Champions dramatik: Fati fundos Interin, kalon Dortmundi

Interi i kishte të gjitha mundësitë e botës për të kaluar grupin F të Champions League sonte, por nuk ia arriti. Barcelona luajti me të rinjtë në San Siro në takimin e fundit para se të vuloseshin dy skuadrat e para të grupit, por fitoi 2-1 duke shtangur gjithë stadiumin.

Festa shkon për Dortmundin, skuadër e cila mundi Slavia Praga 2-1 dhe kalon në fazën me eliminim direkt. Interi, për fatin e tij të keq, ka dy vite radhazi që dështon në këto nivele.

Golin e parë të Barcelonës e shënoi i riu Perez, por Lukaku ndezi shpresën përkohësisht për zikaltrit. Në pjesën e dytë u duk sikur katalanasit donin ta ndihmonin skuadrën italiane për të shënuar, por lojtarët e kësaj të fundit nuk dinin të gjenin rrjetën dhe dukeshin amatorë.

Lautaros iu anuluan dy gola duke qenë në pozicion jashtë loje dhe shpresat u prenë me kalimin e minutave. Golin e fitores për Barcelonën e shënoi Ansu Fati, 16 vjeç, i cili bëhet kështu lojtari më i ri në histori, i cili shënon në Champions League.

Në ndeshjet e tjera, Chelsea fitoi 2-1 ndaj Lille (kaloi si vend i dytë grupin H), Ajax doli nga gara duke humbur 0-1 në shtëpi përballë Valencias (e para e grupit), ndërsa Lyon barazoi 2-2 me Leipzigun (kaluan të dyja grupin G).