjence, kërkojnë zgjidhje, kërkojnë ndihmën që vjen nëpërmjet forcës së një firme apo urdhri, kërkojnë strehim, kërkojnë ta dinë nëse shtëpia e tyre është e sigurt, apo se kur do t'u zëvendësohet shtëpia e shembur. Uniteti kombëtar është një ampulë që kushton sa për të qarkulluar në Facebook apo studiot televizive, por nuk e vlen një grosh në Thumanë, Durrës, Kënetë apo zona të tjera të goditura nga tërmeti.
Rama, m'anë tjetër, e kërkon praninë e opozitës pikërisht për të (sh)përdoruar pafuqinë e saj. E kërkon si një lloj nuske kundër syrit të keq të skandaleve që do të vijojnë kur mpirja e tërmetit dhe solidariteti të jenë zvjerdhur dhe të pasojë realiteti i thatë dhe i mprehtë i ngjarjeve.
Eshtë, pak a shumë, taktika e përdorur pas zgjedhjeve të 2017, kur opozita pranoi të futej në tendën e qeverisë së përbashkët. Kur, më vonë, Basha me të tijtë ankoheshin për zgjedhje të manipuluara, Rama u kujtonte se ata vetë kishin qenë në qeveri. Shtabi i emergjencës është një lloj qeverie ad hoc dhe pjesëmarrja e demokratëve në të nuk do t'u jepte atyre më shumë çelësa sa ç'kishin Ledina Mandija dhe Mirela Karabina në qeverinë tranzitore të verës 2017. Dmth çelësat e kashtës.
Kryeministrit i intereson më së shumti politizimi i Emegjencës. Ky akt është si pluhuri që ngriti Afërdita për të shpëtuar kanakarin e saj në duelin e pafat mes Paridit, rrëmbyesit të Helenës, dhe Menelaut, burrit legjitim të saj. Ai e ngre këtë pluhurnajë duke e ditur refuzimin e Bashës. Çfarë blasfemie në këto ditë të nevojës së shërimit kombëtar! është nënteksti i çdo here që Rama e rishtrin dorën e pajtimit.
Politizimi i bën mirë konsumit mediatik dhe publik të ditës, është veshja që e mbron kryeministrin nga një aktualitet pa armiq, ku të gjithëve u duhet të shohin në skenë vetëm atë, me gjithë çka dashur dhe kërkuar: tepsinë dhe timonin.
Basha nuk e pranon ftesën, sepse nuk ka asgjë për të përfituar prej një pakti të ri me Ramën. Ai e ka konsoliduar tashmë kontrollin në parti: deputetë i ka isha-pa pushtet dhe ndikim, kupolën e partisë e ka klonim të vetin; disidentët i ka të humbur në harrim.
Pa këto rreziqe atij nuk i duhet aleanca me Ramën. Pos kësaj nuk ka asnjë plaçkë, politike as materiale për të ndarë me të. Pa harruar këtu kompleksin, që i shkakton ende, tapeti politik që ai e pandehu qilim fluturues, dhe që Rama ia hoqi nga poshtë këmbëve pas paktit të majit 2017.
Të kapur në këtë remi janë dy shefat e partive këtë dhjetor 2019.