‘Çfarë ndodh nëse nuk ka zgjedhje?’/ Bumçi tregon ‘planin B’ të opozitës: Protestat nuk do u ngjajnë shëtitjeve në bulevard

Ish-deputeti demokrat, Albo Bumçi, tha në rubrikën “Opinion”, se vendi duhet të shkojë patjetër në zgjedhje të parakohshme në mars të vitit 2020, në të kundërt paralajmëroi se opozita do të nisë një valë të fuqishme protestash.

Ish-deputeti sqaron se protestat u ndalën për shkak të integrimit (deri më 18 tetor) sepse sipas tij opozita nuk donte të dukej  sikur po pengonte njerëzit.

“Nga shkurti, kanë qenë pesë muaj të paprecedentë në historinë e protestave të Shqipërisë. Nuk kemi parë të tilla, e tregoi edhe stadiumi “Rama ik”. Kjo gjendje protestash pesëmujore ndaloi për shkak të gushtit dhe ne nuk deshëm që para procesit për integrimin, deri më 18 tetor, të dukeshim sikur ishim ata që po pengonim Shqipërinë, kur në fakt është kriza e rëndë.

Në momentin që ne mbarojmë Reformën Zgjedhore dhe Shqipëria ka gati një bazë ligjore për zgjedhje, ndërkohë janë ngritur dhe institucionet kryesore të drejtësisë, duhet të shkojmë në zgjedhje të parakohshme, në pranverë, në mars. Kjo është zgjidhja. Nëse nuk ndodh kështu, ne do të dalim në protesta, të cilat nuk do të jenë më një shëtitje në bulevard”, tha Bumçi.

Ish-deputeti theksoi se të gjitha palët duhet të bëhen bashkë për zgjidhjen e krizës në vend.

 “Kriza është shumë e rëndë. Shqipëria është e sëmurë, po lëngon. Është kancer, që i ka prekur organet vitale të trupit. Duhet zgjidhje dhe zgjidhja vjen me zgjedhje të parakohshme, të lira e të ndershme”-nënvizoi Bumçi.