Flash News

OP-ED

Çfarë sollën zgjedhjet e BE-së dhe si do të ndikojnë ato Shqipërinë

Çfarë sollën zgjedhjet e BE-së dhe si do të

Fitim Zekthi

Zgjedhjet për Parlamentin Europian prodhuan një rezultat që iu jep mundësinë të flasin për fitore shumë individëve, grupeve apo faktorëve; sidomos atyre që gjithnjë synojnë t'i interpretojnë siç duan vetë rezultatet, shifrat, të dhënat, por edhe atyre që e njohin shumë pak politikën në BE, partitë, ligjet zgjedhore, historikun e institucioneve etj.

Edhe në Shqipëri ka patur diskutime të mëdha, disa flasin për 'votim kundër Sorosit', për dallgë kundër establishmentit, disa flasin për fitore të liberalëve, disa flasin për fitore të së djathtës, disa flasin për humbje të së djathtës, për humbje të së majtës etj.

Nga një vështrim i menjëhershëm i rezultateve më domethënëse, ose atyre rezultateve që zënë vendin e parë në media, është rritja e madhe e Lega-s së Salvinit në Itali, dhe dalja e saj, bindshëm, partia e parë. Lajmi i dytë domethënës është rritja dhe dalja parti e parë e Frontit Nacional të Le Pen-it në Francë. Salvini është rritur duke shkatërruar partnerët e koalicionit qeverisës të '5 Yjeve', të cilët kanë dalë shumë keq. Politika italiane nga ky moment ka hyrë në fazë të re, e cila, jo domosdo, do t'i sjellë Italisë, Europës dhe më pas ne shqiptarëve të mira. Në Itali, blloku populist dhe i quajtur anti-establishment 'Lega- 5 Yjet' ka, pak a shumë, po aq vota sa kishte, vetëm se ka këmbim vendesh mes të dyjave. Partitë e tjera janë afërsisht aty ku ishin.

Në Francë gati janë zhdukur partitë e vjetra të De Gaulle, Chiraque, Sarkozy, Fillon (e djathta e UMP ose Bashkimi për Republikën) dhe socialistët e Miterrand, Jospin, Royal, Hollande, për t'ia lënë politikën dy grupeve të reja: atij të Macron dhe Le Pen. Macron përfaqëson një liberal, ose një ultraliberal, që nuk po i sjell asgjë Francës dhe BE-së; përkundrazi po ruan, përmes një imazhi të ri, gjithçka të vjetër të botës liberale-ultraliberale dhe majtiste që ka dështuar plotësisht, ndërsa Le Pen nuk i ofron asgjë Francës veç frymës jakobiniste të republikanizmit të egër anti-monarkist (trashëgimi e qasjes së korentit “të djathtë” të radikalëve që dominuan Francën në vitet 1900-1940), të gërshetuar me një Golizëm karikaturë, veç radikalizmit që doli nga revolucioni republikan që prodhoi Republikën e dytë, veç ksenofobisë dhe islamofobisë, apo lidhjes së sotme me Rusinë.

Lajm tjetër nga zgjedhjet në BE është se Partitë Popullore kanë humbur 41 mandate dhe sot kanë 180.  Ato janë ende grupimi i parë në Parlamentin Europian. Partitë Popullore janë ato që kanë bërë Europën, janë partitë që ndërtuan vendet si Gjermania perëndimore, Italia, Franca, Holanda, Belgjika, janë partitë e Adenauerit, Erhadit, De Gasperit, De Gaulle-it etj. Por ato janë edhe partitë  që prej vitesh janë shtyrë drejt liberalizmit social, drejt të majtës liberale duke u larguar pa ndaluar nga e djathta dhe konservatorizmi. Kjo zhvendosje, edhe për arsye të presionit nga e majta, ka bërë që shteti të rritet shumë, borxhi publik të jetë mbytës, të lejohen martesat gay, të zbehet shumë prania e fesë në jetën publike dhe, madje, ajo të vihet nën sulm vazhdimisht. Të gjitha këto së bashku gjenden në rrënjë të krizës së Europës. Gjithsesi ato mbeten ende partitë më të mira në BE dhe fitorja e tyre është lajm i mirë, ndërsa humbja e 41 vendeve është lajm i keq. Humbja e 41 vendeve tashmë ua bën gati të pamundur atyre zgjedhjen e kreut te Komisionit, që është figura kyçe e BE-së. Europa mund të ringrihet vetëm nga këto parti, të cilat, që të gjitha, janë në një proces reflektimi dhe rigjetjeje të pozicioneve të humbura.

Lajm i mirë është mosfitorja e grupit te Social-Demokratëve, grupi i dytë më i madh, dhe po ashtu lajm i mirë është edhe humbja e 45 vendeve prej tyre. Social-demokratët janë arkitektët e shkatërrimit liberal, të rritjes gjigande të shtetit në Europë, rritjes së taksave, promovimit të kulturës anti-klerikale, antifetare, martesave gay etj. Ato janë parti që kanë lindur në vitet '80-'90 të shekullit 19 nën shenjën e marksizmit dhe çdo ndryshim i tyre, asnjëherë, në thelb nuk hoqi dorë nga konflikti klasor marksist dhe nga idetë për ndryshimin utopik të botës.

Lajm i keq është rritja e të gjelbërve, të cilët janë thjesht denominacione brenda së majtës liberale, madje radikale. Lajm pa ndonjë rëndësi, ose pa domethënie, dhe pa asnjë ndikim është qëndrimi në vend ose rritja me vetëm 6 mandate e partive që kërkojnë demokraci direkte (që janë kryesisht majtizma). Lajm i keq është rritja e liberalëve të cilët më shumë janë të tillë për shkak të qasjes ndaj seksit, homoseksualitetit, martesave gay, ruajtjes dhe promovimit të kulturës dhe të sjelljes ekonomike të deritanishme etj., se sa ndaj taksave të ulëta dhe shtetit të vogël. Këta, liberalët që janë rritur, më shumë kërkojnë politika të majta në ekonomi dhe në shtet. Rritja e liberalëve, më së shumti, ka të bëjë me Macron-in i cili e fut veten në këtë grup.

Gjithsesi parlamenti do të jetë një lojë nervash ku grupet që anojnë djathtas do të jenë shumicë, por ndarjet brenda tyre janë shumë të mëdha dhe partitë popullore do të jenë më të dobëta.

Nga shikimi më i gjerë i gjithë asaj që ka ndodhur me zgjedhjet e Parlamentit Europian duket se nuk ka patur ndonjë frymë të qartë që të ketë dominuar gjithë Europën, megjithë dominimin e Salvini-t dhe Le Pen-it në dy vende nga 27 të tilla. Mund të thuhet me siguri se populizmi është ndalur ose tërhequr, pavarësisht se, krahasuar me zgjedhjet e para 5 viteve në PE do të ketë shumë më shumë zëra dhe korente nga ky grupim. Forcat populiste në Gjermani, në Greqi, Spanjë, Holandë, Norvegji, Danimarkë, Çeki, Sllovaki etj., kanë qenë shumë më të forta këto vitet e fundit se sa ato që u shfaqën në zgjedhjet e të dielës. Pra, brenda kesaj rritjeje ka patur ulje. Ritmi i rritjes së populizmit ka rënë në shumicën e vendeve të BE-së.

Rezultatet e fundit të Parlamentit Europian do ta ndryshojnë në një masë të ndjeshme BE-në. Ajo do të jetë ajo që ishte nga pikëpamja e asaj që përfaqëson, por do të jetë më e ngadaltë, më e ngurtë ndaj vendeve si ne dhe me pak efikase kudo, në të gjitha politikat, qofshin ato ekonomike apo të jashme. Raporti i forcave tashmë do të jetë shumë më i brishtë dhe balanca shumë më e thyeshme. Forcat liberal-majtiste, ato që donin një Europë në terma sorosianë tashmë nuk do të kenë më fuqinë të vendosin lirshëm si më parë.

Me shumë mundësi BE, Komisioni Europian nuk do të dërgojnë më njerëz si Vlahutin në Shqipëri, dhe në vende si ne, njerëz mediokër që vihen në shërbim të një qeverie antieuropiane dhe të korruptuar si e Ramës. Me shumë siguri, BE nuk do të emërojë më komisionerë si Mogherini, njerëz që nuk përfaqësojnë asgjë në vendin e tyre, veç axhendave ultraliberale dhe që vihen në shërbim të qeverive si e Ramës. Kjo nuk është pak.

Gjithashtu, ky raport i ri i forcave do të bëjë që “mbyllja e syrit” ndaj asaj që bëjnë me korrupsionin, krimin, keqqeverisjen, qeveri si e jona të jetë shumë më e vogël ose të mos ketë më fare 'mbyllje syri'.

Në përgjithësi, fryma që prodhonte apo sillte njerëz të tillë do të jetë shumë më e vogël, dhe për këtë arsye qeveria Rama do ta ketë shumë më të vështirë të ketë mbështetjen që ka pasur. Kjo nuk ka të bëjë fare me humbjen në zgjedhje të deputetit Knut Fleckentein. Humbja e Knut është vetëm humbje e Knut, i cili, me siguri, nga ky moment do të nisë një jetë të re duke ruajtur në kujtime Shqipërinë, ndoshta si vendin e vetëm në botë që e dëgjoi apo të cilit ai i foli. Edhe po të fitonte Knut, gjërat do të ishin po njësoj; ai nuk do të kishte më asnjë ndikim.

Ky është konteksti i ri, shumë më i vështirë, në të cilin Rama duhet të vazhdojë këmbënguljen kokëmushkë (ose bërjen gjasme) për të shkuar në zgjdhje i vetëm më 30 qershor. Shumë e vështirë.

Të fundit