Çfarë nuk thuhet për marrëveshjen me ‘Frontex’? Roje të huaja të armatosura do veprojnë brenda territorit të Shqipërisë

Shqipëria ka firmosur së fundmi një marrëveshje të rëndësishme me Agjencinë Evropiane e Kufirit dhe Rojes Bregdetare (Frontex). Ministri i Brendshëm shqiptar, Fatmir Xhafaj nënshkroi dje dokumentin që i jep Frontex-it kompetenca të gjera që nuk i gëzon as në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.

Funksioni i kësaj agjencie është të kontrollojë dhe të ruajë kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian, dhe në raste krizash apo në situata alarmante rojet e Frontex mund të veprojnë menjëherë për të mbrojtur në kufi sigurinë e unionit.

Ndërkohë, me marrëveshjen e nënshkruar nga Xhafaj, Frontex jo vetëm që do të veprojë në kufijtë e Shqipërisë njësoj si rojet tona kufitare, por do të ketë mundësinë të organizojë aksione edhe brenda territorit shqiptar, çka nuk i lejohet në asnjë prej vendeve të BE-së.

“Agjencia do të jetë në gjendje të ndërmarrë aksione në kufijtë e jashtëm. Kjo mund të përfshijë ndërhyrjen në territorin shqiptar, në varësi të marrëveshjes me Shqipërinë”, thuhet në njoftimin e Komisionit Evropian.

Nëse i kërkohet nga qeveria shqiptare, Frontex mund të veprojë ne emër të saj në aksione të ndryshme. Gjithashtu, rojet dhe personeli i kësaj agjencie do të jetë i armatosur, ndërkohë që ata nuk do bëhen subjekt i ligjeve shqiptare. Edhe të dhënat personale të çdo shqiptari do të jenë në duart e rojeve të huaja, sa herë ata i konsiderojnë të rëndësishme për aksionet.

Marrëveshja nuk specifikon se deri ku shtrihen kompetencat e Frontex dhe nëse kjo agjenci do të mund të kryejë apo jo ndalime dhe arrestime në Shqipëri, por mjaftohet vetëm me termin ‘operacione të përbashkëta’.

Kjo marrëveshje është para e këtij llojit që Frontex arrin me një shtet që nuk është anëtar i Bashkimit Evropian. Marrëveshje të tjera janë nënshkruar me Serbinë dhe Maqedoninë, por kompetencat nuk janë kaq të zgjeruara.