Flash News

OP-ED

Çfarë (nuk) shkon në analizën e FMN për ekonominë shqiptare

Çfarë (nuk) shkon në analizën e FMN për

Endrit Avdullari

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka paraqitur analizën e Bordit Ekzekutiv mbi monitorimin e ekonomisë shqiptare. Raporti është shkruar përgjithësisht nën një frymë pozitive dhe diplomatike, tipike e institucioneve ndërkombëtare. Jo rastësisht, për të inkurajuar qeverinë, bordi e nis analizën me lajmet e mira si rritja ekonomike, rritja e kërkesës së brendshme dhe kredive personale, turizmit si dhe investimeve të huaja në sekorin energjitik. Raporti duhet vlerësuar për këtë qasje prej mësuesit që kërkon të motivojë një fëmijë të prapë. Fatkeqësisht, shumica e këtyrë fakteve të maskuara si pozitive kanë efekte serioze anësore dhe aty nuk mungojnë as kritikat e holla nga FMN.

Ashtu si shumica e qeverive paraardhëse, edhe qeveria aktuale e përdor rritjen ekonomike për të marrë borxh duke përsëritur një problem serioz të qeverive perëndimore që përshpejtoi krizën e vitit 2007. Në fakt, secili nga ne, kur gjërat ecin mirë ekonomikisht, shpesh e gjen të udhës që të lajë sa më shumë borxhe dhe jo të marrë më tepër. Duket se Ministria jonë e Financave nuk është dakord me këtë.

Faktori tjetër problematik janë kreditë personale në rritje dhe ato të korporatave në rënie. Arsyeja pse ky çekuilibër është problematik, ështe se kreditë personale kanë interes të lartë dhe janë shenjë e një popullsie që nuk arrin dot në fund të muajit. Ato shpesh çojnë në falimentim të individëve të cilët duke qënë në vështirësi ekonomike, e përkeqësojnë gjendjen e tyre duke shtuar dhe interesat e majme dhe hyjnë kështë në një rreth vicioz nga ku është e vështirë të dalësh. Ndërkohë, bizneset e mëdha nuk marrin kredi duke dhënë shenjë se përgjithësisht ato nuk po zgjerohen çka është një ogur shumë i keq ekonomik për të ardhmen.

Investimet e Huaja Direkte në sektorin energjetik janë gjithashtu problematike. Jo nga pikëpamja ekonomike sigurisht por për dëmin mbi mjedisin. Një numër lumenjsh ku janë ndërtuar diga janë dëmtuar tashmë në mënyrë të pariparueshme. Rasti i Valbonës ka qënë ai më i ndjeshmi por ka një numër hidrocentalesh të ndërtuar pa analizat dhe vërejtjet e nevojshme paraprake nga ambientalistët. Ndotja e ambientit vazhdon edhe nga një numër fabrikash që shkaktojnë djegjet e dëmshme. Gjithashtu kemi rastin e përmbytjeve të nëndheshme (fracking) të shkaktuara nga kompanitë e naftës që njihen si burim gërryerje dhe shkaktarë tërmetesh e janë tashmë të paligjshme në një numër shtetesh. FMN e kritikon këtë me elegancë duke i quajtuar këto investime si “të paqëndrueshme”. Me fjalë të tjera, FMN na thotë që kur të mos ketë më lumenj për të shkatërruar dhe pasi ta kemi shembur gjithë Shqipërinë, kjo rritje afatshkurtër ekonomike do na dalë për hundësh. Si të mos mjaftonte, këto dëme nuk kanë shërbyer as për të lehtësuar barrën e  rrjetit energjitik shtetëror i cili vazhdon të vuajë nga borxhet.

Interesante është “rritja e kërkesës së brendshme”. Kjo rritje – e papritur do shtoja unë – është misterioze sepse është e lidhur me një dobësim prej 10% në vetëm katër muaj të monedhave të huaja kundrejt lekut. Ky fluks i monedhës së huaj nuk dihet ende nga vjen – çka të bën të mendosh se ka prejardhje të paligjshme. Kjo do të thotë se nëse nuk vjen nga aktivitete në vetvete të paligjshme, në rastin më të mirë vjen nga ekonomia e zezë e padeklaruar mbi të cilën nuk paguhen taksa dhe ndaj publiku nuk ka asnjë përfitiim. Këto para shkojnë vetëm në xhepat e atyre pakëve që kanë arritur të gjenerojnë këto para. Kjo tezë mbështetet nga paradoksi i të dhënave nga Instituti i Statistikave të cilat tregojnë qartë se rritja ekonomike paradoksalisht nuk ka sjellë rritje të të ardhurave nga taksat.

Paanësia akademike më detyroi të them që ky fluks nuk është domosdoshmërisht i ardhur nga aktivitete të paligjshme, por mund të jetë dhe thjesht evazion fiskal, pra të ardhura të padeklaruara por me hyrje nga biznese të ligjshme. Nga ana tjetër, intuita na drejton tek alternativa e parë për një arsye shumë të thjeshtë. Pastrimi i parave në të gjithë botën është shpesh i lidhur me disa sektorë si ai i i financës, ndërtimit, bizneset e vogla ku shpesh paguhet me para në dorë, kreditë personale etj. Kjo është sigurisht e ditur për profesionistët e taksave dhe inspektorët kundër pastrimit të parave po tashmë e shpjeguar për publikun edhe nga seriale televizive jo dhe aq fiktive si Breaking Bad, Narcos apo Ozark. Jo rastësisht sektori bankar, ai i ndërtimit dhe kreditë personale janë pikërisht sektorët që po ecin më mirë në Shqipëri. Depozitat kanë rritje gati vetëm në monedha të huaja. Arsyeja pse kryebashkiakët shqiptarë janë nën presion të vazhdueshëm për të dhënë sa më shumë leje ndërtimi – si gjithmonë në kurriz të mjedisit – për shkak se mafia e ndërtimit është e fuqishme në Shqipëri ashtu si dhe në të gjithë botën. Të ndërtuarit e një kulle për një grup mafioz sjell pastrimin e miliona e miliona eurove menjëherë dhe ndaj është shumë e lehtë për ata që të korruptojnë funksionarë publikë për shkak të avantazheve të mëdha që ky makinacion sjell. Ironia vazhdon tek fakti që, jo rrallëherë, këto biznese marrin edhe amnisti fiskale duke i maskuar ato me nisma apo fushata si “Shqipëria 1 Euro”, aeroportet, rrugët kombëtare etj. pra cubave dhe lordëve të drogës as nuk u kërkohet të paguajnë taksa për të pastruar këto para. (Mos)Taksimi është mbase e vetmja kritikë e fortë dhe e drejtpërdrejtë në raportin e FMN-së ku shpjegohet edhe se këto vendime të njëanshme dëmtojnë besueshmërinë dhe konkurrencën e lirë duke avantazhuar investitorë të përzgjedhur.

Mendoni që deri më tani kemi përmendur vetëm gjërat “pozitive”. Raporti i FMN vazhdon më tej duke kritikuar institucionet e dobëta publike, moszbatimin e ligjit, borxhin e lartë, kreditë e këqija, nënpërdorimin e fuqisë puntore dhe uljen e vendeve të reja të punës (pra sipas FMN profesionsitë ka por nuk ka punë) dhe – qershia mbi tortë – patneritetet publiko-private (PPP) që mbajnë plot 7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. PPP-të cilësohen si të skicuara, kontrolluara dhe analizuara keq. Ato nuk marrin përsipër një numër rreziqesh, ligjesh dhe rregullash dhe qëndorjnë mbi strukturat ligjore dhe rregullatore. FMN prek edhe tensionet politike që këto vendime po shkaktojnë pa përmendur raste konkrete si protestat në Kukës për rrugën e Kombit.

Pra, faleminderit FMN për kritikat me gjuhë të ëmbël prej vëllai të madh por fshati që duket...

 

Të fundit